E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitet, degët ku rriten kuotat e pranimeve

20/05/2011  Prioritet pranimet në shkencat ekzakte, teknike, teknologjia, ekonomi-biznes, menaxhim e gjuhët e huaja

Maturantët do të mund të zgjedhin preferencat ndërmjet 260 programeve studimore

Pranimet në universitete edhe për vitin e ardhshëm akademik do të pësojnë rritje, e cila do të realizohet vetëm në një pjesë të kufizuar degësh. Tashmë universitet publike kanë depozituar pranë strukturave përgjegjëse të Ministrisë së Arsimit propozimet për kuotat e pranimeve në të gjitha programet studimore. Këto janë verifikuar dhe brenda një kohë të shkurtër pritet të kalojnë në qeveri, ku do të marrin verdiktin përfundimtar. Kreu i MASH, Myqerem Tafaj, ka deklaruar para gjimnazistëve se së shpejti do të miratohet vendimi i qeverisë, ku përcaktohet numri i vendeve të studimit për degët dhe profilet e ndryshme në strukturat e arsimit të lartë publik. Tafaj konfirmon se edhe për këtë vit parashikohet rritje, por vetëm në disa profile të caktuara studimore. Prioritet në këtë rast do të kenë degët e shkencave teknike, natyrore, gjuhët e huaja, shkencat e jetës, ekonomia dhe administrimi. “Struktura e kuotave që do të ofrojmë nuk do të ndryshojë shumë nga ajo e vitit të kaluar. Siç e dini, prej 2-3 vitesh ne po i japim rëndësi të veçantë rritjes së numrit të kuotave në shkencë, teknologji, ekonomi-biznes, menaxhim e gjuhë të huaja. Kjo strukturë do të ruhet edhe këtë vit. Interesi ynë është që sa më shumë maturantë të zgjedhin fushat, degët dhe profilet që lidhen me shkencën, kjo për shkak se nga të gjitha raportet internacionale është përftuar se mundësia e punësimit të studentëve që përfundojnë studimet në nivelin e parë bachelor, apo në nivelin e dytë master, është shumë më e madhe nëse janë të orientuar në fusha të tilla”, ka deklaruar Tafaj. Kështu, në total edhe për këtë vit akademik pritet që të fillojnë studimet e larta në strukturat publike më shumë se 21 mijë kandidatë. Duke iu referuar këtyre kushteve, pohohet se do t’u jepet prioritet profileve që lidhen me Teknologjinë e Informacionit, për të cilin do të ketë më shumë se 20 degë të caktuara. Po ashtu, prioritet do t’u jepet edhe shkencave teknike inxhinierike, shkencave natyrore, të cilat u krijojnë mundësi shkollimi të rinjve, duke i çuar ata më shpejt në tregun e punës. Njëkohësisht rritje do të ketë edhe për degët e mësuesisë, veçanërisht ato të shkencave ekzakte, për të cilat tregu i punës ka hapësira të mëdha pranimi. E thënë ndryshe në shifra, për vitin e ardhshëm akademik 2011-2012 MASH ka parashikuar që rritja e mëtejshme e pranimeve në institucionet e arsimit të lartë publik të vijojë me 10 për qind më shumë krahasuar me pranimet e maturës së shkuar. Sikundër ka ndodhur në vitet e shkuara, edhe për maturën e vitit 2011 Universiteti i Tiranës do të ketë numrin më të lartë të pranimeve, të shpërndara sipas programeve që do të ofrojnë tetë fakultetet e tij. Pranimet në këtë institucion nuk pritet të shkojnë më shumë se propozimet e vitit të shkuar, përkatësisht me rreth 7 mijë të drejta studimi, të shpërndara sipas degëve përkatëse.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›