Berisha: Rama të japë dorëheqjen menjëherë

TIRANË, 21 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka bërë thirrje sot qytetarëve që t’u bashkohen studentëve dhe të rinjve në ditën e nëntë të protestës, ndërsa ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se synon të destabilizojë vendin dhe të fajësojë protestuesit.
Në një videomesazh, Berisha u shpreh se qeveria po përgatit një skenar për të nxitur incidente dhe për t’ua faturuar ato studentëve, me qëllim ruajtjen e pushtetit.
“Edi Rama ka një plan për të destabilizuar vendin, në mënyrë që të fajësojë studentët për këtë destabilizim, vetëm e vetëm që të ruajë karrigen e tij, pushtetin e tij”, u shpreh Berisha.
Kreu i opozitës u bëri thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Rama.
“Zgjidhja për të qetësuar tensionet, për të kthyer stabilitetin dhe normalitetin në vend, për të kthyer rendin dhe sigurinë, për të shpëtuar Shqipërinë, është një dhe vetëm një: Rama, jep dorëheqjen!”, deklaroi Berisha.
Berisha theksoi se, pas largimit të Ramës nga pushteti, personat përgjegjës për dhunën ndaj protestuesve do të ndëshkohen sipas ligjit, ndërsa protestuesit do të dëmshpërblehen për dëmet që kanë pësuar.
/gj.m/j.p/r.e/