Imuniteti i Ballukut, Rama: Nuk e penguam SPAK-un, mbrojtëm drejtësinë nga njëanshmëria

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, foli sot në lidhje me retorikën e përdorur gjatë protestave të ditëve të fundit, për ish-ministra socialistë të vënë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjatë një “dialogu” virtual me një student protestues, Rama iu përgjigj komenteve të tij me një pyetje: “Ju jeni prokuror, jeni gjykatës apo jeni student?”.
“Dhe, nëse jeni student, duhet të bëni kujdes një çikë nga profesori që ju ka mësuar të ngrini akuza kolektive duke rreshtuar emra, sepse ky vend ka vuajtur shumë nga idhujt “vrastarë” të këtij profesori që ju mëson së mbrapshti”, tha ai.
I pyetur në lidhje me votimin në Kuvend për të mos i hequr imunitetin deputetes Belinda Balluku, e cila është në hetim nga SPAK, Rama tha se “unë nuk mbroj askënd nga drejtësia”.
“Përkundrazi, por në atë rast ne mbrojtëm drejtësinë nga njëanshmëria. Dhe koha na dha të drejtë, sepse refuzimi ynë për të pranuar, duke ngritur kartonat e parlamentit, një tjetër arrest pa gjyq, në një vend që është bërë turpi i Europës, me 63% të paraburgosur në totalin e të burgosurve, nuk e pengoi aspak SPAK-un që t’i fillonte hetimet dhe t’i shteronte akuzat”, tha ai.
Studenti gjithashtu përmendi dënimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Sa keq më vjen! Si mund të jetë një i ri të zvarrisë për gojë një njeri të dënuar shumë vite më parë, që sot është në jetë në vet, pasi e ka kryer edhe dënimin?! Nuk e di, po të thashë, kujdes, kujdes nga ai profesor që ju mëson gjërat për së sprapthi”, tha Rama.
I pyetur nëse mban përgjegjësi kushtetuese për ministrat që zgjedh, Rama tha se “përgjegjësia ime politike është të garantoj se as unë dhe as shumica qeverisëse nuk bën avokatin e askujt nga radhët tona që vendoset në akuzë nga drejtësia”.
“Dhe kur të më tregosh një kryeministër apo një president në një vend demokratik që mban ndonjë lloj tjetër përgjegjësie personale sesa kjo që po të them, atëherë i kthehemi përsëri këtij argumenti me kënaqësi.
Ndër dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra, nuk e di sa janë bërë, 60 e më shumë ministra në 13 vjet, me siguri ka dhe zgjedhje të gabuara dhe nuk kam kurrsesi se si ta mohoj këtë”, tha ai.
Rama sërish i bëri thirrje të riut për dialog.
“Mos ki frikë nga dialogu, distancohu nga gurët dhe nga zjarri”, tha Rama.
/m.q/a.f/r.e/