E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama “dialog” me studentin: Policët e plagosur më shumë se dyfishi i protestuesve, pretendimet për dhunë djallëzore

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, po udhëton drejt Budvës, në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, që zhvillohet më 21–22 tetor 2026.

Samiti do të mbledhë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët europianë, me fokus forcimin e bashkëpunimit rajonal, integrimin ekonomik dhe avancimin e perspektivës europiane të vendeve të rajonit.

Gjatë udhëtimit, kreu i qeverisë realizoi një “dialog” virtual me një student protestues, teksa i ftoi sërish për të dialoguar me “këdo që beson se unë jam i keq, po ama dhuna është një armik i lirisë së të gjithëve”.

I pyetur në lidhje me sjelljen e policisë në protestë dhe përdorimin e gazit lotsjellës, Rama tha se “policia u qëllua me gurë dhe me zjarr, e me lloj-lloj saçmesh, vidhash, me llastiqe nga ato primitive, dhe reagoi me gaz lotsjellës dhe me ujë, e në ndonjë rast edhe me shkop dhe me plumb gome. Mjete të çdo policie në çdo vend demokratik”.

“Dhe kur policët e plagosur janë më shumë se dyfishi i protestuesve të plagosur, ndryshe nga të gjitha vendet ku kanë ndodhur dhe ndodh këto ditë diçka e ngjashme, çdo pretendim për dhunë nga policia mbi studentët është djallëzor”, tha ai.

Rama gjithashtu theksoi se është gati që të bëjnë bilancin e premtimeve të vitit 2018.

“Ballë për ballë dhe me fakte, jo me retorikë”, tha ai.

I pyetur se “pse u kujtua tani të flasë me flamingot?”, kreu i qeverisë tha se “unë kam bërë dhe publikuar një reflektim të tërë, pasi i kam ndjekur, dëgjuar, analizuar dhe flas për ata të qershorit, se ata ishin për mua, flamingot. Madje, sot ndër të tjera, rezultate të atij reflektimi, ka dhe një dritare që lindi si pjesë e tij: flamingomirror.al, Pasqyra e Flamingos”.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›