E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama, vizitë përçarëse në Kosovë – injoroi arkitektin e pavarësisë, Ibrahim Rugovën

14-09-2013 / Gazeta 55

Reagon lideri historik i demokratëve

Lideri historik i demokratëve: Gjatë fjalës së tij lëndoi thellë jo vetëm qytetarët e Kosovës, por dhe mbarë kombin shqiptar. Vepra e Rugovës, unike dhe e pavdekshme në historinë tonë kombëtare

“Vizitë përçarëse e kryeministrit të dekretuar të Shqipërisë në Kosovë. Një ngjarje që kurrë nuk duhet të ndodhte”. Kështu e cilëson kryeministri Sali Berisha vizitën e kreut të PS, Edi Rama në Kosovë, i cili u bojkotua nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Në rrjetin social Facebook, Berisha e konsideron një akt përçarës dhe të paimagjinueshëm të z.Rama, injorimin tërësisht gjatë fjalës së tij në Parlamentin e Kosovës, të rolit të Presidentit Rugova, arkitektit të Kosovës së Pavarur. Kjo ngjarje sipas Berishës nuk duhet të kishte ndodhur kurrë, pasi me këtë qëndrim ai lëndoi thellë jo vetëm qytetarët e Kosovës, por dhe mbarë kombin shqiptar. “Të dashur miq, Kryeministri i dekretuar, z.Rama, zgjodhi Kosovën për vizitën e tij të parë zyrtare. Një kryeministër i dekretuar nuk mund të bëjë vizita zyrtare, por mendoj se ky rregull nuk ka vlerë në rastin e dy kryeministrave të kombit tonë. Mirëpo në një akt përçarës të paimagjinueshëm z.Rama injoroi tërësisht në fjalën e tij në Parlamentin e Kosovës rolin e Presidentit Rugova, arkitektit të Kosovës së Pavarur. Me këtë qëndrim të pashembullt z.Rama detyroi deputetët e LDK të braktisin sallën e Parlamentit gjatë fjalës së tij dhe lëndoi thellë jo vetëm qytetarët e Kosovës, por dhe mbarë kombin shqiptar”- u shpreh Berisha. Në përfundim, Berisha vlerësoi rolin dhe veprën e pavdekshme të Presidentit Rugova në historinë tonë kombëtare. “Roli dhe vepra e pavdekshme e Presidentit Rugova është unike në tërë historinë tonë kombëtare. Ai me forcën e pathyeshme të besimit tek e drejta e popullit dhe vendit të tij shpalli, nën pushtimin e egër serb, pavarësinë e Kosovës, ngriti pushtetin paralel të shqiptarëve kundër pushtetit të okupatorit, mbrojti çështjen e drejtë të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe kancelaritë e mëdha të Europës. Pas çlirimit të Kosovës nga UÇK, luftëtarët e saj të lirisë dhe NATO, si presidenti i parë i Kosovës së lirë ai udhëhoqi me mençuri dhe vendosmëri vendin drejt Pavarësisë. Nder përjetë veprës së pavdekshme dhe kujtimit të ndritur të Presidentit Rugova”- përfundon reagimin e tij, lideri historik i demokratëve, Sali Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›