E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama t’i kërkojë falje Kosovës, nderoi serbin Bregoviç

14-09-2013 / Gazeta 55

Deputeti i PD, Gerti Bogdani

Partia Demokratike reagoi për vizitën e Ramës në Prishtinë. Deputeti Gerti Bogdani tha se Rama bëri mirë që zgjodhi Kosovën, por harroi tu kërkonte falje kosovarëve për nderimin që i bëri vite më parë serbit Goran Bregoviç. “Partia Demokratike i kujton kryeministrit të dekretuar Edi Rama, se sot është në vendin e duhur, pavarësisht se shumë vonë, për të kërkuar ndjesë për aktin e tij publik dhe politik, kur ishte kryebashkiak i Tiranës. Përpara se të flasë për projektet me Kosovën dhe traktatin e miqësisë me të, një shpikje e çuditshme e z. Rama kjo, ai duhet të kërkojë falje për nderimin, që i ka bërë Goran Bregoviçit, një muzikant i njohur për vokacionin e tij antishqiptar”, shprehet Bogdani. Deputeti i PD theksoi se vizioni i Kryeministrit Rama ka ndryshuar, por e kaluara jo e largët është aty dhe dëshmon të kundërtën, deri në momentin që vetë Rama të distancohet. “Nga mosnjohja, nga padija, apo nga bindjet e tij të mëparshme, z. Rama ka ngritur në piedestalin e kryeqytetit, kur ishte kryetar bashkie, muzikantin e preferuar të çetnikëve, që u këndonte spastrimeve etnike dhe gjenocidit në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë. Ai thotë se vizioni i tij ka ndryshuar, por e kaluara jo e largët është aty dhe dëshmon të kundërtën, deri në momentin që vetë Rama të distancohet”, përfundon deklarata e deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. Më herët edhe zëdhënësja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe njëherësh deputete e PD, Jorida Tabaku u shpreh dje se vizita e Edi Ramës në Kosovës dështoi sepse shqiptarët atje nuk ia falin atij sulmin mbi rrugën e Kombit apo dekorimin e Bregoviçit. Nga rrjeti social Facebook, Tabaku thotë se respekti nuk imponohet, por fitohet dhe se çështja shqiptare tregohet me shpirt.  “Respekti nuk imponohet, por fitohet! Me të vërtetë mendoi se duke bërë vizitën e parë në Kosovë do të falnin sulmin ndaj Rrugës së Kombit apo Bregoviçin! Përgjigjen e dha salla bosh! Çështja shqiptare tregohet me shpirt, me zemër, me vepra ashtu siç është bërë gjatë këtyre 8 viteve!”- thotë Tabaku. Gjithashtu sekretari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri ka reaguar në Facebook në lidhje me vizitën e kryeministrit Rama në Kosovë. Në faqen e tij në rrjetin social, Strazimiri e krahason kryeministrin Rama me Suden ndërsa ekipin e tij me një kioskë pa leje. “Sot në Kosovë na ka përfaqësuar “Sudja”... Ka zgjedhur ta fillojë pikërisht në Kosovë, i pavotëbesuar nga parlamenti, e kur sëbashku me “ekipin” i ngjajnë një kioske pa leje, në pritje të letrave të legalizimit! Ndoshta prandaj për herë të pare Kosova pret “Kryeministrin e Shqipërisë” me një sallë parlamenti të boshatisur... Një gjë është e qartë që sot: këtë “rekord popullariteti” do e mbajë në jetë të jetëve, se s’ka burrë t’ia thyej...?”, mbyll reagimin e tij Sekretari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›