E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Ramës: Hetojmë 28 qershorin, por jo vendimet e gjykatës



Mazhoranca i jep opozitës mundësinë e hetimit të çdo aspekti të procesit zgjedhor të 28 qershorit bashkë me kryesimin e komisionit parlamentar që ligjërisht nuk i takon, por jo hapjen e kutive të votimit. Kjo, pasi shkel vendimin e gjykatës, duke vendosur mbi të vullnetin politik. Sipas Kryeministrit Sali Berisha, i vetmi kompromis me opozitën është marrja e shumicës në komisionin hetimor parlamentar që mund të hetojë gjithçka, përveç vendimeve gjyqësore. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, duke u ndalur në vlerësimin e raportit të Komisionit Evropian për zgjedhjet, z. Berisha argumentoi antikushtetutshmërinë e kërkesës së opozitës teksa iu referua edhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që i kufizon Parlamentit të drejtën e objektit të hetimit kur bëhet fjalë për ndërhyrje në pushtetin gjyqësor. “Për 4 qarqet që pretendon rinumërim PS, gjykata e Kolegjit Zgjedhor ka vendosur për mosrinumërimin e tyre. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e vitit 2003 e përcakton qartë se komisioni hetimor nuk mund të hetojë për çështje që kanë qenë apo janë në hetim gjyqësor apo janë gjykuar”, - u shpreh z. Berisha. Ai ftoi z. Rama që ta lexojë me objektivitet raportin e Brukselit dhe të bëhet bashkautor i reformave integruese, duke hequr dorë nga qëndrimi bllokues i tyre. “Zotëria e tij kërkon që të hetojë ndikimin e administratës në zgjedhje, le ta hetojë, përfshirjen e të burgosurve në zgjedhje, le ta hetojë, mund të hetohet gjithçka, por jo vendimet e gjykatave”, - theksoi Berisha. Ndaj, Kryeministri Berisha e quajti absurde dhe ogurzezë kërkesën e PS-së për hapjen e kutive, duke u shprehur se është një pretendim për të vendosur vullnetin politik mbi vendimin e gjykatave. Duke vijuar argumentimin e tij, Berisha vuri në dukje se në bazë të Kushtetutës nuk mund të krijohet komision hetimor për një çështje që ka qenë apo është pjesë e një gjykimi, gjykim ky që në rastin konkret është bërë nga Gjykata e Apelit e Kolegjit Zgjedhor. "Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2003 që plotëson nenin 77 të Kushtetutës, me fuqi plotësuese për Kushtetutën, përcakton qartë se hetimi parlamentar në mënyrë kategorike nuk mund të shtrihet në çështje të tjera, të cilat kanë qenë apo janë objekt i hetimit gjyqësor dhe i gjykimit. Nuk mund të imagjinohet që kryetari i një partie, që pretendon se kjo parti respekton parimet bazë të demokracisë dhe ndarjes së pushtetit, të kërkojë të thyhen vendimet e gjykatave, Kolegjit Zgjedhor, Gjykatës Kushtetuese, e cila në mënyrë taksative thekson se përpjekjet e komisioneve hetimore për t’u marrë me çështje të gjykuara apo të juridiksionit të gjyqësorit bien ndesh qartësisht me Kushtetutën dhe parimet e saj", - vijoi Kryeministri. Kryeministri e konsideroi Progres-Raportin 2009 si raportin më të mirë të lëshuar për Shqipërinë, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në vlerësimet që raporti i bën demokracisë në vend dhe procesit të fundit zgjedhor. Sipas tij, në vetvete, ky raport është më i miri që është lëshuar ndonjëherë për Shqipërinë. “Kjo, sepse, - tha Berisha, - raporti dëshmon se në Shqipëri demokracia funksionon dhe vlerësimi që i bëhet procesit zgjedhor në vendin tonë është unik, i pari i këtij lloji, në dallim nga të gjitha raportet e tjera dhe përbën një arritje të madhe për çdo qytetar shqiptar dhe vendin në tërësi”. “Çdo gjë është e hetueshme, përveç vendimeve të gjykatave. Kjo ka ndodhur vetëm në vitin e zi ’53 a ’54, kur anëtarët e Byrosë Politike u ulën në tavolinë dhe vendosën ekzekutimin e intelektualëve, për bombën në ambasadën sovjetike, ndërkohë që gjyqin e bënë formalisht dy ditë më vonë. Por nuk mund të ndodhë kurrë në një vend demokratik që politika të mund të thyejë vendimet gjyqësore. Ato vendime sovrani ia ka besuar gjykatës. Ky është parimi i ndarjes së pushteteve “, - deklaroi z.Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›