E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria greke i thotë po nënshtetësisë për fëmijët e emigrantëve



Brezi i fëmijëve të emigrantëve të lindur në Greqi do të marrë nënshtetësinë dhe një fakt të tillë e ka bërë me dije qeveria e sapokrijuar në Greqi, nën drejtimin e Papandreut. Gazeta britanike “The Guardian” shkruan se hapi që do të ndërmerret nga qeveria greke për rishikimin e politikave të emigracionit, kjo e kërkuar edhe nga organizata ndërkombëtare, pritet të ketë një efekt deri në 200 mijë fëmijë emigrantësh që janë lindur në shtetin helen. Në këtë listë janë edhe fëmijët e emigrantëve shqiptarë që kanë lindur në shtetin fqinj. “Ky vend nuk mund të jetë më një ferr për emigrantët”, - tha për gazetën britanike Mihalis Krisokoidis, ministër në kabinetin e ri qeverisës, i ngarkuar me çështjet e nënshtetësisë.

Aktivistë të të drejtave të njeriut kanë thënë se deri tani emigrantët janë cilësuar si të huaj në këtë vend. "Absurd është pak për të përshkruar këta fëmijë", - tha Petros Papakonstantinu, një zëdhënës i shquar antiracist. "Edhe në qoftë se kanë lindur në Greqi, edhe në qoftë se ata marrin pjesë në shkolla greke dhe flasin vetëm greqisht, në letra, ata nuk ekzistojnë fare”, - tha më tej ai.

Gazeta shkruan më tej se pa dokumentacionin zyrtar fëmijët ishin shpesh objekt i abuzimit, arrestimit dhe deportimit në moshën 18 vjeç. “Ka fëmijë, prindërit e të cilëve janë nga Afrika, Azia dhe vendet si Shqipëria, të cilët janë të regjistruar në shkollat anembanë Greqisë, por që nuk kanë dokumente të vlefshme qëndrimi”, - tha më tej Papakonstantinu, i cili shtoi se kjo gjendje në Greqi nuk gjendet në asnjë vend të Evropës.

Sipas reformave që do të ndërmerren, fëmijët e pashoqëruar të mbajtur në qendrat e paraburgimit të mbipopulluara do të lirohen në muajt më tej. Në muajt e fundit ka pasur një seri rebelimesh në kampet e emigrantëve në Lesbos dhe ishujt e tjerë të Egjeut, të udhëhequr shpesh nga të miturit, duke protestuar kundër kushteve të jetesës të dobët. Ndërsa pjesët e tjera të Evropës kanë pasur një rënie në emigracionin e paligjshëm, Greqia ka përjetuar një rritje me 50 për qind dhe ishujt e saj lindorë kanë mbajtur barrën kryesore. Shumica e emigrantëve, që kalojnë nga Turqia janë nga Azia, Afrika dhe vende të tilla si Iraku dhe Afganistani. “Greqia mbetet pika kryesore e hyrjes për emigrantët e paligjshëm në Evropë”, - tha Fernandez Gil Arias, zëvendësdrejtor i “Frontex”, agjenci e kufirit.

Ndërsa Turqia është kritikuar për dështimin për të ndaluar rrjedhjen, Greqia ka qenë gjithashtu e denoncuar për trajtimin “çnjerëzor” nga ana e saj për emigrantët. Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar qeverinë konservative për mijëra raste që kanë kaluar kufirin dhe janë dëbuar përtej kufirit në Turqi.

Pas vdekjes një javë më parë të një emigranti nga Pakistani në paraburgimin e rajonit të policisë në Athinë, socialistët, tashmë në pushtet, kanë një plan për të integruar emigrantët në vendet e policisë, njëkohësisht duke i trajtuar ata me psikologë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›