Shembja e pallatit, kërkohen 33.8 vjet burg për përgjegjësit
Afro një vit nga tragjedia e ndodhur në Gjirokastër, ku si pasojë e shembjes së një pallati vdiqën tre persona, organi i akuzës deklaron fajtorë dhe kërkon dënimin e të etiketuarve përgjegjës për këtë ngjarje. Procesi gjyqësor është drejt fundit dhe pas pretencës së prokurorit priten vetëm konkluzionet e mbrojtjes dhe verdikti përfundimtar i gjykatës. Në seancën e djeshme gjyqësore që u zhvillua në Gjykatën e Rrethit të Gjirokastrës, prokuroria e rrethit tha pretencën për të pandehurit. Sipas burimeve nga kjo gjykatë, masa më e lartë e dënimit është kërkuar për administratorin e firmës “Arti” sh.p.k., e cila po kryente punimet poshtë kodrës ku ndodhej pallati. Prokurori i çështjes kërkoi 21 vjet burg për administratorin e “Arti” sh.p.k., Sotiraq Janora, mbi të cilin rëndon akuza e “vrasjes dhe e shkatërrimit të pronës”. Janora është i vetmi i pandehur që gjykohet në gjendje “arresti me burg”. Ndërsa, për të pandehurën Afërdita Papamihali, sekretare e Bashkisë së Gjirokastrës, prokuroria kërkoi shpalljen fajtore për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe dënimin e saj me 3.6 vjet burg. Edhe për të pandehurit Admir Shehaj e Alfred Mamani, përfaqësuesi i akuzës kërkoi dënimin e tyre me nga 3.6 vjet burg, ndërsa i kërkoi gjykatës 3 vjet për inxhinierin e firmës, Gjergji Meçe. Akuza kërkoi, gjithashtu, edhe dënimin me nga 1 vit burg për Leonard Mustafarajn dhe Petrit Maksutin, të dy punonjës të Policisë Bashkiake. Gjykata shtyu seancën për më 2 nëntor, ku do të dëgjohet dhe fjala e fundit e palës mbrojtëse dhe më pas trupi gjykues do të tërhiqet për të marrë një vendim përfundimtar mbi të pandehurit e tragjedisë së 9 nëntorit. Ngjarja ndodhi më 9 nëntor 2008 në lagjen “11 Janari” të qytetit Gjirokastër. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rezultoi e provuar se prej të pandehurit Sotiraq Janora janë konsumuar elementet e figurës së veprave penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, si dhe “shkatërrimit të pronës me dashje”. Prokuroria deklaroi në përfundim të hetimeve se gjatë kryerjes së veprimeve hetimore, por kryesisht mbi konkluzionet e nxjerra nga akti i ekspertimit teknik, është konkluduar në pushimin e hetimeve ndaj Luan Bufi ing. konstruktor, Njazi Çobani arkitekt, Thanas Llahana ing. gjeolog, Aristotel Haxhi, aksioner i firmës sipërmarrëse “Arti” sh.p.k., pushime të bazuara në nenin 328/1 germa “dh” Kodit të Procedurës Penale, pasi “vërtetohet se këta të pandehur, nuk e kanë kryer veprën”.
Të pandehurit dhe masat e dënimit
Sotiraq Janora, 21 vjet burg
Afërdita Papamihali, 3.6 vjet burg
Admir Shehaj, 3.6 vjet burg
Alfred Mamani, 3.6 vjet burg
Leonard Mustafaraj, 1 vit burg
Petrit Maksuti, 1 vit burg