Berisha-Ramës: Infermierët të kanë falur si pacient. Ata janë aksionerë në rritjen e jetëgjatësisë
Kryeministri inauguron rikonstruksionin e korpusit të spitalit në Pogradec
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm paraditen e djeshme në inaugurimin e rikonstruksionit të korpusit të spitalit në Pogradec. Duke uruar ekipin e këtij spitali për punën dhe kontributin e tyre, kreu i qeverisë garantoi investimet të mëtejshme në këtë sektor dhe në vetë këtë spital. Por nuk harroi të shigjetojë dhe kundërshtarin e tij politik. “Natyrisht kemi rrugë për të bërë, do përmirësojmë menaxhimin. Por ata që mohojnë arritjet, mohojnë kontributin tuaj të jashtëzakonshëm, sakrificat tuaj në shërbim të qytetarëve, ata bëjnë gabim. Ata që shprehen se nuk shkon dot në spital i pashoqëruar nga gruaja, ta kanë fal se dinë të falin pacientët më mirë së të tjerët”, vuri në dukje Berisha. Por i ndodhur në këto ambiente, Kryeministri nuk mund të mos bënte vlerësimet dhe për këtë profesion, të njohur mirë prej tij. “Ju jeni aty ku është dhimbja e kombit, ku është shpresa e tij. Misioni juaj është i pakrahasueshëm. Në disa aspekte keni dhënë kontributin thelbësor për ta vendosur Shqipërinë ndër vendet më të zhvilluara. Ka shqiptarofobë që sapo dëgjojnë një sukses të Shqipërisë hidhen, por në këtë botë të lirë vetëm krahasimi funksionon. Ne mjekët, jemi aksionerë të rëndësishëm në rritje të jetëgjatësisë së shqiptarëve. Kanë jetëgjatësi në lindje më të mëdha se 9 vende të BE. Nga 2.4 milionë vizita që kishte në 2006, janë 6 mln vitin e kaluar dhe kjo është dëshmi e rritjes së interesit të qytetarëve të jetës së tyre. Jemi të vendosur të ecim në reformën në sistemin shëndetësor. Por kemi mobilizuar fonde të mëdha”, u shpreh Berisha.
Ndalur në këtë çështje, kreu i qeverisë rikujtoi se lista e barnave të rimbursuesshme është ndër më të plotat që ekziston në ndonjë vend. “Pensionistët kanë të rimbursuara 100 % ilaçet, të sëmurët me sëmundje të rënda, fondi i rimbursimit nga 3.4 mld është sot 8.4 mld. Nga 45 të sëmurë që përfitonin nga hemodializa në 2005 e të tjerët ishin të dënuar me dënim kapital. Sot askush nuk humbet jetën për mungesë të saj. Janë 600 të sëmurë e po rritet numri që po marrin shërbimin e dializës. Kemi bërë gjithçka për të përballuar kërkesat e nevojat e qytetarëve. Janë ndërtuar e rindërtuar mbi 400 qendra shëndetësore e spitale. Kemi rrit rrogat e mjekëve e infermierëve. Do vazhdojmë të rrisim rrogat e pensionet, kjo është politika jonë. Do vazhdojmë të përmirësojmë shërbimin. Janë investuar 160 mln euro nga sektori privat në shërbimin shëndetësor”, nënvizoi kryeministri, në fjalën e tij.
Bode: Më shumë rrugë dhe standarde më të mira jetese në mandatin e ardhshëm
Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dje nga Pogradeci se Partia Demokratike do të investojë për më shumë rrugë dhe standarde më të mira jetese në mandatin e ardhshëm. Duke folur në mitingun elektoral, ku u prezantuan kandidatët për deputetë të PD në Pogradec, Bode tha "ndryshimet e mëdha që kemi mundësuar janë një garanci më shumë për zbatimin e këtij programi që ne kemi hartuar së bashku dhe kjo do të jetë kontrata jonë e re e bashkëqeverisjes pas 23 qershorit, kur ju do të firmosni me votën”. “Pogradecarët duan të ecin përpara në këtë kurs zhvillimi dhe të pandërprerë dhe pas 20 ditësh ne do të votojmë për këtë. Ne jemi alternativa e qytetarit, e punësimit, e rrugëve, shkollave dhe spitaleve të reja, e rritjes së rrogave, udhëtimit pa viza në Evropë, e zhvillimit të ekonomisë dhe biznesit”, theksoi Bode, i cili kryeson listën e kandidatëve për deputetë të PD në Qarkun e Korçës. Ndërkohë, Bode akuzoi dhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, për bllokim të rrugës së integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. “Përballë nesh kemi pinjollin bllokmen që ka bllokimin për alternativë politike dhe rritjen progresive të taksave si platformë qeverisjeje. Edi Rama bllokoi për një vit statusin për integrimin e vendit në Evropë dhe kjo ishte strategjia e tij elektorale”, u shpreh ai. “Në 23 qershor do të votojmë për më shumë punë, mirëqenie, zhvillim, për integrimin e Shqipërisë”, përfundoi Bode.