E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Kavajë, “rilindja” e Rama ia bëri me sy vdekjes së demokracisë

03-06-2013 / Nga Eden Babani

Përgjigje publike një mesazhi miqësor

Si shumë e shumë bashkatdhetarë të tjerë, edhe unë pata fatin të merrja këto ditë një mesazh miqësor nga Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha. Pasi vinte në dukje shkurt çka është arritur në këta 8 vjet të mandatit të tij qeverisës, lideri demokrat kërkonte njëherazi edhe sugjerimet për qeverisjen e ardhshme. Përgjigjja ime ishte, gjithashtu, e shkurtër: “Zoti Kryeministër, mesazhi juaj më bën të ndihem i nderuar. Uroj që mesazhe të njëjta të kenë marrë sa më shumë bashkatdhetarë, brenda e jashtë vendit, që secili ta thotë fjalën  e vet për të mirën e Shqipërisë, ashtu siç e mendon. Duke ju falënderuar, duke ju përshëndetur për këtë nismë me hapësira të pamatshme demokratike dhe duke ju uruar nga zemra fitore, ndonjë mendim modest do ta jap publikisht përmes faqeve të gazetës 55, ashtu siç kam bërë prej 15 vjetësh, qysh se jetoj jashtë vendit. Besnikërisht juaji, EB”.
Pra, në pamundësi që të shprehesha më gjatë me anë të mesazhit telefonik, zgjodha një rrugën më komode për të dhënë ndonjë sugjerim.
Sikurse e kam thënë në SMS-në time, rruga që ka zgjedhur kreu i PD-së për të bashkëbiseduar me elektoratin, ngërthen hapësira të pamatshme demokratike. Në këtë kuptim, do të ishte e pafalshme për çdo shqiptar që ka marrë mesazhin në fjalë, të qëndronte indiferent dhe të mos e shprehte sado shkurt dhe sado me modesti atë çka ka menduar. Kam bindjen se një përgjigje çfarëdo, mbështetjeje ose jo, do të ishte në të mirë të vendit, në të mirë të uljes së tensioneve me batuta të dhunshme që shpesh ndjellin konflikte të panevojshme mes kundërshtarësh politikë. Një njeri me vizion të qartë demokratik - qoftë ai që të drejtohet, qoftë ai që pret përgjigje - s’ka pse të endet mes hamendjesh e paragjykimesh. Nga ana tjetër, do të ishte sa absurde, aq edhe jo produktive të mendohej që zoti Berisha dhe stafi i tij të kenë përzgjedhur një për një numrat telefonikë të militantëve ose të elektoratit tradicional të PD-së. Nisur nga ky arsyetim, a nuk është kjo mënyrë bisedimi me elektoratin një vlerë demokratike për politikën shqiptare? Unë them se e tejkalon ku e ku vlerën e bisedave të zotit Rama me një grusht njerëzish ulur në karrige, përzgjedhur ndoshta me kujdes që të mos i hapin telashe “konferencierit” me mikrofon në dorë, i cili ka dhënë prova se mërzitet edhe prej mizave e u bën shenjë të rrinë urtë ose të largohen. Kjo mënyrë të komunikuari me elektoratin, më kujton ato bisedat e Enver Hoxhës “gju më gju me popullin”. Qoftë larg, të na shpifen sërish ai dhe koha e tij!
Vendi ynë sot gjendet në një udhëkryq të madh, ku kryesoret janë dy: njëra drejt Botës Demokratike të Perëndimit, ku kemi hyrë tashmë. Tjetra pa krye, që më së paku do të na rikthente atje ku e nisëm dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar, kur dolëm nga izolimi afro pesëdhjetëvjeçar komunist. Programi i ashtuquajtur “Rilindje” s’është veçse një mashtrim me një emërtim keqdashës, një abuzim me ndjenjat e shqiptarëve për epokën e ndritur të Rilindjes Kombëtare. Shqipëria dhe shqiptarët kanë rilindur njëherë e mirë në fund të shekullit XIX e në fillim të shekullit XX, kur, pas pesë shekujsh robërie, shpallën botërisht se janë pjesë e Perëndimit, jo e Lindjes, madje jo vetëm gjeografikisht, por, sidomos, shpirtërisht e mendërisht, me vizione Perëndimore. Të guxosh sot t’i quash Shqipërinë e shqiptarët “të vdekur” që duan të rilindin, i tejkalon përmasat e një mendjeje normale. Pretendime kësisoj, përtej absurdit, u përkasin mendjeve që ushqehen me halucinacione, të cilat shqiptarët, tashmë, e dinë fare mirë në ç’ koka gjallojnë. Pretendime të tilla do të fyenin jo vetëm shqiptarët që jetojnë brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, por edhe ata të Republikës së Kosovës, edhe ata të trevave të tjera etnike, edhe diasporën shqiptare në botë. As Enver Hoxha nuk guxoi ta quante “Rilindje” kthesën që i detyroi dhunshëm vendit në mesin e shekullit të shkuar, ndërsa projektoi e zbatoi programin e vet antishqiptar me përmbysjet e mëdha social-ekonomike-e-politike të cilat e varfëruan Shqipërinë deri në tejskaj dhe e shndërruan në një domen të vetin, me prirje drejt Lindjes ruse e, më pas, drejt asaj kineze. Nga ky këndvështrim, unë e miratoj plotësisht fushatën elektorale të zotit Berisha, i cili po demaskon hap pas hapi mashtrimet e liderit socialist se Shqipëria do të rilindë me ardhjen në pushtet të së majtës. Tashmë, kur për më shumë se dy dhjetëvjeçarë kemi përjetuar rilindjen e mendësive demokratike, çka nuk e penguan dot vargonjtë e diktaturës hoxhiste, është absurde t’u kërkosh shqiptarëve votën me pretendimin e çfarëdolloj rilindjeje. Falë reformave të lavdërueshme të ndërmarra në dy mandatet e qeverisjes së zotit Berisha, Shqipërisë e shqiptarëve nuk u mbetet tjetër veç të votojnë një mandat të tretë për forcat demokratike të së djathtës, që, gjithë së bashku, të djathtë e të majtë, të vazhdojmë të sigurt rrugën drejt familjes së madhe europiane.
Megjithatë, në këtë kontekst, unë do të shtroja një pyetje: Mos vallë, gjatë këtyre vjetëve, duheshin ndërmarrë veprime më radikale për të dënuar krimet e regjimit komunist dhe të vetë diktatorit Enver Hoxha, pas vdekjes? Partia Socialiste, e cila trashëgoi anëtarësinë dhe mendësitë e Partisë së Punës, nuk pati guximin, as vullnetin t’u kërkonte shqiptarëve të falur për të kaluarën. Sot e gjithën ditën, ajo nuk ka ndërmend të ndërmarrë një hap të tillë, çka do të ishte një sinjal pajtimi për mbarë kombin tonë. Fushata e sotme elektorale, sipas meje, ka qenë shansi më i mirë për sa mësipër, tashmë, një shans i humbur. Përkundrazi, gjatë kësaj fushate ajo ka marrë nën sqetull parti që mburren haptazi për të kaluarën kriminale të regjimit komunist dhe të diktatorit Hoxha, parti që, ndonëse anekënd Shqipërisë ka ende shumë simbole të komunizmit, kërkojnë të rivendosen të tjera, deri te përmendorja e diktatorit në mes të Tiranës. Nuk ka fyerje më të madhe për mbarë Kombin tonë. Kakofonia e kërkesave të tyre, të cilat kanë në prapaskenë Edi Ramën dhe mbështetësit e tij, bij të etërve bllokmenë, rreh të zhbëjë ëndrrën europiane të më se nëntëdhjetë për qind të shqiptarëve. Kërkesat e tyre absurde bien ndesh edhe me vullnetin e komunitetit ndërkombëtar për një Shqipëri të zhvilluar, anëtare të denjë të Bashkësisë Europiane. Në sintoni të plotë me sa e sa simbole të komunizmit që po mbijetojnë anekënd Shqipërisë, ato bien ndesh edhe me veprat infrastrukturore të nivelit europian, të cilat janë ndërtuar këto vite të qeverive të kryesuara nga Berisha e do të ndërtohen në të ardhmen, nëse ne, shqiptarët, do të dimë ta vlerësojmë të drejtën e votës së lirë. Personalisht e konsideroj të papranueshme bashkëjetesën e një pale simbolesh, atyre që i përkasin rendit komunist, me palën tjetër, që premton liri e demokraci. Atëherë, si do të arrihet çrrënjosja e komunizmit nga ky vend, përveçse me reforma më radikale në këtë fushë?
Për fatin e tij të keq dhe të servilëve që i shkojnë pas që t’i krehin bishtin me ndonjë buzëqeshje të pështirë, ditët e fundit lideri socialist po u kundërvihet gjithnjë e më tepër interesave të shqiptarëve për liri e demokraci, dëshirave të tyre për të harruar të shkuarën e për t’iu drejtuar së ardhmes. Duke bërë thirrje për heqjen e monumentit të demokracisë në qendër të Kavajës, Rama harroi se e ashtuquajtura “Rilindje”, ia bëri me sy vdekjes, vdekjes së demokracisë, vdekjes së lirisë, të Shqipërisë e të shqiptarëve. Urrejtja e tij patologjike për demokracinë, ia errësoi aq tepër sytë sa guxoi të shpaloste pa doreza urrejtjen bash në qytetin nga nisi uragani i papërmbajtur që do të përcaktonte fundin fatal të diktaturës, në qytetin e paqes sociale, ndëretnike e ndërfetare, në atë qytet ku policia e shtetit të krimi nuk guxoi të vishte uniformat ditën e funeralit të  dëshmorit të demokracisë, Josif Buda. Ishte fat për Kavajën e për gjithë Shqipërinë, që uragani i ri Berisha, kaloi në qytetin e dy gishtave të demokracisë, bash dy ditë pas marrëzive të Ramës ose të ndonjë tjetri mbështetës të tij, i cili, me dritëshkurtësi, parashikoi se Kryeministrin “do ta zinin me gurë”, po të kalonte andejpari.
A nuk është fakti i mësipërm një sinjal tepër i qartë e po aq domethënës që shteti demokratik të mos hezitojë një gjyq formal për dënimin e Enver Hoxhës, pas vdekjes? Enver Hoxha ka qenë e mbetet strumbullari i së keqes, shkulja e të cilit do t’i hapte rrugë paqes, duke larguar urrejtjen, që na përçau e na armiqësoi me njëri-tjetrin disa dhjetëvjeçarë. Shembujt në botë nuk mungojnë. Le t’i kthehemi njëherë, një herë të vetme, përvojës gjermane. Ne do të ndihemi të mbrojtur nga rreziku i rikthimit të komunizmit, kurse simbolet e demokracisë, do të jenë të mbrojtura me ligj prej ndoca të papërgjegjshmëve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›