E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, Ramës: Ti, drejtuesi më i rrezikshëm i mafies në Evropë



Me tone po aq të ashpra sa ditët e mëparshme, Kryeministri Sali Berisha sulmoi dje kryesocialistin Edi Rama për lidhjet e tij me krimin dhe siguroi shqiptarët se qeveria që ai drejton do të angazhohet në një proces transparence të të gjitha lidhjeve të paligjshme. Sipas Berishës, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është drejtuesi i mafies më të rrezikshme në Evropë, duke filluar me mafien e tokës e deri tek lidhjet me kriminelët më të rrezikshëm. Bojkotin e Kuvendit nga opozita dhe vazhdimin e linjës për mosnjohje të rezultatit të zgjedhjeve Berisha e cilësoi pasojë të aleancës punisto-mafioze. Kreu i qeverisë denoncoi përpjekjet e kreut të opozitës për pengimin e liberalizimit të vizave të shqiptarëve. Duke shpërfillur ultimatumin e PS-së për hapjen e kutive të votimit dhe thirrjet për përshkallëzim të protestave, Berisha theksoi: “Asgjë e askush nuk do të mund të pengojë rrugën integruese të vendit. Ama dhe misionarët e tij të tërbuar nuk do të mund të pengojnë liberalizimin e vizave”, - deklaroi z. Berisha. Më tej, Kryeministri Sali Berisha shprehu vendosmërinë për të mos u dorëzuar para bashkëpunimit punisto-mafioz, sikurse e konsideroi ai Edi Ramën. Kreu i qeverisë, Berisha, deklaroi se Rama dhe Ruçi nuk kanë lidhje me votën e lirë, ndaj dhe ata nuk mund ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të lira. “Ne kemi deklaruar se një aleancë puniste-mafioze, e konsoliduar dhe e kryesuar nga zoti Rama, nuk do të mund të imponojë asgjë. Kjo qeveri është e vendosur të përballet me forcën e ligjit”, - u shpreh Berisha. Kryeministri vijoi fjalën e tij duke theksuar: “Në traditën e etërve të tyre, dy-tre pinjollë të bllokut nuk munden kurrë të pranojnë votën e lirë. Këta dhe vota janë dy gjëra të papajtueshme”.

Ai vuri në dukje: “Procesin e certifikuar nga të gjithë punistët nuk duan ta njohin. Nuk mund ta njohin, sepse Tiranën e kanë pasur pre të kthetrave të tyre, por ka nisur procesi i transparencës”. Berisha përsëriti sërish se do të shkulë dhëmballët e aleancës punisto-mafioze dhe do të dërgojë në burg 'Aldo Baret' e mafies së tokave.

"Mafia e tokës është më e rrezikshmja në Shqipëri dhe do të përfundojnë në burg edhe “Aldo Baret” e tokave”, - theksoi Berisha. Kurse deputetin Gramoz Ruçi e cilësoi si kryemafiozin që tërhoqi PS-në nga zgjedhjet e vitit 1996. Nga Elbasani ku ndodhej dje në takime zyrtare me rastin e 100-vjetorit të Normales së këtij qyteti, Berisha iu përgjigj interesit të gazetarëve dhe për protestën e paralajmëruar të drejtuesve vendorë socialistë në 5 dhjetor. Kryeministri vuri në dukje se drejtuesit lokalë duhet të vënë mbi të gjitha interesat e qytetarëve. Për këtë, Berisha kujtoi rritjen e madhe që kanë pësuar grantet akorduar bashkive pavarësisht përfaqësimit të tyre politik. Berisha iu referua për këtë Bashkisë së Beratit, Vlorës, Fierit si dhe Tiranës. Berisha komentoi dhe vendimin e një dite më parë të Brukselit zyrtar për liberalizimin e vizave për tri vende të Ballkanit Perëndimor në mesin e muajit dhjetor. “Qeveria, - tha Kryeministri, - po ecën me shpejtësi drejt përmbushjes së kritereve”. Edhe këtu Berisha akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, se po u dërgon ndërkombëtarëve informacion të rremë për kriteret e përmbushura nga qeveria për liberalizim. Por, sipas tij, do të rezultojë një tentativë e dështuar e asaj që ai e quan aleanca puniste-mafioze. "Përpjekjet e opozitës, misionarët e saj të dërguar në Bruksel nga Edvin Rama, siç ka dërguar të bijën e Sul Bushatit, për të lobuar kundër liberalizimit të vizave, ju garantoj se do të shumëzohen me zero. Dhe jo se Brukseli nuk vlerëson dhe konsideron opozitën, por kur opozita u bie bilbilave; kur opozita mbush faqe e defterë të tërë me trillime për vendin e vet, vetëm e vetëm që të mos liberalizohen vizat. Trillimeve dhe shpifjeve askush nuk mund t’i besojë dhe vlerësojë", - u shpreh Kryeministri Sali Berisha. Konferencën për shtyp, Kryeministri Berisha e shfrytëzoi edhe për të përshëndetur hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës. “Ky moment, - pohoi Berisha, - shënon një erë të re, sidomos për vendet aspirante për integrim evropian”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›