E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athinë ; PS nxjerr një grup emigrantësh në protestë, Meta: Po prishin imazhin e vendit



Një grup emigrantësh shqiptarë që banojnë në Greqi kanë mbërritur dje në Athinë, në mënyrë të organizuar nga dega e Partisë Socialiste në shtetin fqinj, për të bërë një protestë përpara godinës ku organizohej takimi i ministrave të Jashtëm të OSBE-së. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, ky grupim nuk shkonte më shumë se 40-50 vetë, ndërkohë që leja e dhënë nga policia e Athinës për tubimin ishte në të vërtetë qindra-metra larg nga godina ku zhvillohej takimi. Kjo largësi ruhej nga policia për shkak të sigurisë që duhej të mbizotëronte godinën në fjalë dhe autoritetet e larta që merrnin pjesë në të. Nga Shqipëria ishte i ftuar pikërisht një nga eksponentët e së majtës, që aktualisht është në koalicion qeveritar me të djathtën, ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Duke folur nga Athina, Meta e ka cilësuar tubimin e socialistëve si negativ për imazhin e vendit tonë para syve të anëtarëve të tjerë të OSBE-së. Normalisht në një moment kur Shqipëria ka hyrë në NATO, pret të marrë statusin kandidat për në BE dhe pretendon të marrë dhe kryesimin e OSBE-së, protestat për vjedhje votash bien në një antagonizëm të madh. Protesta e djeshme e organizuar nga miq të Edi Ramës në shtetin fqinj, disa prej të cilëve njihej si biznesmenë dhe kanë dhe njerëzit e tyre të afërm deputetë të PS-së, ka nisur në orën 17:30 të pasdites në zonën “Elliniko”, 10 km nga qendra e Athinës. Sipas burimeve nga kjo protestë, drejtuesit organizatorë të saj ishin të pakënaqur me zonën që u kishte caktuar policia, pasi ishte disa qindra metra larg selisë ku qëndronin ministrat e OSBE-së.

Ndërkohë që ky grup emigrantësh protestonte, kryediplomati shqiptar, Meta, i shprehte shqetësimin e qeverisë shqiptare Kryeministrit grek, Papandreu, për gjendjen e emigrantëve tanë atje dhe kërkonte më shumë të drejta për ta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›