E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ramës i ka mbetur ora te etërit e tij, ka në koalicion partinë e djalit të Enver Hoxhës

03-06-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha prezanton në Cërrik ekipin fitues të Partisë Demokratike

Pas Pogradecit, turi elektoral i kryeministrit Sali Berisha u ndal në Cërrik, aty ku përmes një tubimi madhështor, u bë prezantimi i kandidatëve të PD, për deputetë në Qarkun e Elbasanit. “Fushata e fitores”, siç e cilësoi kreu i PD, vjen para shqiptarëve me premtimet e realizuara. Por, për kryeministrin Berisha PD nuk e kërkon votën për ato që ka bërë, por për ato që do të bëjë 4 vitet e mandatit të ardhshëm. “Me politikën e Partisë Demokratike Shqipëria morri investime 316% më shumë se 4 vitet e tjera. 4 vitet që shkuan ne morrëm 4.2 miliard dollarë investime të huaja dhe garantuam vazhdimin e rritjes ekonomike dhe uljen e papunësisë. Ne do të krijojmë 250 mijë vend pune, sepse ne me heqjen e taksave mbi makineritë dhe kapitalet për të gjitha llojet e bizneseve, makinerive dhe imputeve të bujqësisë, hekurin dhe çimenton për hidrocentralet, tatimit mbi të ardhurat personale për punonjësit me rrogë nën 30 mijë lek, taksave për bizneset e emigrantëve, 4 vitet që vijnë Shqipëria do të marrë 6 miliard dollarë investime të huaja”, u shpreh Berisha. Ai vuri në dukje se në qarkun e Elbasanit qeveria ka firmosur me sektorin privat kontrata për ndërtimin e mbi 80 hidrocentraleve, mbi të gjitha gjigandi i Devollit që punëson rreth 5 mijë punëtorë. Perspektiva më e madhe për zhvillim dhe begati është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shqiptarët duhet të mendohen se me cilën forcë politike kanë firmosur marrëveshjen e stabilizim asocimit me Europën, antarësimin në NATO, lëvizjen e lirë në mbarë Europën, rekomandimin për statusin kandidat? Të gjitha këto vetëm me Partinë Demokratike. Rruga e integrimit është e sigurtë vetëm me Partinë demokratike”, tha kryeministri. Kryeministri nga Cërriku ka ftuar kryesocialistin Rama të sqarojë arsyet e tentativës për të bllokuar marrëveshjen e asocim-stabilizimit, të liberalizimit të vizave dhe bllokimin e statusit, si dhe përpjekjen për të bllokuar buxhetin për autostradën Tiranë-Elbasan. “Cilit shqiptar i interesonte futja e zileve, trumpetave dhe bilbilave në parlament kur Europa na ofronte marrëveshjen e MSA-së? Asnjë shqiptari përveç teje shoku i autobusit për arsye që i di ti. Cilit shqiptar i interesonte protesta ditën e nesërme ne NATO dhe deklarata juaj para një jave se NATO-ja është natë, e NATO-ja s’është bukë, se NATO-ja s’është ujë, njëlloj siç mund të deklarojë i biri i Enver Hoxhës, Ilir Hoxha, që është në koalicion me ty. Asnjë shqiptari përveç atyre që kanë trashëgimin urrejtjen ndaj NATO-s, ndaj botës perëndimore. Cilit shqiptar i interesonte përpjekja jote për të bllokuar vizat me greva dhe protesta, me emaile dhe letra se do të derdhen 800 mijë shqiptar mbi ju? Asnjë shqiptari përveç teje për qëllime që i di ti dhe duhet tua shpjegosh zgjedhësve shqiptar. Cilit shqiptar, socialist, demokrat, i paparti, i interesonte të mos votosh tre ligjet dhe të mbash peng statusin e vendit kandidat, të privosh qytetarët nga dhjetëra-mijëra vende pune, nga qindra-milion euro investime në rrugë, ujësjellësa? Cilit shqiptari i interesonte ky bllokim? Asnjë shqiptari, të asnjë force politike, përveç teje, shoku i autobusit. Kujt i interesonte përpjekja e turpshme dhe e paimagjinueshme për të bllokuar buxhetin për autostradën Tiranë-Elbasan?” u shpreh Berisha. Sipas tij,  Rama ndjek rrugën e etërve të tij, ndërsa shtoi përsëri se, ai është në koalicion me partinë e djalit të Enver Hoxhës. “Shoku i autobusit paraqet para jush një alternativë qesharake, sulmon me mashtrim taksën e sheshtë, që është taksa e librave të shenjtë, me e ndershme, taksë me të cilën ai që merr më pak paguan më pak, ai që merr më shumë paguan më shumë. Ai gënjen, për taksën e etërve të tij, trillon çdo ditë për ta vendosur atë, taksën me të cilën rrënon ekonominë. Rama beson se sot njerëzit e lirë mund të mashtrohen, indoktrinohen si 40 vjet më parë, ora jonë e lirisë nuk ndalet kurrë, atij i ka mbetur tek etërit e tij”, vijoi Berisha.
“Me ndërtimin e autostradës, Cërriku shndërrohet në lagje të Tiranës”/Programi i Partisë Demokratike, tha kryeministri Berisha, ka në thelb punësimin e qytetarëve. “Ne besojmë se liria ekonomike është themeli i çdo përparimi, mirëqenieje, i çdo zhvillimi”- tha Berisha, duke premtuar çeljen e 250 mijë vende pune të reja, mandatin e ardhshëm. “Garantuam vazhdimin e rritjes ekonomike dhe uljen e papunësisë. Do të krijojmë 250 mijë vende pune”- tha ai. Kryeministri siguroi se, “me përfundimin e autostradës Tiranë – Elbasan, Cërriku shndërrohet pothuajse në një lagje të Tiranës”. “Cërriku do të jetë ngjitur me tregun më të madh të vendit, tregun e kryeqytetit ku ndërtohen një seri parqesh industriale. Gjithashtu autostrada Tiranë - Elbasan hap perspektivën e madhe të parkut industrial të qytetit të Elbasanit”. Duke theksuar se qeveria do të bëjë gjithçka për punësimin dhe rritjen e mirëqenies, Kryeministri u zotua se, “gjatë 4 viteve që vijnë do të 3-fishojmë grantet për fermerët shqiptarë. Dhe do ti 5-fishojmë për fermerët e Cërrikut”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›