E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Rasi-zade, me dy marrëveshje ekonomike

Në vijim të vizitës së tij në Azerbajxhan, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryeministrin e Azerbajxhanit Artur Rasi-zade, takim i cili vijoi më pas, mes dy delegacioneve përkatëse. Pas takimit, të dy Kryeministrat ishin të pranishëm në nënshkrimin e Marrëveshjes për mbrojtjen dhe nxitjen reciproke të investimeve mes dy vendeve, si dhe një Memorandumi Mirëkuptimi midis Ministrive të Ekonomisë të dy vendeve, për bashkëpunimin në fushën e industrisë dhe energjisë.
Të dy Kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira politike, ekonomike e të gjithanshme mes dy vendeve, si dhe shprehën vullnetin e plotë për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok.
Kryeministri i Azerbajxhanit Artur Rasi-zade e falënderoi Kryeministrin Berisha për vizitën. Ai theksoi mundësinë e bashkëpunimit në shumë fusha të rëndësishme si; energjia, nafta, turizmi, bujqësia, etj. Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, nënvizoi Kryeministri azerbajxhanas, intensifikohet më tej edhe përmes nënshkrimit të 2 marrëveshjeve të rëndësishme që u bënë gjatë kësaj vizite.

Të dy kryeministrat vlerësuan edhe rëndësinë e ngritjes së një komisioni të përbashkët ekonomik, për të çuar më tej axhendën e bashkëpunimeve në fusha me interes reciprok, sidomos për mundësitë e nxitjes së bashkëpunimit në fushën ekonomike dhe të investimeve. Kryeministri Berisha, duke e njohur homologun azerbajxhanas me zhvillimet në Shqipëri, nënvizoi se investimet azere janë të mirëpritura në një sërë sektorësh me interes reciprok si; energjetika, turizmi etj dhe se qeveria shqiptare po bën çdo përpjekje për të krijuar një klimë sa më të favorshme dhe lehtësuese për investimet e huaja. Ai theksoi se ekonomitë e vendeve tona, si ekonomi të orientuara drejt tregut, ofrojnë shumë mundësi zhvillimi dhe potenciale të jashtëzakonshme. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi se nënshkrimi i dy marrëveshjeve përbën një hap të domosdoshëm për të institucionalizuar vullnetin e palëve për një bashkëpunim ekonomik në fusha me interesa të përbashkët. Shqipëria, theksoi Kryeministri, ka potenciale të vërteta për t`ua ofruar kompanive të Azerbajxhanit, si dhe çdo qytetari të këtij vendi që dëshiron të vizitojë vendin tonë si turist.Kryeministri Berisha e ftoi Kryeministrin azerbajxhanas Artur Rasi-zade të vizitojë Shqipërinë, ftesë që u prit me kënaqësi prej tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›