E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Duhej reformë e mirëfilltë territoriale, jo thjesht një hartë tjetër

TIRANË, 8 tetor/ATSH-Maela Marini/ Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe dha sot në Kuvend argumentet e tij kundër ndarjes së re territoriale.

Gjatë seancës plenare në Kuvend ku pritet votimi i ndarjes së re territoriale, Braçe shprehu fillimisht mirënjohjen për elektoratin që e ka votuar si deputet në Kuvend, duke nisur nga Poliçani e Ura Vajgurore në Divjakë e Lushnjë.

Braçe theksoi se nuk e ka mohuar kurrë dhe as e ka refuzuar nevojën për një reformë të plotë të pushtetit vendor, me qëllim të qartë mirëqeverisen në këtë nivel.

“Pushteti vendor është natyralisht pranë qytetarit. Ai është pushteti i qytetarit dhe është më pranë tij”, tha Braçe, duke theksuar se reforma në këtë nivel është e domosdoshme.

Ndërkohë Braçe theksoi se ligji që pritet të votohet sot në Kuvend vizaton një hartë të re administrative dhe territoriale.

“Harta e prodhuar shumë herë është e përkohshme, e paqëndrueshme dhe si reformë tërësisht e pamjaftueshme. E kam dëgjuar disa herë nga e hëna veçanërisht sot paradite se harta është produkt i mundësive politike, më troç e shumicës që ato krijojnë. Kështu ka qenë nga 1992, kështu ishte edhe në 2014, dhe këtu jemi edhe sot. Edhe kjo hartë me gjasa do të ndryshojë edhe njëherë”, shtoi ai.

Braçe theksoi se qëndrueshmëria e reformave nuk vjen nga votat, por vjen nga parimet dhe deri ku e ndryshojnë jetën e njerëzve në 15 bashki.

“Ne nuk po ndryshojmë kufijtë administrativë të tyre, po ndryshojmë jetën e njerëzve. Madje ndryshojmë jetën e njerëzve edhe në bashkitë e tjera që ato po i përthithin. Po kaq me lehtësi e marrim ne këtë fakt, ndryshimin e jetës së njerëzve të cilët kanë bërë plane për jetën e tyre”, theksoi Braçe.

Sipas tij, duhet transparencë për të dhënat, për analizat dhe për aktet dhe kjo ka munguar edhe brenda një grupi, siç janë komisionet parlamentare.

Duke folur për kompetencat e bashkive, Braçe shtoi se bashkitë kanë sot 46 kompetenca dhe një pjesë e madhe e tyre janë formale, pasi u transferuan pa buxhet apo me buxhet të pamjaftueshëm.

“Këtu u tha që e kemi pasur në programin politik dhe elektoral një reformë të pushtetit vendor, jo thjesht dhe vetëm ndarje territoriale, sepse aty flitet për decentralizim të kompetencave për decentralizim të financave publike e në fund fare pastaj edhe për shndërrimin e bashkive në agjent të zhvillimit ekonomik”, shtoi Braçe. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›