Protestë para Kuvendit kundër hartës së re territoriale, digjen koshat e mbeturinave

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Në ambientet para Parlamentit mbahet sot një protestë kundër miratimit të projektligjit të propozuar nga Partia Socialiste për reformën administrativo-territoriale.
Protesta është thirrur nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, por edhe nga grupe të tjerë protestuesish, të cilët për ditë me radhë kanë protestuar para Kryeministrisë.
Protestuesit e PD u nisën nga selia dhe u vendosën pranë Xhamisë së Namazgjasë, ndërsa qytetarë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile ndodhen përpara parlamentit. Mes tyre janë edhe banorë të bashkive të tjera që refuzojnë uljen e numrit të bashkive si pasojë e ndarjes së re territoriale.
Për të garantuar rendin dhe mbarëvajtjen e tubimit, policia ka vendosur perimetrin e sigurisë përreth Kuvendit, për të mos lejuar protestuesit që të afrohen pranë parlamentit. Pranë ndodhet edhe një autobot, në gatishmëri për neutralizimin e protestuesve.
Gjatë protestës ka patur edhe tensione. Tek zona e Xhamisë së Namazgjasë, protestuesit kanë bllokuar kryqëzimin te Rruga e Elbasanit që shkon drejt Xhamisë. Kjo ka shkaktuar dhe përplasje me policinë, që kërkoi lirimin e aksit rrugor.
Më tej qytetarët, tentuan të heqin me forcë gardhin metalik të vendosur në bulevardin “Zhan D’Ark”, ndërsa Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Nga ana e tyre, qytetarët u kundërpërgjigjën me vezë dhe tymuese. Protestuesit i kanë vendosur zjarrin edhe koshave të mbeturinave tek zona në afërsi të Kuvendit.
Në zonën ku ndodhi përplasja ishte e pranishme dhe autoambulanca, për t’i dhënë ndihmën e parë protestuesve që janë ndjerë keq gjatë përplasjeve.
Protestës i janë bashkuar edhe deputetët e PD-së, Bardh Spahia, Klevis Balliu dhe Saimir Korreshi.
Të pranishëm janë dhe disa kryebashkiakë të prekur nga reforma administrative territoriale. Kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit Hilë Curri, tha se nga 15 bashkitë që do të shkrihen, preken 300 mijë protestues.
“Një nga ato 15 kryetarët që preket nga reforma klienteliste e grupit që ka bërë hartën territoriale që s’ka lidhje me hartën e ekspertëve të BE. 300 mijë banorë preken nga ajo reformë. Si shpëtoi Konispoli, Delvina? Kjo është një reformë që Arbjan Maznikun do ta ndjekë historia! Harta nuk i përshtatet komunitetit europian, nuk i afron shërbimet, shkatërron bashkitë që kanë histori, identitet, krahinë”, tha ai.
Edhe kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj, nga protesta u bëri thirrje deputetëve të mos e votojnë.
“Qytetarët e këtyre 15 bashkive kanë gati dy muaj që protestojnë në qytetet e tyre. U bëj thirrje sot jo vetëm deputetëve të Gjirokastrës, por të gjithë deputetëve të parlamentit: të mos e votojnë këtë reformë shpopulluese, këtë reformë e cila është në kundërshtim me Kushtetutën. Është një reformë në kundërshtim me Kartën e BE”, tha Malaj.
Ky i fundit pati dhe përplasje me efektivët e policisë pranë Xhamisë së Namazgjasë.
Në protestën e sotme, mori pjesë edhe kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, ndërkohë që në Kuvend u diskutua vota për Reformën Territoriale.
Projektligji i PS-së parashikon reduktimin e bashkive në vend nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 bashkive.
Bashkitë që do të shkrihen janë bashkia e Fushë-Arrëzit, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Përrenjasi.
Protestë kundër reformës Territoriale, Foto; Florian Abazaj 1 nga 33/m.q/e.i/r.e/a.f/