E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Reforma në drejtësi, eksperimenti më i shëmtuar në Europë

TIRANË, 28 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur sot gjatë një tryeze diskutimi për Reformën në Drejtësi, se kjo e fundit është eksperimenti më i shëmtuar i ekstremit të majtë në Europë.

“Reforma në Drejtësi në Shqipëri, u projektua në mënyrë të fshehtë në një dokument të fshehtë të fondacionit Shoqëria e Hapur, në të cilat ne pamë se ky fondacion kishte hartuar një strategji në të cilën përcaktonte ndryshime të thella, reformën e Kushtetutës, reformën e sistemit të drejtësisë dhe reformën elektorale. Unë nuk do ndalem këtu në historikun 10-vjeçar, por është normale dhe ne kemi kërkuar ndihmën e miqve tanë, e fondacionit “Adenauer” që të studiohet ky realitet, që të mos pranohet si tabu, se tabutë janë fenomene tipike për diktaturat dhe autokracitë”, tha Berisha.

Kryedemokrati tha se nëse bëhet një bilanc 10-vjeçar i kësaj reforme, sipas tij çështja e parë është mohimi i të drejtës së shqiptarëve, jo me ligj, por me fakte dhe realitet.

“Shqiptarët, kurrë që nga vitet ‘90 gjersa u zbatua ky proces, nuk kanë pasur një proces ligjor të përsosur, por kanë pasur një proces ligjor të pranueshëm. Ky proces ligjor i pranueshëm, i ka bërë të mundur Shqipërisë, të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, të firmosë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, të firmosë marrëveshjen e liberalizimit të vizave, të marrë rekomandimin e KE për statusin e kandidatit dhe të bëhet anëtare e plotë e NATO-s.

Cilido që lexon raportet e KE, që unë i kam vlerësuar gjithnjë ato, këto raporte, për një vend që të progresojë, kishin dy kërkesa madhore, shteti ligjor funksionues, ekonomia e tregut funksionuese”, pohoi Berisha.

Berisha theksoi se “aspekti më antidemokratik i kësaj reforme është kontrolli policesk i prokurorit mbi gjykatësin”.

“Është është krijuar një stok i madh dosjesh që rritet nga viti në viti, që para 3 vitesh ishte 132 mijë, sot është 150 mijë dosje. Dhe, ata që flenë mbi dosje, ata që flenë mbi të drejtën e qytetarëve për të pasur një proces ligjor të ndershëm, ata nuk bëzajnë më. Ata lëshojnë deklarata në mbrojtje të këtij dështimi madhor me pasoja katastrofale për Shqipërinë, sepse bllokimi apo asgjësimi i çështjeve civile, de facto i kushton vendit miliarda euro humbje. Nga ana tjetër, ky bllokim ka zhdukur sigurinë juridike në këtë vend”, shtoi Berisha.

Kryedemokrati Berisha u shpreh se është kontrolli policesk i prokurorit mbi gjykatësin që i dorëzon dosjen.

“Kjo nuk ka qenë as në diktaturë. Se si mundet në një vend të lirë të pretendohet që të vësh gjykatësin në survejim të prokurorit, që i çon atij dosjet, nuk ka mendje më të mbrapshtë përveçse ekstremi i majtë, i cili kërkon me çdo kusht të kërkojë drejtësinë me mekanizma antikushtetues, mund të vendosë një ligj të tillë”, pohoi ai.

Sipas Berishës, “kjo drejtësi është shndërruar në një armë politike të fuqishme në duart e regjimit kundër opozitës”.

“Është zhdukur në këtë sistem prezumimi i pafajësisë, parimi themelor i prezumimit të pafajësisë. Po të shkoni në popullatën e burgjeve, 62 për qind e të burgosurve në këtë vend janë të paraburgosur, persona nën hetim, persona që absolutisht shumica e tyre nuk duhet të ishin aty ku janë. Por ky është një sistem strikt policesk, të arreston polici dhe të lënë aty, nuk flet më kush me ty. Dhe aty janë bërë 62 për qind e të burgosurve janë të paraburgosur. As diktaturat më të ashpra nuk kanë këtë përqindje”, shtoi Berisha.

1 nga 4

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›