Berisha: Rekomandimet e Venecias, të shkëlqyera. Shqiptarët nuk do përballen me ndërprerje energjie
-Deputetët e PD mbajnë një minutë zi për Vaclav Havel
Kryeministri Sali Berisha e nisi mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike duke folur për ish- presidentin çek, Vaclav Havel. Vaclav Havel ishte frymëzuesi i përpjekjeve për liri e dinjitet, tha Berisha, duke shtuar se ai ishte kryedisidenti.
Në të gjithë veprat e tij ai u përpoq tu dëshmojë qytetarëve çekë dhe të mbarë botës absurditetin e regjimit totalitar. Ndaj dhe vetëm pak muaj pasi doli nga burgu, ai u shndërrua në udhëheqësin shpirtëror të lëvizjes demokratike të Çekosllovakisë. Ai frymëzoi popujt e tjetër në rrugën paqësore të përmbysjes së diktaturave, tha Berisha.
Më pas Berisha u kërkoi deputetëve të tij të mbajnë një minutë heshtje për Havel, duke thënë se Shqiptarët kishin tek Havel një mik të shquar. Kam pasur rastin ta takoj disa herë në takimet e mia ndërkombëtare. Interesi i tij për Shqipërinë ishte shumë i madh. Për të nderuar kujtimin e tij ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.
Kryeministri ka folur pastaj për rekomandimet e Komisionit të Venecias, të cilat i ka quajtur të shkëlqyera.
Takimi me Komisionin i Venecias ishte shumë i rëndësishëm. Dua të shpreh edhe njëherë falënderimet e mia të përzemërta për këto institucione, që janë sot institucionet me ekspertizën më të madhe në botë për zgjedhjet. Rekomandimet e tyre janë të shkëlqyera dhe të dobishme. Garantoj se do të punohet me seriozitetin më të madh për konkretizimin e tyre në ligje. Në këtë delegacion kishte dhe anëtare të opozitës. Është pozitive që opozita ndjehet e kënaqur. Ajo ka pranuar plotësisht rekomandimet e drejta dhe të bazuara. Uroj dhe dëshiroj që komisioni i reformës parlamentare, në frymën e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, duke pasur një dokument të shkëlqyer e serioz përpara, të vazhdojë punën me intensitet në realizimin e kësaj reforme të rëndësishme për vendin, tha Berisha.
Kryeministri tha se do shtyhet edhe për dy muaj periudha e faljes për regjistrimin e banesave. Dua tu informoj se qeveria do sjellë brenda ditëve një akt normativ me të cilin ne do të shtyjmë edhe dy muaj të tjerë periudhën e faljes për regjistrimin e banesave dhe të ndonjë pasurie tjetër, për arsye se ky proces ka ecur në mënyrë të shkëlqyer. Por siç e kemi ne, që shumë presin fundin, këto ditë ka një dyndje të jashtëzakonshme në të gjitha zyrat e regjistrimit të pasurive dhe është faktikisht krejt i pamundur përballimi i këtij fluksi. Ndaj vendosëm që tua sjellim aktin normativ për të shtyrë deri në shkurt këtë proces. Deri sot vetëm banesa janë regjistruar në një shumë prej 700 milion dollarë, tha Berisha.
Kryeministri ka premtuar se në vend nuk do ketë ndërprerje të energjisë, pavarësisht thatësirës dhe çmimeve të larta në tregun e huaj për shkak të krizës rajonale. Kjo thatësirë na ka imponuar të importojmë energji si kurrë më parë në historinë e këtij vendi. Këto janë punët e Zotit. Ajo që kemi ne në dorë është që të bëjmë që qytetarët të mos bien në errësirë. Ndaj dekretuam garancinë e kredisë për KESH. Vendi nuk do shkojë në ndërprerje energjie. E kemi lënë mbrapa atë periudhë, tha Berisha.
Në fund Berisha u ka premtuar deputetëve të tij se do e ulë borxhin e vendit. Ai tha se Bashkia e Tiranës nuk do lejojë rritjen e çmimeve për festa.