E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thatësira në HEC-e, Berisha: Do importojmë energji

Thatësira në hidrocentrale ka bërë që qeveria shqiptare të importojë energji deri më 17 milionë kilovator. Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit, kryeministri Berisha theksoi se do të vendoset në punë Teci i Vlorës edhe pse kostoja e prodhimit të energjisë do të jetë e madhe
 

“Ne i përmbahemi parimit se çmimi më i lartë i energjisë është mungesa e saj dhe nuk do të ndërpriet energjia për asnjë orë për shkak të çmimit” ka theksuar Berisha ndërsa ka shtuar se qeveria shqiptare i del garant Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare për të marrë kredi prej 50 milionë euro për përballimin e situatës elektroenergjitike në vend.

“Qeveria është detyruar javën që shkoi të miratojë një akt normative për ti dhënë garanci sovrane KESH për një kredi 50 milionë dollarë. Nuk mund të parashikojmë sesi do të jetë, pasi kjo thatësirë, nuk ishte parashikuar, nëntori ishte parashikuar me reshje por nuk ka pasur. Këto janë punët e Zotit. Ne kemi në dorë që qytetarët të mos bien në errësirë" deklaroi në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së kryeministri Berisha.

“Garantoj se buxhetit do i bëhet çdo modifikim dhe vendi në ndërprerje energjie nuk do të shkojë. Ne e kemi lënë prapra atë periudhë”- tha më tej kryeministri.

Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se qeveria ka vendosur të shtyjë me dy muaj procesin e faljes për regjistrimin e banesave në tërësi.  Sipas tij, kjo gjë do të bëhet permes një akti normativ, si domosdoshmëri për shkak të dyndjes së madhe pranë zyrave të regjistrimit të pasurive.

“Ky proces i faljeve ka ecur në mënyrë të shkëlqyer, por si e kemi ne që shumë presim deri afër fundit, këto ditë ka një dyndje të jashtëzakonshme në zyrat e regjistrimit të pasurive dhe është i pamundur përballimi i vëllimit, ndaj vendosëm që t’ua sjellim aktin normativ për të shtyrë deri në fund të muajit shkurt këtë proces”- tha ai.

Sipas Berishës, deri sot, vetëm banesa janë rivlerësuar në një shumë prej rreth 700 milionë dollarë dhe kanë përfituar 14 mijë familje, ndërkohë që dyndja në zyra vazhdon.

“Gjykuam se janë edhe emigrantët që kthehen ndaj dhe ky akt është i domosdoshëm”- tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›