Berisha: Respektoj grevistët, por kodin do ta bëj me PS-në
Nga fshati Gjepalaj i Durrësit, kryeministri shqiptar, Sali Berisha i dërgoi haber 11 deputetëve të ngujuar në Parlament: "Për Kodin Zgjedhor do të negocioj me PS. Deputetë të LSI e PDK denoncojnë veprimet e gardës.
DURRES- “Respektoj mendimin e cdo njeriu por personalisht, për Kodin do të negocioj me partinë kryesore të opozitës” – Kjo është përgjigja që kryeministri Berisha i nxitur nga gazetarët u ka dhënë 11 deputetëve që ndodhen të ngujuar në godinën e parlamentit.
Që prej orës 19.30 minuta të mbrëmjes së të hënës, deputetët e LSI dhe PDK me në krye Ilir Metën dhe Nard Ndokën deklaruan nisjen e një greve urie kundër ndryshimeve në kodin zgjedhor të arritur falë bashkëpunimit mes dy partive të mëdha.
Kreu i qeverisë ndodhej sot në fshatin Gjepalaj të rrethit të Durrësit për të inspektuar punimet e në shkollën 9- vjecare të këtij fshati kur është pyetur nga gazetarët "nëse do të ketë negociata për reformën zgjedhore".
“Pavarësisht nga respekti i përgjithshëm që ushqej për të gjithë opozitën, unë jam i detyruar, në çdo rrethanë, të negocioj, para së gjithash dhe i kushtëzuar, me partinë kryesore të opozitës, sepse ky është rregulli dhe kështu ka qenë edhe kur unë isha në opozitë”, tha Kryeministri.
Më tej ai nënvizoi se kjo është një problem i brendshëm i opozitës për të cilën maxhoranca nuk do të ndërhyjë: "Maxhoranca në mënyrë shumë të prerë nuk do të hyjë në probleme të brendshme të opozitës".
Fillimi i grevës së urisë nga ana e deputetëve të tyre u shpall mbrëmë nga foltorja e Kuvendit nga kreu i LSI Ilir Meta dhe Nard Ndoka. Në grevë urie janë ligjvënësit Ilir Meta, Pëllumb Xhufi, Ndre Legisi, Petro Koçi, Nikollaq Neranxi, Spartak Braho, Nard Ndoka, Ndue Shpani, Ymer Tola, Jak Ndokaj dhe Frrok Gjini.
Në mbështetje të deputetëve grevistë, mbrëmë dhjetëra mbështetës e simpatizantë të LSI-së dhe PDK-së protestuan përpara parlamentit me moton “Në mbrojtje të Kushtetutës, jo vjedhjes së votës”.
Komisioni i posaçëm parlamentar i ngritur për këtë qëllim, miratoi, dje pak pas mesditës, me konsensusin e demokratëve dhe socialistëve të gjithë kapitujt e Kodit të ri Elektoral, duke i dhënë fund një procesi të gjatë dhe të shumëdebatueshëm. Ligji, që numëron 170 nene, pritet të miratohet në Kuvend jo pa kundërshtinë e ashpër të të vegjëlve, ditën e hënë të javës që vjen. Në mbledhjen e djeshme të komisionit, u miratuan sakaq 30 nenet e mbetura që përfshijnë kapitullin e ankimimeve. “Patëm diskutime për këtë çështje dhe vendosëm që të ruhet gjykimi me Kolegj Zgjedhor. Përfundimisht do të ruhet niveli dyshkallësh, pra do të ruhet i njëjti model që kemi pasur deri më sot”, - u shpreh dje bashkëkryetari socialist i komisionit, Fatmir Xhafaj në një prononcim për mediat. Në kushtet kur duket se ky do të jetë mandati i fundit i komisionit të posaçëm për hartimin e kodit, duke respektuar limitin e skadencës, datën 15 nëntor, Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu hapur pakënaqësinë e saj me rezultatin e tij. “Emigrantët përfundimisht u përjashtuan nga votimet në vendet ku ata banojnë. Është një padrejtësi e madhe që i bëhet kësaj shtrese. Ky është një puç”, - tha përfaqësuesi i LSI-së dje në komisionin e reformës elektorale, Spartak Braho.
(BalkanWeb)