Berisha: Rotacioni është i domosdoshëm, por jo me këtë opozitë
Berisha tha se nuk do pranojë ndërhyrje të ndërkombëtarëve për çështjen e presidentit. Ai deklaroi se shqiptarët kishin të drejtë të zemëroheshin me të për çështjen e piramidave. Berisha tha se Topi është vetëshkarkuar kur deklaroi se do bëjë parti politike
Kryeministri Sali Berisha deklaroi në emisionin Opinion të Blendi Fevziut se rotacioni është i domosdoshëm në njëfarë kohe, por në pushtet nuk mund të vijë një forcë që organizon marrjen e pushtetit me dhunë. Berisha tha se në mandatin e parë futi vendin në NATO, në të dytin liberalizoi vizat, në mandatin e tretë do të bëjë Shqipërinë vend të zhvilluar.
Kryeministri Sali Berisha tha se nuk do të pranojë ndërhyrjen e ndërkombëtare në procesin e zgjedhjes së presidentit. Në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, Berisha u shpreh se kandidatura për kreun e shtetit është një çështje shqiptare. Kreu i mazhorancës foli për zhvillimet politike në 20 vjet duke u ndalur në një prej momenteve më delikatë të karrierës së tij politike, atë të piramidave, çështje që e çoi në opozitë në vitin 1997. Me eksperiencën që kam tani mendoj se piramidat nuk do ishin lejuar kurrë. Ndjej keqardhjen më të madhe, por edhe atëherë kam marrë një vendim ndër më të vështirët. Ai ishte ky: një borxh që nuk është marrë, nuk mund të njihet. Ne u kishim deklaruar shqiptarëve se bankat kishin interesat më të larta. Megjithatë qytetarët kishin të drejtë të zemëroheshin me Sali Berishën dhe qeverinë pasi duhet të mbroheshin. Kam patur dy brejtje dhe pikëpyetje të mëdha për veten time. Së pari na u shfaqën se nuk kishim ligjet, kishim vakum ligjor, nuk kishim ligj për supervizimin e tregut financiar jo bankar etj. E dyta vendimi që një borxh që nuk është marrë nuk mund të njihet, tha Berisha në emisionin Opinion të Blendi Fevziut.
Berisha deklaroi dje se ardhja në pushtet e Partisë Demokratike në vitin 1992 ishte një pikë kthese për Shqipërinë. Nuk mund të them se ishim grup i përgatitur për qeverisje pasi vinim nga bota akademike e nuk kishim eksperiencë qeverisëse. Një nga fatet e mëdha të Shqipërisë ishte pikërisht se ne nuk ishim aparatçikë të mëparshëm, u shpreh Berisha në emisionin Opinion në Tv Klan. Kryeministri Sali Berisha komentoi edhe zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013 dhe mundësinë për të humbur ato për shkak të krijimit të Aleancës Kuq e Zi dhe partisë së pritshme të Presidentit Bamir Topi. Në zgjedhje dhe fitoren në zgjedhje një ndihmë konstante e kam nga vetë zoti Edi Rama. Nuk do hyj ta zbërthej. Së dyti e falënderoj shumë se më dha një ndihmë shtesë me këto dy parti që po u bën avokatinë. Nuk po them se në një analizë të plotë elektorale do kem dy deputetë më shumë për shkak të tyre dhe kjo është e vërtetë. Nuk trembem absolutisht. Por ka disa probleme etike, nuk ka ndodhur kurrë që një president në detyrë të krijojë parti politike, theksoi Berisha. Kryeministri Berisha tha se ai e ka shkarkuar veten në momentin që deklaroi se do bëjë parti politike.
Duke ju referuar presionit ndërkombëtar për zgjedhjen e presidentit të ri Berisha tha se kandidatura për kreun e shtetit është një çështje shqiptare. Më vjen keq por emrin e caktoj unë dhe nuk pranoj absolutisht ndërhyrje. Nuk ka as edhe momentin më të vogël të mos respektit ndaj miqve dhe partnerëve por disa gjëra bazë i bëjmë ne pasi ndryshe nuk funksionon. Vendi ka një procedurë kushtetuese dhe ai është kryetari i shtetit.
Duke folur për çështjen e pronave, Berisha tha se ai vjen nga një psikologji ku prona është e paprekshme. Por ai tha se ky parim nuk mund të funksiononte në pjesën fushore të vendit. Prandaj kaluam tek parimi i Xhefersonit që toka i shkon atij që e punon. Nëse nuk do e kishim ndjekur këtë parim, shumica dërrmuese do e braktiste atë për shkak të varfërisë, tha Berisha.