Berisha: Rrije pagash për mjekët dhe infermierët
Rritja e pagave dhe shpërblimeve për personelin shëndetësor do të vazhdojë edhe për vitin 2010. Kryeministri Sali Berisha dje, gjatë përurimit të godinës së re të Fakultetit të Infermierisë brenda ambienteve të korpusit spitalor “Nënë Tereza”, deklaroi se shëndetësia dhe reforma e saj përbëjnë përparësinë edhe këtë mandat. Berisha siguroi vazhdimin e investimeve në sistemin shëndetësor, ndërsa pranoi se do të ketë edhe një rritje të numrit të mjekëve për frymë. Gjithashtu, ai tha se qeveria është e vendosur në luftën kundër korrupsionit në shëndetësi, për të vendosur bluzën e bardhë në piedestalin që ka pasur dhe duhet të ketë në të gjitha kohërat.
Investimet
“Reforma e shëndetësisë është një reformë jo e thjeshtë, është një reformë e vështirë dhe ndoshta më e vështira, por reforma e shëndetësisë është më jetikja dhe detyrimi më madhor i çdo qeverie. Ne jemi të vendosur që të angazhojmë të gjitha burimet e nevojshme financiare, njerëzore dhe të tjera, në mënyrë që t’u garantojmë qytetarëve shqiptarë shërbimin shëndetësor që ata meritojnë. Vetëm me një reformë të thellë, e cila duhet përfshijë të gjithë mekanizmin financiar, vendi do të mund të ketë shëndetësinë që duhet, kujdesin shëndetësor që është i detyruar t’ua ofrojë qytetarëve të tij”, - deklaroi Berisha. Më tej, Kryeministri pranoi se vendi ynë nuk është në nivelin e duhur të standardeve për mjekët për frymë popullate. Për këtë Kryeministri Sali Berisha tha se do të rritet numri i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë sikundër dhe do të shikohet mundësia e licencimit të universiteteve private.
Nga ana tjetër, Berisha i kërkoi ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në përurim, reformë më të thellë në rajone të vendit. “Aty ku ka qytetarë shqiptarë, duhet të ketë shërbim shëndetësor, duhet të ketë shërbim shëndetësor cilësor dhe unë e kuptoj që një mjek që punon në Kalanë e Dodës, që punon në Lekbibaj apo në Dukagjin, ka vështirësi 10 herë më të mëdha në kushtet e tregut, se një mjek që punon në Tiranë. Prandaj, zoti ministër, duhet të përcaktojmë një shkallare pagash shumë tërheqëse, përndryshe do ta kemi shumë të vështirë t’i themi atij të përmbushë detyrimet në zonat më të largëta dhe duhet t’i përmbushë”, - deklaroi Kryeministri. Financimet në shërbimin shëndetësor do të vijojnë që me modernizimin e flotës së helikopterëve dhe ngritjen e një sistemi të ri urgjencash në mbarë vendin.
Korrupsioni
Kreu i qeverisë bëri të ditur se lufta kundër korrupsionit në sistemin e shëndetësisë është jetike dhe vendimtare, për ta vendosur bluzën e bardhë në piedestalin që ka pasur dhe duhet të ketë në të gjitha kohërat. Reforma në shërbimin shëndetësor do t’u garantojë qytetarëve shqiptarë nxjerrjen e këtij sistemi tërësisht nga korrupsioni. Gjithashtu, ai kërkoi me shpejtësi të madhe partneritetin publik-privat.
PS: Berisha nuk mban premtimin në shëndetësi
Partia Socialiste reagoi dje pas deklaratës së Kryeministrit Berisha, duke deklaruar se ai nuk mban premtimet në fushën e shëndetësisë. “Sot, Kryeministri ka vazhduar me hipokrizinë e tij t’u thotë shqiptarëve se ai është i vendosur për ta kthyer shëndetësinë në prioritet të qeverisjes dhe për të luftuar korrupsionin në spitale. Fatkeqësisht, sot, kur kanë kaluar më shumë se 4 vjet nga marrja e mandatit të parë të dështuar të Sali Berishës, ky i fundit na tregon të njëjtën përrallë si katër vjet më parë”, - tha zëdhënësja e PS-së, znj. Armela Imeraj. “Sot, 4 vjet më pas, Berisha përsërit të njëjtin premtim, që nuk diti ta mbajë gjatë 4 viteve që lamë pas. Spitalet e vendit janë në gjendje denigruese për çdo pacient, sepse korrupsionin shumëmilionësh e bën vetë Berisha dhe familja e tij. E, Kryeministri i ka duart e lidhura, pasi i duhet ta nisë luftën kundër korrupsionit nga familja, - tha ajo, duke akuzuar Kryeministrin për nepotizëm dhe korrupsion. – Berisha e fsheh burimin e këtij korrupsioni, mbesën e familjes, e cila mbron interesat e klanit familjar në tenderët disamilionësh dhe lë pas dore interesat e mijëra shqiptarëve, të rinj e të moshuar, që sot nuk arrijnë të gjejnë dot në shërbimin shëndetësor shqiptar ndihmën që kërkojnë”.
QSUT
Drejtori i ri, ekonomisti Ilir Dashi
Nga dje, kreu i ri i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë është përzgjedhur ekonomisti Ilir Dashi. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë prezantimit të drejtorit të ri, vlerësoi se “QSUT-ja është në një moment të ri për të provuar shanse të reja të menaxhimit dhe financimit që përfshihen në modelin e ri menaxherial të cilin me aftësitë e tij z. Ilir Dashi do të mund ta udhëheqë më së miri”. Më tej, Vasili u ndal edhe në rëndësinë e sistemit të ri, duke e cilësuar atë si zgjidhjen optimale që do të ndihmonte në lehtësimin e ngarkesës në spitalet universitare, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e shërbimit. Drejtori i ri i QSUT-së, Ilir Dashi, në prezantimin e tij të parë ka premtuar përkushtimin e tij gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa ka theksuar se prioritet i punës së tij do të jenë zhvillimi dhe progresi i vazhdueshëm në Qendrën Spitalore Universitare më të madhe në vend. Ilir Dashi vjen në këtë detyrë duke zëvendësuar Gjeorgjina Kulin, e emëruar në krye të QSUT-së nga ish-ministrja Anila Godo. Ilir Dashi ka drejtuar degën e LSI-së Tiranë dhe së fundi drejtonte një kompani private.
Elbasan
Pacientët njihen me sistemin e referimit
Pacientët në rrethe kanë nisur të njihen me sistemin e referimit. Drejtori i qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan, Arben Paralloi, ditën e djeshme ka informuar publikun në lidhje me sistemin e ri dhe urdhrin e lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas Paralloit, urdhri i ri udhëzon çdo person që ka nevojë të marrë shërbim në institucionet shëndetësore publike të paraqitet fillimisht tek mjeku i familjes, tek i cili është i regjistruar, ku dhe duhet të jetë i pajisur me librezën shëndetësore dhe një dokument identifikimi. Nëse mjeku i familjes gjykon se diagnostikuesi kërkon konsultë më të specializuar, atëherë e rekomandon tek specialisti përkatës. Të gjithë pacientët që paraqiten tek mjeku specialist, duhet të kenë detyrimisht rekomandimin e mjekut të familjes, librezën e shëndetit dhe një dokument identifikimi. Pacientët që nuk i kanë këto dokumente, do të paguajnë tarifën e parashikuar mjekësore, përveç urgjencave ekstreme. Ndërkaq, z. Paralloi saktëson se në raste mosrespektimi të këtij sistemi referimi nga ana e personelit mjekësor, do të ketë penalitete financiare deri në zgjidhje të kontratës së punës. Nga i tërë ky sistem referimi që do të zbatohet në mënyrë taksative, del një konkluzion shumë i rëndësishëm. Të gjithë ata qytetarë që duan shërbim shëndetësor falas, duhet të pajisen me librezë shëndetësore, pasi do të përballen edhe me tarifat e reja të shërbimit shëndetësor. Gjithashtu, në këtë komunikim me publikun, drejtori Paralloi foli edhe për masat që ka marrë kjo drejtori, për sa i përket zbatimit të urdhrit të ministrit në lidhje me sistemin e referimit të pacientëve. Ai theksoi edhe një herë se pajisja e qytetarëve me librezë shëndetësore është shumë e rëndësishme.