Berisha: Rritje të punësimit në sektorët kyç si energjetikë, turizëm dhe bujqësi
Kryeministri Berisha bën publik projektin e punësimit të shqiptarëve për katër vitet e ardhshme Vetëm në fushën e energjisë së rinovueshme dhe energjisë në tërësi, qeveria parashikon të dyfishojë numrin e të punësuarve
Sektori privat (i huaj) në 4 vitet e fundit ka investuar rreth 4 miliard e 200 milion dollarë. Ndërsa, sektori privat (vendas) në këto 4 vite ka investuar në Shqipëri minimumi 6 miliard dollarë. Gjatë 4 viteve që shkuan janë investuar në tërësi rreth 12 miliard dollarë, me të cilat janë krijuar përafërsisht 200 mijë vende pune. Në çdo sektor, bujqësi, turizëm, etj, do të ketë rritje të punësimit, të cilat do të jenë të përllogaritura mbi baza realiste dhe terma konkrete
Krijimi i vendeve të reja të punës ishte kryefjalë e mbledhjes së djeshme të Këshillit të Ministrave. Kryeministri Sali Berisha u shpreh se qeveria do të ndërmarrë nisma për punësimin e të rinjve në vend, të cilët sipas tij janë e ardhmja e biznesit social. Dhe në këtë kontekst ai deklaroi se do të kalojë në Parlamentin shqiptar heqjen e taksës për tre vitet e para të punësimit të çdo të riu.
Gjithashtu në mbledhjen e qeverisë kryeministri ka folur edhe për privatizimin e HEC-ve, të cilat sipas tij gjenerojnë mijëra vende pune, sikurse sektorët kyç të rritjes së punësimit mbeten edhe turizmi dhe bujqësia.
“Natyrisht do të bëjmë gjithçka që të rrisim punësimin në sektorin e bujqësisë me 25 për qind dhe ne do të bëjmë gjithçka që ne të rrisim punësimin në turizëm me 25 për qind, ndonëse ne parashikojmë një rritje të turizmit në katër vitet që vijnë, të paktën me 40 deri në 50 për qind. Do të bëjmë gjithçka të rrisim punësimin në bizneset bujqësore, pasi masat që kemi marrë janë masat më të fuqishmet që ne kemi ndërmarrë ndonjëherë për punësimin, por ne nuk themi se do të dyfishojmë numrin e të punësuarve në bizneset në 4 vite. Jo në 4 vite, në ambicien tonë, ne do të rrisim me 30 për qind numrin e të punësuarve në bizneset jobujqësore të vendit. Pra në tërësinë e vet, objektivat që ne parashtrojmë për punësimin janë realiste, plotësisht të realizueshme”, deklaroi kryeministri.
Ndërkaq, krahas turizmit dhe bujqësisë, një tjetër fushë që gjeneron vende pune, është ajo energjetike.
Kësisoj, Berisha u ndal dje në njërin prej projektligjeve të rendit të ditës të mbledhjes së qeverisë, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet METE, si autoritet kontraktues dhe EVN AG, Statkraft as the Devoll Hydropower, sh.a, si bashkë-koncesionarë për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të HE, në lumin Devoll, në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Duke folur mbi këtë vendim, kryeministri shpjegoi se kompania austriake EVN, i ka shitur aksionet e kaskadës së Devollit, kompanisë norvegjeze “Statkraft”, kompani kjo numër 1, në të gjithë botën për ndërtimin e HEC-ve jashtë vendit të vet, numri 1 në Evropë, për HEC që menaxhon dhe drejton në Norvegji, mbi 200 të tilla.
Sipas kryeministrit, ndërtimi i HEC-ve është një proces i cili gjeneron me mijëra vende pune, ashtu siç është faktuar nga viti 2007 e deri më sot, kohë në të cilën qeveria ka firmosur në sektorin privat për ndërtimin e 363 HEC-ve, në mbarë vendin.
Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se me kaskadën e Devollit, do të punësohen së paku 4 mijë punëtorë, inxhinierë, teknikë, duke e bërë atë veprën më gjigante në sektorin privat që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri.
“Punësimi masiv në HEC fillon me kaskadën e Devollit, e cila dom të punësojë së paku 4 mijë punëtorë, inxhinierë, teknikë dhe në fakt ajo është vepra më gjigante në sektorin privat që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri. Është investimi më i madh në sektorin privat, në historinë e vendit. Sektori privat (investimet e huaja) në 4 vitet e fundit ka investuar rreth 4 miliard e 200 milion dollarë. Ndërsa, sektori privat vendas në këto 4 vite ka investuar në Shqipëri minimumi 6 miliard dollarë. Pra në tërësi gjatë 4 viteve që shkuan janë investuar në tërësi rreth 12 miliard, me të cilat janë krijuar përafërsisht 200 mijë vende punë. Por në vitet që vijnë projekti ynë parashikon që Shqipëria për investimet e huaja direkte të arrije kapacitetin e saj. Në vitin 2012, Shqipëria mori më shumë se kapacitet, por Shqipëria duhet të rrisë më shumë kapacitetin për të marrë. Projekti ynë është që rritja graduale të finalizohet me 2 miliardë dollarë investime të huaja në vit dhe kjo është plotësisht e mundshme”, theksoi kryeministri.
Ai deklaroi gjithashtu se me nisjen vitin e ardhshëm, të dy projekteve gjigante, kaskadës së Devollit dhe gazsjellësi Transadriatik, vetëm në fushën e energjisë së rinovueshme dhe energjisë në tërësi qeveria parashikon të dyfishojë në katër vitet që vijnë numrin e të punësuarve. Kryeministri shtoi se në çdo sektor do të ketë rritje të punësimit, të cilat do të jenë të përllogaritura mbi baza realiste dhe terma konkrete.
“Vitin e ardhshëm në Shqipëri do të nisin dy projekte gjigante, kaskada e Devollit dhe gazsjellësi Transadriatik. Qeveria ka gjithçka gati për kaskadën e Vjosës dhe Skavicën. Pra, vetëm në fushën e energjisë së rinovueshme dhe energjisë në tërësi ne parashikojmë të dyfishojmë në katër vitet që vijnë numrin e të punësuarve, pra jo 15 mijë, por të jenë së paku 30 mijë qytetarë në ndërtimin e HEC-ve, në ndërtimin e gazsjellësit, në ndërtimin e projekteve të tjera energjetike.
Kjo është një përqindje realiste, sepse mund të kishte parashikime edhe më të mëdha, por ne duhet të mbetemi gjithnjë në terma konkrete. Ne do të donim, por nuk parashikojmë dyfishim, punësimin në sektorë të tjerë. Në çdo sektor, natyrisht, do të ketë rritje të kalkuluar, të llogaritur të punësimit”, deklaroi Berisha.