Berisha: Kaskada e Devollit investimi më i madh në historinë tonë
Kryeministri firmos kontratën e modifikuar që i jep të drejtën kompanisë Shtatkraft për ndërtimin e HEC-it
Menjëherë pas përurimit të rrugës Gramsh-Kodovjat, kryeministri Sali Berisha ka postuar në faqen e tij në Facebook, firmosjen e një kontrate, e cila do të gjenerojë 4 deri 5 mijë vende të reja pune. Kreu i qeverisë thotë se ka nënshkruar kontratën e modifikuar për ndërtimin e kaskadës së Devollit nga kompania më e madhe në ndërtimin e hidrocentraleve në botë, Shtatkraft e Norvegjisë. “Të dashur miq! Sot firmosa dhe nisa për në Parlament, kontratën e modifikuar për ndërtimin e kaskadës së Devollit nga kompania më e madhe në ndërtimin e hidrocentraleve në botë, Shtatkraft e Norvegjisë, e cila bleu javën që kaloi të gjitha aksionet e ortakut të vet EVN. Ky është aktualisht investimi më i madh në Europë, në fushën e hidroenergjisë dhe investimi privat më i madh në historinë e vendit tonë. Ndërtimi i hidrocentraleve të Kaskadës do të punësojë 4-5 mijë punëtorë, inxhinierë, teknikë dhe punimet fillojnë gjatë muajve të afërt që vijnë”- shprehet kryeministri.
Berisha shkruan gjithashtu se aktualisht ky është investimi më i madh në Europë, në fushën e hidroenergjisë dhe investimi privat më i madh në historinë e vendit tonë.
Kryeministri shkruan se në rrethin e Gramshit janë për tu ndërtuar 9 hidrocentrale, kurse në mbarë vendin, deri tani janë firmosur kontrata koncesionare për ndërtimin e 362 hidrocentraleve, në të cilat do të punësohen mbi 30 mijë punëtore, inxhinierë dhe teknike.
“Në rrethin e Gramshit janë për tu ndërtuar 9 hidrocentrale, kurse në mbarë vendin, deri tani janë firmosur kontrata koncesionare për ndërtimin e 362 hidrocentraleve, në të cilat do të punësohen mbi 30 mijë punëtorë, inxhinierë, teknikë. Përpara, për më shumë vende pune dhe paga më të larta!”- thekson ai.