Qytetaria e Topçiut, garancia e zhvillimit të qytetit të Lasgushit dhe Mitrushit
INTERVISTA/Flet Kandidati i “Aleancës për qytetarin” për Bashkinë e Pogradecit: Ja projekti im për një Pogradec ndryshe
Luan Topçiu: Pse bashkëqytetarët e mi do më besojnë votën më 8 maj
Luan Topçiu është një personalitet në botën akademike, i cili prej vitesh mban titullin Doktor Profesor. Ai është rikthyer natyrshëm në qytetin e tij të lindjes për të marrë përsipër një mision që e ndjen si obligim ndaj bashkëqytetarëve të tij, shndërrimin e Pogradecit në kryeqytetin e turizmit, shmangien e betonizimit, shtimin e punësimit...etj. Sfida nuk është e vogël ndaj dhe ai ka guxuar që me qytetarinë e tij, me qytetarët e Pogradecit të vendosnin t’i dalin zot qytetit që dita-ditës po degradohet. Zoti Topçiu është kandidat i Koalicionit “Aleanca për qytetarin” në këto zgjedhje vendore dhe prej tij të gjithë presin shumë. Qytetarët e Pogradecit presin, por edhe besojnë te djali i tyre që sikurse deri më tani do ia dal të jetë i zoti të fitojë sfidat që ka marrë përsipër. Rikthimi i Topçiut në Pogradec është i natyrshëm dhe i plotë i gjithi ky në qytetin ku natyra dhe njeriu jetojnë në paqe dhe harmoni …, pavarësisht se ditë pas dite, vit pas viti, qyteti i lules së dlirë dhe koranit hirëplotë, qyteti i mikpritjes dhe liqerit pa kufi, ndihet i atrofizuar…!!! Njeriun që deri dje përfaqësonte Shqipërinë në Bukuresht të Rumanisë, ku dhe ka marrë titullin Doktor Profesor ndihet i vendosur t’ia dalë… Misioni i tij si qytetar dhe intelektual e bën fisnik në rrugën e vështirë dhe të gjatë që ka përpara për qytetin e tij, që ai e cilëson të shpërfytyruar, të denatyruar dhe të betonizuar me masakrën që i është bërë dhe po i bëhet liqenit … Më shumë se modest dhe pa dashur jetë në rolin e një kritizeri, Luan Topçiu pranon se ajo që ofron "është që qyteti të bëhet qytet". "Pogradeci e ka të kufizuar bregun e liqenit … dhe në këtë pak vend, në vend që të bëhen resorte turistike, hotele ..., të hapeshin vende pune dhe të kishte një turizëm cilësor, ai është masakruar në një formë të frikshme", Është në projektin e Luan Topçiut një Pogradec ndryshe, një qytet për qytetarët, dhe një garanci për zhvillimin e qytetit të Lasgushit dhe Mitrushit është dhe qytetaria e tij, ndaj në projektet e tij jo rastësisht zë vend dhe krijimi i një senati me burrat e mençur të qytetit…
INTERVISTA/Flet Kandidati i “Aleancës për qytetarin” për Bashkinë e Pogradecit: Ja projekti im për një Pogradec ndryshe
Luan Topçiu: Pse bashkëqytetarët e mi do më besojnë votën më 8 maj
Nisja e punimeve për tunelin dhe rrugën e Elbasanit si dhe rruga Lin-Tushemisht dy projektet e mëdha infrastrukturore të rëndësishme për ne. Qytetarët ndihen të harruar mungojnë investimet nga pushteti vendorë. Furnizimi më ujë 24 orë dhe impianti i pastrimit të ujerave të vetmet investime serioze të kryera në qytet dhe këto ishin prioritete të qeverisë shqiptare për Pogradecin
Kur kanë mbetur më pak se 3 javë nga 8 maji data e zgjedhjeve për pushtetin vendor, dita kur qytetarët do të ndëshkojnë me votë ata të cilët si epiqendër të fushatës së tyre elektorale nuk kanë qytetarin por karrigen e kryetarit të bashkisë apo komunës dhe karrierën politike, qytetarët pogradecarë duket qartë që janë të vendosur për të sjellur ndryshimin dhe shkëlqimin qytetit të Lasgushit dhe Mitrushit. Ne garë për kreun e bashkisë së Pogradecit është djali i tyre, qytetari pogradecar Luan Topçiu, kthimin e të cilit mezi e pritën për ta votëbesuar si qytetarin nr.1 të Pogradecit. Ne një intervistë për gazetën “55” Luan Topçiu rrëfen përse vendosi të kandidojë, sa i vlerësuar ndihet nga besimi që i është dhënë, si është qeverisur Pogradeci 8 vitet e fundit, cilat janë problemet me të cilat përballen qytetarët, a janë evidentuar nga ai dhe shtabi i tij elektorale dhe si dhe sa do gjejnë zgjidhje me të si kryebashkiak, sa beson në fitoren e tij dhe Koalicionin “Aleanca për Qytetarin” dhe çfarë mesazhi ka për zgjedhësit.
Jeni prezantuar si kandidat i koalicioni “Aleanca për qytetarin” si kandidat i për bashkinë e Pogradecit cili është komenti juaj për vlerësim që iu është bërë?
Besoj se vetë formulimi i Aleancës për Qytetarin, i dy partive më të mëdha parlamentare i Partisë Demokratike dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe partive të tjera që i janë atashuar këtij koalicioni, vendosi si moto të saj “Aleancën për Qytetarin” dhe mendoj dhe dua komentoj bazuar në pyetjen tuaj që më gjeten mua në pozitën e qytetarit, një qytetari të suksesshme të këtij qyteti që ka realizuar karrierën e tij personale, një karrierë publike që lidhet me fushën e studimeve, akademike, universitare dhe si nëpunës i lartë i shtetit shqiptar. Në këtë pozitë unë kam pranuar me kënaqësi këtë ndërmarrje ose kandidim shumë të vështirë në emër të qytetarëve, për qytetarët, në cilësinë e një qytetari.
Deklaruat që jeni kandiduar për postin e kryetarit të bashkisë si qytetar për qenë në shërbim të bashkëqytetarëve të tu. A mund të na bëni një rehzyhme në mënyrë të detajuar si është qeverisur qyteti juaj gjatë ta paktën gjatë katër viteve?
Mund të konstatoj shumë shpejt në qoftë se do të bëhet një fotografim i shpejtë që administrimi i qytetit është me mjaft probleme. Përdora fjalën “fotografim” sepse shumë kollaj mund të verifikohet që në një qytetet ku ¾ e tij janë të paasfaltuara, nga 40 e ca mijë metra linear që ka qyteti rrugë, pa marrë parasysh disa rrugë lidhëse midis arterieve kryesore të qytetit , mbi 20 e ca mijë janë të paasfaltuara fare, 11 e ca janë të asfaltuara dhe të prishura, që janë në gjendje të prishur sot, por që gjoja është investuar gjatë këtyre viteve dhe aktualisht ekzistojnë të asfaltuar vetëm 9 mijë metra rrugë. Problemi nuk është thjesht dhe vetëm që qytetarët nuk kanë kushte komode për të jetuar në shtëpitë e tyre që të kryejnë shërbimet, që të vlerësojnë më mirë investimet sepse kanë ndërtuar shtëpi, kanë ndërtuar dyqane, kanë ndërtuar objekte tregtare etj, dhe nuk kanë kushte minimale që këto investimet e tyre të vlerësohen duke qenë se nuk kanë infrastrukturën e domosdoshme që veprimtaria e tyre të kryhet në mënyrë normale. Mirëpo komprometimi më i madh është sepse flasim për një qytet turistik. Pogradeci nuk duhet harruar asnjëherë që është një nga qytetet që është ndërtuar buzë një liqeni që është 700 metra mbi nivelin e detit, pra, ka një nga pasuritë më të mëdha botërore dhe nuk e ekzagjerojmë aspak kur themi këtë, i rrethuar nga malet e larta është një qytet që të thuash ofron parajsën mbi tokë, që ofron plazh, që ofron klimë malore, që duhet të na ofrojë që të jetë një qytet jo vetëm klimaterik por të jetë i ekuilibruar nga pikëpamja ekologjike që të ofron një qytet kreativ. Pogradeci duhet të jetë një qytet mjaft i dëshiruar nga gjithë ata që jetojnë në qytete dhe qendra urbane të mëdha ku ka ndotje më shumë ku ka zhurma dhe agresion akustike më të madh. Mirëpo fatkeqësisht Pogradeci është me ajër të ndotur thotë, ka një rrogë nacionale të tejmbushur me furgone, me njerëz të dëshpëruar që presin në të, dhe me një ndotje ku kalojnë makina të tonazheve te rënda dhe që e bëjnë gati të pamundur frymëmarrjen në këtë qytet dhe është një ftesë e keqe ose munguar për qytetarët, për turistët e mundshme në këtë qytet. Probleme të tjera në qytetin e Pogradecit është sipas institutit të statistikave konsiderohet në një nga qytetet më të varfra në gjithë rajonin e Korçës dhe plaga më e rëndë e tij është punësimi. Ka njerëz që janë pa punë për shkak të politikave jo adekuate të qeverisjes vendore për të stimuluar tregtinë, për të ndihmuar biznesin, për të ndihmuar aktivitetet tregtare. Pjesa më e madhe e qytetit janë njerëz të vetëpunësuar, ndërkohë që ne si qytet kemi kapacitete të tilla, kemi tradita në fushën e përpunimit të frutave, të pijeve alkoolike, të konservimit të cilat kanë një traditë në këtë qytetet etj. Kemi traditën në industrinë e lehtë, industrinë e drurit të cilat fatkeqësisht nuk janë në cilësinë e dëshiruar të qytetit dhe nuk janë në nivelin e pritshmërisë për qytetarët. Problem tjetër është fakti se bashkia është bukerizuar ku kemi të bëjmë me mungesa të komunikimit dhe transparencës për fondet, sepse nuk duhet të harrojmë për asnjë çast që kryetari i bashkisë dhe punonjësit e bashkisë janë të punësuarit e qytetarëve të tyre dhe kanë për detyrim që të kryejnë shërbimet për qytetarin, t’i bëjnë ato në mënyrë transparente të vihen në shërbim të qytetarëve dhe qytetarët të dinë në mënyrë transparente dhe të jetë e tejdukshme bashkia për të kuptuar gjithçka se çfarë ndodh me të paratë e mbledhura të qytetarëve. Qyteti ka probleme të tjera në fushën e investimeve, ka hezitime në investime, ka gjëra të rënda sepse janë investuar 2-3 herë të njëjtat rrugë kur ne flasim që ¾ e qytetit është i paasfaltuara, ka probleme në ndjekjen e kontratave, në cilësinë e punimeve. Sigurisht që nuk pamje të zymtë të qytetit pasi disa investime janë të qenësishme si p.sh; jemi para një pakti mjaft të domethënës në qytetin e Pogradecit që të bën optimist, uji i pijshme është 24 orë dhe është ndërtuar kolektori i ujërave të zeza që të mos derdhen në liqen.
Besoj furnizimi më ujë 24 orë dhe impianti i pastrimit të ujerave janë investime jo të pushtetit vendor?
Këto investime janë të taksapaguesve gjerman, janë të shtetit gjerman në bashkëpunim me qeverinë shqiptar. Ka qenë prioritet i qeverisë shqiptare, për drejtuar investimet e Pogradecit dhe kontraktuesi i drejtpërdrejtë është ndërmarrja e ujërave që ka kryer këto kontrata. MË këtë rast dua të falenderoj në mënyrë të posaçme dhe vullnetin dhe dashamirësinë e kryeministrit Sali Berisha që gjithmonë e ka parë me prioritet qytetin e Pogradecit dhe investimet në këtë qytet kanë qenë gjithnjë e më të mëdha dy prej të cilave sapo i përmenda. Falenderimet tona shkojnë drejt qeverisë shqiptare dhe drejt donatorëve, qeverisë gjermane, qeverisë zvicerane që kanë bërë të mundur këto realizim projektesh konkrete me impakt në ketë për qytetin tonë.
Duke marrë shkas nga ajo që koalicioni juaj quhet “Aleanca për qytetarin, por dhe si qytetar që jeni zoti Topçiu na radhitët më sipër vetëm disa nga problemet me të cilat përballën qytetarët. Duke qenë se jeni edhe në fushatë, njëkohësisht edhe qytetar i këtij qyteti ju edhe më përpara keni evidentuar problemet e këtij qyteti, si problemet në arsim, shëndetësi, kulturë për të cilat bashkia, nuk besoj se ka arritur të plotësojë kërkesat qytetare?
Problemet sigurisht që janë të shumta. Po flasim për arsimin ku gjendja në shkollat e Pogradecit është tejet skandaloze dhe është në detyrim ligjor i bashkisë për të siguruar kushte optimale për kryerjen e procesit mësimor. Fondi që akordohet nga bashkia është një fond qesharak që nuk mund të realizojë kushtet e domosdoshme për kryerjen e procesit mësimor. Fondi i vënë në dispozicion nga bashkia është shumë i vogël, tregues që ky institucion nuk mund të kryejë detyrimin ligjor që ka bashkia që të krijojë kushtet minimale të kryerjes së mësimdhënies në shkollat tona. Kemi të mëdha probleme me çerdhet. Në qytet janë dy çerdhe më problematiket, me kushte mizerabele që nuk është në dinjitetin as njerëzor, por aq me tepër që fëmijët tanë nuk mund të ndëshkohen për shkak të keqadministrimit të fondeve edhe pse të pakta që miratohen në Këshillin Bashkiak dhe ato para duhet të shkojnë në këto çerdhe dhe kopshte. Shkollat tona kanë probleme me ngrohjen, shkollat tona kanë probleme me kushtet materiale në të cilat zhvillohet mësimi. Problem është transporti urban në qytet që nuk është ai që duhet të jetë dhe veçanërisht një problem dhe plagë e rëndë janë lejet e ndërtimit të cilat janë dhënë pa kriter, pa respektuar qoftë edhe atë planë rregullues që është miratuar në vitin 2003 që nuk respekton as vijën është përcaktuar për ndërtimin e këtyre pallateve, as numrin e kateve dhe sigurisht që këto shtojnë betonizimin e qytetit dhe i humbasin një shans të madh Pogradecit për t’u shëndërruar në një qytet turistik në vend që të ndërtoheshin resorte turistike dhe që të shtohet numri i punësimit të qytetarëve tanë. Kujtoj dhe njëherë që duke u ndërtuar pa kriter dhe pa respektuar planin rregullues të qytetit por edhe kriteret e urbanistikës po e shkatërrojmë qytetin.
Ju evidentuat një sërë problemesh të cilat si qytetarët edhe ju si kandidat jeni ndeshur me to , përballë qytetarëve si e kanë prituar ata alternativën tuaj të zgjidhjes , në këto takime që keni pasur?
Unë nga momenti i fillimit të fushatës elektorale sigurisht që kam mbledhur nga qytetarët e mi, nga shtresa të caktuara sipas zonave sipas traditës sociale, shtresave të popullsisë, profesioneve, kam mbledhur të gjitha problemet me të cilat ndeshen qytetarët dhe miqtë e mi. Fushata ime nuk është një fushatë që merret vetëm me konstatimin e problemeve që ka sot të mbartura qyteti dhe të pazgjidhura. Specialistët e mi të fushatës kanë alternativat se si do të iu vihet në ndihmë qytetarëve dhe garantojë që te programi im gjejnë zgjidhje problemet e tyre të cilat janë evidentuar dhe do të evidentohen gjatë kësaj kohe nga takimet me to dhe trokitjet derë më derë. Zgjidhja e këtyre problemeve janë: në qoftë se flasim për qytetin duhet t’i krijojmë mundësinë që të jetë një qytet turistik, që të jetë një qytet me ekuilibër ekologjik, të jetë një qytet i zhvilluar që të rritë kapacitet e tij. Duke u rritur kapacitetet turistike të qytetit do të rritet dhe punësimi dhe duke rritur gjelbërimin do të ekuilibrohen si të thuash raportet ekologjike të qytetit duke u pasuruar edhe cilësia e ajrit qyteti do të jetë më i dëshirueshëm, sepse janë të gjitha mundësitë, duke asfaltuar rrugët për të cilat fola më sipër do të pastrohet qyteti, cilësia e ajrit. Sigurisht që ne kemi dhe alternativën për të pasur një arsim cilësor duke zhvilluar një qendër universitare për të cilën ne synojmë në Pogradec sepse është vendi që ne nuk mund të zhvillojmë industri të rëndë në këtë qytet se nuk duam të minojmë shanset e zhvillimit, por duam të krijojmë ndërmarrje të vogla të mesme duam të krijojmë një turizëm elitar, turizmin e të gjitha moshave dhe të gjithë stinëve. Pogradeci duhet të shndërrohet njëherë e mirë në një pikë e dëshirueshme për të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe jemi në një moment mjaft të rëndësishëm ku qeveria shqiptare këto ditë fillon segmentin e bulevardit të shëtitores nga Lini deri në Tushemisht, e cila do të rivlerësojë pronën në këtë zonë dhe çfarë është e rëndësishme do të rris turizmin dhe vizitorët e mundshëm. Gjithashtu rruga Tiranë – Elbasan një projekt madhështor i qeverisë shqiptare do të shkurtojë distancën midis Pogradecit dhe Tiranës, dhe qyteti sigurisht që do të bëhet një destinacion edhe më i dëshiruar për kryeqytetasit, që të mbërrijë shpejt në mal dhe buzë një liqeni, siç është liqeni i Pogradecit dhe i Ohrit, por dhe pogradecarët ta kenë qytetin shumë afër. Ky lloj komunikimi do të ndihmonte jashtëzakonisht për dinamizimin, t’u bërë më dinamike që fluksi i turistëve të mundshëm të jetë më herë më i madh se ai që është sot.
Cilat janë angazhimet që i keni vënë vetes si kryebashkiak i ardhshëm i Pogradecit?
Unë kam një plan për Pogradecin e pas 8 majit. Garantoj që qytetit do ti kthehet frymëmarrja dhe qytetarëve dinjiteti. Ata do dinë çfarë do ndodh me taksat e tyre. Si kryebashkiak i Pogradecit premtoj Pogradecin qendër rajonale. Pogradeci një qytet i Evropës së Bashkuar, me shërbime të qytetëruara, me standarde evropiane; Pogradec një qendër ekonomike, kulturore, turistike dhe administrative rajonale. Do ti t’i japim qytetit vendin e merituar në hierarkinë urbane dhe bashkë me qytetarët do të punoj në vendimmarrjen për hartimin e Planit Urban që Pogradecit i nevojitet, i krahasuar me planet urbane të qyteteve më të zhvilluara evropiane. Premtoj ta shndërrojë Pogradecin në qendër të thithjes së flukseve tregtare financiare dhe informacionale si dhe kam dhe një plan konkret për nxitjen dhe promocion për turizmin. Premtoj investime publike në të gjithë si dhe do të ndërtojmë një bashki ku qytetarët të shprehen për problemet e saj me guximin qytetar. Pogradecarët do të jenë të jenë të përfaqësuar me dinjitet ku bashkë me ta do të ndërtojmë një qytet modern, sot, për të cilin brezat e ardhshëm të ndihen krenar. Administrimi Publik. Do të realizojmë shërbime kompetente në interes të qytetarit, të ngjallim besueshmëri publike midis qytetarëve dhe institucioneve, të administrojmë ambientet e përbashkëta në favor të nevojave komunitare, të administrojmë dhe t’i ofrojmë sektorit privat alternative dhe mundësi më të shumta ekonomike, të transferojmë zyrën e marrëdhënieve me publikun nga një vend ku merren ankesat në një vend të zgjidhjes së problemeve të qytetarëve. Në marrjen dhe adoptimin e vendimeve publike të bëhet një konsultim real me qytetarët. Të administrojmë me efikasitet ndotjet urbane dhe të përpunimit të plehrave duke rritur njëkohësisht sipërfaqet e gjelbëruara dhe cilësinë e ajrit dhe të mjedisit në qytet. Tregtia. Të stimulojmë, krijojmë dhe shfrytëzojmë alternativat më të mundshme dhe pozitive për rritjen e të ardhurave në bizneset. Të krijojmë struktura informuese që biznesi prodhues pogradecar të jetë i njohur në rajon dhe në të gjithë vendin. Të mbështesim dhe ndihmojmë biznesin që të realizojë qëllimet e tij parësore në kohë, sasi dhe cilësinë e duhur. Arsim dhe Kultura. Do të punojmë për ta shndërruar Pogradecin në qendër universitare si dhe do të krijohen investitorë në fushën e arsimit. Do të punohet në krijimin e kushteve infrastrukturore, që mësimdhënia të kryhet në rrethana optimale, duke iu afruar standardeve evropiane si dhe krijimin e një rrjeti muzeal, arkeologjik, etnografik, arti, muze nënujore (për speciet që rriten në liqenin e Ohrit), etj, krijimin e çmimit vjetor për kulturë, art dhe shkencë në Pogradec si dhe popullarizimin në vend dhe jashtë tij i vlerave kulturore dhe artistike të qytetit. Punësimi. Fal lehtësirave që do të krijojmë për nxitjen e investimeve do të krijohet mundësia për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë, të papunët, të sapodiplomuarve dhe kategorive të pafavorizuara. Do të rrisim kujdesin dhe asistencën sociale për njerëzit në nevojë, për njerëzit e vetmuar, veçanërisht dhe kujdesin ndaj moshës së tretë. Do të punojmë për krijimi i mjediseve çlodhëse dhe rigjeneruese për moshën e tretë. Turizmi. Do të nxisim investimet në fushën e turizmit, për të krijuar kushtet e turizmit elitar, rrisim kapacitete pritëse dhe do të ofrojmë shërbime cilësore turistike, nxisim turizmin kulturor, duke bërë të njohura vlerat e trashëgimisë së qytetit. Do të shndërrojmë Pogradecin në qytetin e turizmit gjithë vjetor dhe për të gjithë moshat. Shërbimet. Do të punohet për realizimin e planit të ri urbanistik ku të harmonizohet natyra me infrastrukturën, do të bëhet shpërndarja proporcionale dhe diversifikim të investimeve në gjithë zonat, qendër dhe periferi, përcaktim sipas nevojave të publikut të shëtitoreve dhe qendrave të qytetit, do të krijohen parqe të lojërave për fëmijët, do të punohet për pastrimin e qytetit që Pogradeci të jetë si sot, si dhe të punohet për shtim të ndriçimit publik dhe shtim të sipërfaqeve të gjelbëruara. Do të bëhet riorganizim tërësor i transportit publik ku të lidhen doganat, pikat turistike nga zonat rurale saktësisht të përcaktuara me orare dhe vendqëndrime. Do të mundësohet krijimi i një terminali autobusësh dhe furgonash në partneritet privat, bëhet modernizimin e tregut të hapur të qytetit, kthimin e institucioneve kulturore në qendra funksionale, rikonceptimi i qendrave kulturore për fëmijë dhe të rinj si dhe informacion turistik të shpërndarë në agjencitë më prestigjioze Evropiane. Sport. Premtoj më shumë cilësi dhe masivitet në sportet më popullore, krijimi i ambienteve të reja sportive si dhe rigjallërim i të gjitha sporteve ku Pogradeci ka traditë.
Sa besoni në fitoren tuaj, të koalicionit “Aleanca për Qytetarin?
Nuk kam asnjë dyshim se duke bërë paktin me qytetarët, duke u bazuar te qytetarët, duke folur për qytetarët, duke menduar për qytetarët mendojmë se fitorja është e sigurt është e jona.
Cili është mesazhi juaj për zgjedhësit dhe përse duhet të votojnë Luan Topçiun?
Mesazhi im për zgjedhësit është ky: qytetarët e Pogradecit janë një popull i zgjuar i mençur që mendon për fatet e veta, është një popull që i do elitat e tij, është një popull që i çmon elitat e tij , qytetarët e tij. Mendoj që qytetarët duhet të zgjedhin kësaj radhe të bëjnë ndryshimin e madh të qytetit, të ndihmojnë për zhvillimin e tij dhe të bëhen pjesë e ndryshimit, sepse jemi ne është ky koalicion që ka në dorë projektin e Pogradecit të shek XXI, e Pogradecit Evropian, e një Pogradeci turistik që t’i kthehet dinjiteti dhe Shkëlqimi që ai duhet të ketë.
Kush është Luan Topçiu
Datëlindja: 22 shkurt 1962
Vendlindja: Pogradec
Vendbanimi: Pogradec
Statusi: I martuar me dy fëmijë
Arsimimi
-Studimet e larta për Gjuhë-Letërsi, Shqipëri
-Kurs pasuniversitar specializimi në Gjuhësi, Shqipëri
-Master në Letërsi e Krahasuara dhe Teori Letërsie, Bukuresht
-Doktoraturë për Shkencat Filologjike( Magna cum laude) Universiteti i Bukureshtit
Angazhimet Publike dhe Sociale
-Profesor në Universitetin e Bukureshtit
-Profesor në Universitetin e Tiranës
-Ministër Këshilltar në Ambasadën Shqiptare në Bukuresht
-Këshilltar për Organizata Evropiane të Zhvillimit Ekonomik dhe Publik, jo Qeveritare, në Shqipëri, Austri dhe Rumani.