Minierat në Bulqizë, PS-ja akuzon Rulin dhe Kuliçajn
TIRANË Në fillim të sesionit të ri parlamentar, Partia Socialiste nuk ka kursyer për afera korruptive anëtarë të kabinetit qeveritar, lidhur me minierat e kromit në Bulqizë.
Nënkryetari i grupit kuvendor socialist, Saimir Tahiri, ka deklaruar gjatë seancës së djeshme se pas kompanive që shfrytëzojnë nëntokën e Bulqizës qëndrojnë njerëz me pushtet. “E gjithë kjo situatë nuk është vetëm nga papërgjegjshmëria, por është edhe nga korrupsioni. Komanda e korrupsionit, ai që mbahet me gangsterë e polici, pushtet e ryshfete, është Roland Keta, kryetari i bashkisë dhe njëkohësisht kryetari i PD-së. Vëllai i tij, Eduard Keta, ka katër licenca. Deputetët e PD-së në Bulqizë kanë licenca pas emrave të tjerë. Vetë Genc Ruli kontrollon një rrjet licencash që punojnë për të në Bulqizë. Kontrabanda shkon edhe më lart, te të praprekshmit e familjes Berisha, emri i Agron Kuliçit lidhet drejtpërdrejtë me kontrabandën e mineraleve”, tha dje Tahiri. Por përmendja nga sa më sipër e emrave politikanë, por edhe zyrtarësh të lartë shtetërorë, ka sjellë tension në sallë. Deputeti Jemin Gjana është çuar nga vendi dhe është drejtuar te foltorja ku po fliste deputeti Tahiri. Forcat e Gardës kanë ndërhyrë mes palëve, ndërsa seanca është ndërprerë për disa minuta. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, ka kërkuar dje që të sillet menjëherë në Kuvend projektligji për statusin e minatorit. “Ndërprisni kontrabandën e mineraleve dhe çoni në prokurori të gjithë ata që abuzojnë me pasuritë publike në Bulqizë” - tha ai. Nga ana tjetër, ministri i thirrur në interpelancë, Nasip Naço, tha se greva e minatorëve është e ligjshme, porse drejtuesit e grevës po spekulojnë. “Greva e punonjësve është ndjekur për kërkesat e ligjshme të minatorëve. Pasi kam ndjekur nga afër dinamikën e kësaj greve, kam krijuar bindjen e plotë se drejtuesit e grevës po spekulojnë me interesat e ligjshme të minatorëve dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet për të larguar kompaninë ACR, me synimin e qartë për t'u kthyer nga sindikalistë në biznesmenë, qoftë edhe me financimin e disa grupeve të biznesit lokal që mbajnë peng zgjidhjen e kësaj situate deri në falimentimin e kësaj kompanie dhe largimin e saj nga Shqipëria”, - tha Naço.
Agron Kuliçaj padit në Gjykatë për shpifje Tahirin
TIRANË Policia e Shtetit përgënjeshtroi dje akuzat e paraqitura gjatë seancës së djeshme plenare të Kuvendit të Shqipërisë nga ana e deputetit Sajmir Tahiri për lidhje me kontrabandën e mineraleve të zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj. “Policia e Shtetit i konsideron këto akuza presione të papranueshme kundër punës së Policisë së Shtetit në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zv.drejtori i Përgjithshëm Agron Kuliçaj ka depozituar sot pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë një padi civile për shpifje për shkak të detyrës kundër shtetasit Sajmir Tahiri, deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Zv.drejtori i Përgjithshëm Agron Kuliçaj drejton me sukses Departamentin Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, sukses i cili është i njohur dhe vlerësuar nga organizata të rëndësishme partnere që asistojnë dhe bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit” - thuhet në reagimin zyrtar të Policisë së Shtetit.
Në deklaratë thuhet se qëndrimet pa fakte dhe prova synojnë në mënyrë të përsëritur të dëmtojnë imazhin e Policisë së Shtetit dhe të drejtuesve të saj.