E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: SHBA-ja konfirmoi mbështetjen për Shqipërinë

“Janë shumë të pakta çështjet për të cilat nuk u diskutua në frymën më të hapur e më miqësore. Kryesore ishte ndihma ndaj Shqipërisë në rrugën drejt BE-së”, deklaroi Berisha, pas takimeve me zyrtarë të lartë amerikanë përfshirë sekretaren e Shtetit Hilari Klinton.

Lidhur me reformën në drejtësi, kryeministri tha se është detyrë e të gjithë aktorëve të kontribuojnë e të marrin përgjegjësi. “Qeveria e SHBA-së dëshiron të ndihmojnë Shqipërinë dhe kjo është një përgjegjësi në radhë të parë për Qeverinë, por edhe për të gjitha forcat e tjera, për konsolidimin e pavarësisë së Gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, reformën në drejtësi dhe heqjen e imunitetit. Sekretarja Klinton më kërkoi heqjen e imunitetit”, theksoi Berisha.

Duke u ndalur te çështja e korrupsionit, kreu i qeverisë përsëriti qëndrimin e tij se Shqipëria nuk e ka humbur betejën me këtë fenomen, duke përmendur “vendosmërinë dhe reformat e ndërmarra në këtë drejtim. Jemi ndër të paktat qeveri që publikojmë brenda 24 orësh të dhënat mbi shpenzimet nga thesari. Nuk themi që nuk ka korrupsion, por ka edhe një vullnet të hekurt në luftën ndaj tij. Vërtet nuk ka pasur ndëshkime të zyrtarëve të lartë, por ne duhet të synojmë barazinë e të gjithëve para ligjit, jo shënjestrimin për shkak të detyrës”.

Sa i takon reformës zgjedhore, kryeministri Berisha u shpreh se sistemi aktual zgjedhor është më i miri për Shqipërinë, pasi sipas tij ka rregulluar më së miri përfaqësimin e zgjedhësve në Parlament.

Numri një i ekzekutivit u ndal edhe te çështja e zgjedhjes së Presidentit, duke mos dhënë një përgjigje të prerë nëse shumica do të pranojë një kandidat nga e majta. “Ky është një proces që duhet të kalojë nëpërmjet konsultimit dhe ne jemi gati të bashkëpunojmë me opozitën dhe të gjitha forcat e tjera - theksoi Berisha -. Uroj që të mbizotërojë vullneti nga të gjitha palët. Ne jemi të hapur për konsultime dhe të vendosur t’i përmbahemi Kushtetutës”.
/Start/

                                                                                             2012-04-27 18:50
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›