E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takon pa zë e figurë kreun e Kongresit, e fton edhe atë për vizitë në 100-vjetorin

Share

Kryeministri Sali Berisha është pritur sot në një takim nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili është dhe njëkohësisht Kryetar i Kongresit të SHBA, zoti John Boehner. Nuk ka pasur asnjë pamje dhe foto nga takimi. Mediat kanë filmuar vetëm Berishën duke hyrë në korridor, ndërkohë që si në rastin e takimit me Hillari Klinton, njoftimin e vetëm për shtyp e ka publikuar zyra e Berishës.

Kryeministri Berisha, duke e falenderuar zotin Boehner për pritjen, e njohu me reformat dhe arritjet e rëndësishme gjatë kësaj periudhe, në të gjitha fushat, në atë politike, në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, ndërtimit të infrastrukturave, energjisë, turizmit, teknologjisë së informacionit etj. Në takim, bashkëbiseduesit rikonfirmuan se liria ka funksionuar në zhvillimin dhe përparimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë. Më tej në takim u diskutuan edhe zhvillimet në rajon, si edhe përpjekjet e rëndësishme që po bëhen në vendet e rajonit dhe të Bashkimit Europian, për të tejkaluar krizën që ka prekur disa vende të Eurozonës, thuhet në njoftim.

Normalisht, edhe në këtë takim Berisha e ka ftuar Kryetarin e Kongresit, z. Boehner, për të vizituar Shqipërinë, duke i theksuar se për shqiptaret do të ishte një nder i madh që në 100 vjetorin e pavarësisë të mirëpresin një mik të shquar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›