Berisha: Saranda, në krye të kurorës turistike
Në vijim të turit të tij elektoral kryeministri Berisha është ndalur në qytetin e Sarandës ku ka prezantuar kandidatin e koalicionit “aleanca për qytetarin” Edmond Gjoka.
Në fjalën e tij kryeministri Berisha ka garantuar qytetarët se Gjoka do marrë mbështetjen maksimale të qeverisë, si kusht kryesor për Shqipërinë vend të zhvilluar.
Sipas tij gjatë qeverisjes së tij Edmond Gjoka e ngjiti Sarandën në krye të kurorës turistike të vendit.
“Votat për Edmond Gjokën do të shënojnë një sukses të vërtetë për Sarandën, perlën e bukurive botërore”, u shpreh kreu i qeverisë duke shtuar se në katër vitet që do të vijnë Saranda do të ketë infrastrukturën më moderne.
Berisha gjithashtu premtoi investime të reja për qarkun dhe më shumë punë për zhvillimin e turizmit në Sarandë.
"Do të asfaltojmë çdo kilometër rrugë në shërbim të qytetarëve. Edmond Gjoka do ta shndërrojë votën në sukses për të gjithë sarandiotët", tha Berisha.