Berisha: Shkollimi dhe punësimi i të rinjve, preokupim absolut për qeverinë

Studentët/ Bashkia grant 2500 dollarë për 10 plan-biznese
Kryeministri Sali Berisha ritheksoi dje, se “nëse ka një preokupim absolut për qeverinë ky është shkollimi dhe punësimi i të rinjve”.
Gjatë një takimi me sipërmarrës të rinj, të organizuar nga bashkia e Tiranës, Kryeministri Berisha përgëzoi bashkinë e Tiranës për këmbënguljen që tregoi për shtrirjen në realitet të programit të saj. “Ndezja e një gare të tillë, zhvillimi i saj është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Konsolidimi i praktikave të tilla, dinamizimi i zyrave të karrierës shqyrtimi i të gjitha mundësive për kualifikim dhe përshtatjen e mirë për tregun është një interes jetik për fakultetet e universitetet tona, është një interes madhor për një dinamizim të tregut të punës, faktor madhor në performancën e një ekonomie”, tha Berisha.
Duke folur për Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë kohës që ishte në krye të Bashkisë së Tiranës, Berisha u shpreh se, “nëse analizoni fjalimin e tij, ju nuk do të gjeni fjalën punësim. Përkundrazi kur PD me kandidatin e saj shpalli platformën për punësim të qeverisjes së ardhshme vendore, përgjigja e tij ishte punësimi nuk është çështja ime, është e qeverisë”.
Por punësimi, vijoi ai, është çështja më kryesore e qeverisë vendore e të gjithë faktorëve të rëndësishëm të një qeverie.
Sipas tij, qeveria vendore në territorin e qytetit të Tiranës ka potencial të jashtëzakonshëm të ndikojë në punësim. “Punësimi është çështja më kryesore e qeverisë qendrore dhe vendore. Sigurisht, qeveria vendore, aktin e parë që bëri në territorin e qytetit të Tiranës, ishte zhdukja e 60-70 tarifave që i rëndonin si shpatë Demokleu biznesmenit. Ai që bërtet se do heqë taksat, i çoi ato në 104 mijë, por kanë zbritur prapë në 47 mijë”, theksoi Berisha. “Nëse ka një preokupim absolut për ne është shkollimi dhe punësimi i të rinjve. Unë përgëzoj Bashën dhe Bankën Botërore, që me një shumë të caktuar kanë bërë të ndizet një garë e një rëndësie shumë të madhe. Unë i ndoqa projektet, një avokati e shkëlqyer me një interes shumë të madh. Bashkia e Tiranës ka votuar miliona dollarë garanci për zbutjen e kredive për të mbështetur iniciativën tuaj të lirë, një akt për tu përshëndetur”, tha Berisha.
Kështu, shtoi Kryeministri, mund të kontribuonin të gjitha bashkitë e mëdha të Shqipërisë, në qoftë se ndiejnë përgjegjësinë për punësimin e qytetarëve të tyre.
“Qeveria do të krijojë fonde të përbashkëta me Dhomën e Tregtisë, ku ju do aplikoni për projektet tuaja dhe do fitoni mbështetjen”, tha Berisha.
Kjo është vetëm një pjesë e projektit të Bashkisë së Tiranës dhe Bankës Botërore. Nga ky projekt kanë përfituar edhe 353 të rinj të kryeqytetit, të cilët janë trajnuar dhe mbështetur me grante, për të hapur një biznes të ri.
Kryebashkiaku Lulzim Basha e ka cilësuar këtë nismë, si pjesë të vizionit të Bashkisë për të mbështetur sipërmarrjen dhe punësimin e të rinjve të kryeqytetit.
“Është një premtim që po bëhet realitet në vitin e dytë nga kjo bashki, sikundër shpreh kënaqësinë time që është një premtim frymëzues edhe për paraardhësin tim, për 11 vite në Bashkinë e Tiranës, frymëzimi i të cilit është kaq i madh, sa që po na habit duke na thënë se ‘i paskemi kopjuar një program’, të cilin kishte 11 vite që nuk e zbatonte e në fakt as nuk e premtonte. Kjo është pjesë e një përballje tjetër, një përballje që pa dyshim do të na vendosë edhe njëherë përpara zgjedhjeve, ashtu sikundër është vendosur edhe juria sot, për të zgjedhur propozimin më të mirë, propozime që duhet të vijnë të plota, të detajuara nga ata që kërkojnë votën e qytetarëve të Tiranës dhe jo të kamuflohen në ‘demagogjira’”.
Brenda muajit maj pritet të nisë edhe jetësimi i fondit të garancive të vëna në dispozicion nga Bashkia e Tiranës, për të rinjtë nën 35 vjeç që do të hapin një biznes të ri. Kjo është një formë e nxitjes së kreditimit për rininë, sipërmarrësit e rinj. “Nuk mbetemi tek fjalët, kemi vënë edhe bastin 1 milionë euro dhe presim të shpërblehemi nga entuziazmi dhe besimi i rinisë kryeqytetase tek vetja e tyre dhe tek sipërmarrja e lirë, tek liria për të bërë biznes në qytetin tonë, bast të cilit edhe Kryeministri Berisha ka ndërmend t’i bashkëngjitet (ndoshta basti i parë të cilit do i bashkëngjitet në jetën e tij)”, theksoi Lulzim Basha.