E Diel, 1 Nëntor 2026

E djathta si Europa - punësim, mirëqenie dhe integrim

25-04-2013 / Nga Adrian Roshniku

Teksa dëgjonim juristin Gjonçaj me pretendime kinse asnjanësie, na u kujtuan avokatët e PPSH, hetues, prokurorë e gjykatës, që ndëshkonin pas torturash bijtë e lirisë, poetët, shkrimtarët, inxhinierët e shkencëtarët, sipas ligjeve mizore të diktaturës komuniste në qytetet si Shkodra, Tirana, Durrësi, Elbasani, Berati, Korça, Gjirokastra, Vlora etj. Teatrot e kinematë fill pas mbarimit të luftës u kthyen në salla tragjike, ku dënoheshin me vdekje rilindasit shqiptar me urdhër të Partisë Komuniste Jugosllave. Mënyra sesi shprehej juristi i PS ia kalonte dhe çdo deputeti social-komunist. që shkon në Kuvend për të marrë rrogën e për shamatë. Të gjitha argumentet që parashtronte ishin jashtë çdo logjike juridike, të gjitha të porositura për interesa të ngushta partiake. Kërkesa për ndërtimin e KQZ dukej qartë se ishte loja e zakonshme e ish-piktorit me emrin Edvin Rama dhe e ish-ministrit komunist me emrin Gramoz Ruçi për prishjen e procesit zgjedhor e krijimin e një gjendje krize për shtyrjen e votimeve. Mesa kuptohet edhe në këtë situatë Edvin Ramës me shokë nuk po u dalin llogaritë. Prandaj Rama vrapon i shqetësuar  për votat dhe jep poshtë e lartë shfaqje estrade, kur kthehet lë prapa si lopa nga një gafë. Bie fjala në Malësinë e Madhe në mes të një parcele me sherbelë prej dhjetë hektaresh pa pasur haber nga bimët  përpiqej t’u mbushte mendjen fermerëve se qeveria ua ka lënë tokat djerrë. Shkon në Divjakë te serat, në vend që t’i përgëzoj fermerët, pa pasur asnjë ide për ekonominë e tregut, i pyet përse kishin mbjellje aq shumë. Në Berat, me përbuzje ndaj shtimit të ullinjve padashka tregoi se shtëpitë në fshatra janë mbushur me ullinj, pastaj duke bërtitur u qau hallin fermerëve se çdo bëjnë me gjithë ata ullinj! Pra, na doli përsëri në dritë teoria marksiste e superprodhimit kapitalist dhe porosia e E. Hoxhës për mbjelljen e lule diellit pranë ullishtave sipas përvojës jugosllave! Duke ngritur dorën lart foli për mungesën e rrugëve në Berat e gjetkë. Për cilat rrugë flet kundërshtari i ndërtimit të rrugëve të kombit? Aleatja LSI hesht për votimin e tre ligjeve, kurse zhurma për integrimin në Europë siç duket u fashit, duke zhgënjyer kështu mjaft nga  ithtarët  e saj.
Në këtë stad të zhvillimit të demokracisë dhe arritjeve në fusha të ndryshme të ekonomisë, kulturës dhe arsimit, mendimi i votuesve ka shkuar më përpara. Në vitin 2013  ata ndihen më mirë e gjykojnë më drejtë se sa në vitin 2009. Përrallat për gjendje krize si ajo e vitit 1997, të përhapura tok me gafat nga Edvin Rama, nuk i dëgjojnë as ata, që pak  vite më parë, të ndikuar nga shpifjet e shtypit të majtë, ishin të pavendosur, pa le shumica e qytetarëve shqiptar në qytet e fshat të cilët vuajtën nën sundimin e egër të regjimit  të majtë shumë vite me radhë. Në shtypin e majtë, si “Zëri i Popullit” i PS rozë-mavi, “Kushtrim Brezash”, flakë e kuqe, “Tema” e zezë e shpifjeve, “Shekulli” etj, në mungesë të ideve gëlojnë thashetheme e shpifje plot mllef kundër zhvillimeve të sotme apo historizma nostalgjike  Në shkrimet për periudhën 1944 -1991 bëhen përpjekje të dështuara për rehabilitimin e emrave nga të cilët shumica e shqiptarëve rrënqethen, si J.Stalini, E. Hoxha,  H. Kapo,  R. Alija, M. Shehu, K. Hazbiu, F.Shehu, Zylyftar Ramizi etj. Vihet re, se shkruajnë lirshëm “sundimi zogist” apo “diktatura fashiste”, ndërsa në vend të  termit diktaturë komuniste shënojnë thjeshtë “monizëmm.” Këtë shtyp që nxin gjithçka, mjerisht e mbajnë më këmbë kasandra të plakura e të reja me nivel të ulët kulturor. Vetëm nga emri i autorit gjithkush zbulon menjëherë se janë po ata, që dikur në emër të Partisë së Punës mbushnin faqe të tëra me shkrime kundër demokracive perëndimore me shprehjet, “imperializmi anglo-amerikan”, “revashizmi gjermano-perëndimor”, “Italia neofashiste”, “Greqia monarko-fashiste” etj. Provoni të flisni apo të shkruani për luftën vëllavrasëse të komunistëve, apo kundër Piramidës së diktatorit E. Hoxha, merrni pjesë në festën e përvjetorit të Pavarësisë Kombëtare apo të Kosovës me shprehje patriotike, kërkoni ndreqjen e historisë së shtrembëruar, në çast do të përballeni me fyerje nga tipa gjasme “historianë”, të vjetër e të rinj të cilët sot duke përfituar nga disa lidhje të përkohshme me perëndimin gjatë kohës së luftës, vazhdojnë të bëjnë zhurmë me emërtime “kolaboracionistë”, “Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare e Popullit Shqiptar”, apo “Fronti Nacional Çlirimtar” e “Fronti Demokratik”, pas të cilëve, siç dihet nga të gjithë, fshihej Partia Komuniste që kërkonte pushtetin me simbol yllin e kuq komunist. Pastaj hutojnë brezin e ri me rrëfime të mefshta për heroizma agjentësh të sigurimit duke hedhur baltë mbi luftëtarët e lirisë të pushkatuar nga diktatura komuniste.
 Aleanca qesharake e PS me 40 partitë fantazma kinse të rindërtuara, të punës apo komuniste nën moton “Rilindje”, nuk çudisin më shqiptarët e ndershëm. Fijet e kuqe e këtyre partive dalin po nga një rrënjë. Nënshkrimi i aleancës PS-LSI në Shkodrën e përgjakur nga komunistët qysh më 1944, qe një  fyerje  e rëndë e provokim i hapët ndaj qytetarëve liridashës shkodranë të cilët qenë të parët që u ngritën kundër diktaturës. Në një farë mënyre ashtu si më 8 nëntor 1941 edhe tani në prill 2013, sërish me ndihmën e Dushanëve u rithemelua Partia e rrënuar komuniste. Shqiptarët e Ballkanit tani mund të dëgjojnë qartë marshin revanshist të kallashnikovëve mbi Kosovën nga Goran Bregoviçi që mban Çelësin e Artë të kryeqytetit tonë, dhuruar nga ish-kryebashkiaku Rama, i cili  për shumë bëma të tjera, më 2011u ndëshkua nga votat e qytetarëve të Tiranës. Tashmë Partia Socialiste me konsensuset e marrëveshjet e saj parlamentare nuk ekziston më. Aleanca e 40 partive në të vërtetë është po ajo parti, Partia e Punës, që kërkon verbërisht rikthimin e pushtetit absolut mbi të gjithë vendin tonë, nën moton “Rilindje.“ Të gjithë janë dëshmitarë për ato që ndodhën fill pas humbjes së vitit 2005 me mbi 20 ankimime në gjyqe, apo pas vitit 2009, kur bota pa një parti krejt ndryshe e cila kërkonte pushtetin e vjetër, duke bredhur rrugëve jashtë Kuvendit, e shtrirë nën çadra, e rebeluar në bulevarde dhe në barrikada me goma e gurë në rrugët nacionale. Nga figura “aleatësh”, si Rama, Ruçi, Blushi, Milo e Gjinushi me shokë dëgjojmë dendur slloganin e pluhurosur të Partisë së Punës ”të mbrojmë kauzën!” Çfarë kauze mbrojnë këta bijë enveristësh, bie fjala kur Rama i Kristaqit e Blushi i Kiços deklarojnë se problemet kombëtare të shqiptarëve në Ballkan janë kapërcyer, kurse nga ana tjetër përpiqen me këmbëngulje të pengojnë hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian? Çfarë kauze mbrojnë këta pasardhës që flasin për rilindje fantazmash dhe mohojnë gjithçka të bukur në Shqipëri? Çfarë kauze mbrojnë këta që kanë zili arritjet e Qeverisë Demokratike me doktor Sali Berishën në krye?
Të votosh për PS e sotme do të thotë të kthesh historinë mbrapsht me të gjitha dramat e saj tragjike dhe të frenosh ecjen e mëtejshme. Por shqiptarët e mençur e patriotë duke u njohur me programi konkret të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, tashmë shikojnë përpara me vullnetin e dëshirën për realizimin e ëndrrës së madhe, anëtarësimin e Shqipërisë në Europën e Bashkuar, të barabartë krahas gjithëve vendeve të përparuara, sipas motos: punësim, mirëqenie dhe integrim.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›