Berisha: Shqipëria ka pesëfishuar eksportin e verës

Kryeministri Berisha merr pjesë në çeljen e Panairit Ndërkombëtar të Verës “Ballkan Ëine Expo 2012”
Kryeministri Berisha mori pjesë të dielën paradite në ceremoninë e çeljes së Panarit Ndërkombëtar të Verës për Ballkanin “Ballkan Ëine Expo 2012”. Panairi i cili zuri vend në mjediset e Pallatit të Kongreseve është i pari i këtij lloji dhe i drejtohet profesionisteve te verës dhe gjithë operatoreve te sektorit.
Edicioni i pare i “Balkan Ëine Expo 2012", i dedikohet verërave lider në tregun botëror dhe përqendrohet në Shqipëri për tu kthyer në një tradite shumë vjeçare e udhëhequr nga cilësia dhe origjinaliteti i markës dhe patentës përkatëse.
Në panair kanë ekspozuar prodhimet e tyre më shumë se 100 kantina të verës, të ardhura nga Italia, Franca, Greqia, Kroacia, Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova, te cilat promovojnë verëra gjithmonë e me te shijuara në botë. Panairi ka si qëllim që të krijojë mundësi të reja për kompanitë e orientuara drejt tregut të zonave në Jug-Lindje të Evropës, të rrisë gamën e produkteve në treg, duke përmirësuar dhe konkurrencën, si dhe të edukojë konsumatorin me produktin origjinal dhe të vërtetë.
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, zoti Genc Ruli dhe organizatorë të Panairit vizitoi stendat me produktet e ekspozuara nga të gjitha vendet pjesëmarrëse dhe u takua me prodhuesit, të cilët i përgëzoi për punën e shkëlqyer dhe cilësore në drejtim të prodhimit të verës.
Kryeministri i garantoi prodhuesit shqiptarë se qeveria do të bëjë gjithçka për të mbështetur fuqishëm rritjen e prodhimit dhe të cilësisë së verërave të tyre, si dhe për rritjen e hapësirave për tregun e verërave dhe prodhimet e tyre, në mënyrë që shqiptarët të shijojnë verërat më të mira të kësaj toke.
Më pas, kryeministri iu drejtua me një përshëndetje, të pranishmëve në këtë ceremoni, të cilët ishin sipërmarrës, importues e eksportues të verërave, drejtues dhe organizatorë të panairit, si dhe shumë qytetarë, vizitorë në panair.
“Ju falënderoj shumë përzemërsisht për ftesën që më bërë për të vizituar këtë panair të mrekullueshëm, dëshmi e një progresi të shkëlqyer të verës, prodhimit, tregut të saj në Shqipëri dhe në rajon.
Ky rajon në shekuj dhe mijëvjeçarë ka qenë dhe mbetet rajoni i varieteteve më të shkëlqyera të rrushit për prodhimin e verërave, varietete këto, të cilat janë shpërndarë në të katër anët e planetit dhe kanë krijuar një larmi të madhe verërash të shkëlqyera, nga Italia në Kaliforni.
Shqipëria ka qenë gjithnjë një rajon i rëndësishëm rrushi dhe vere. Është një kënaqësi e madhe për mua të deklaroj sot se në një hark kohor të shkurtër, prodhimi i verës në Shqipëri është pesëfishuar; në një hark kohor të shkurtër eksporti i verërave shqiptare është katër-pesëfishuar; në një hark kohor të shkurtër verërat e këtij vendi konkurrojnë ne drekat dhe darkat , festat dhe kremtimet e qytetarëve shqiptarë, krahas verërave prestigjioze, italiane, franceze, greke, maqedonase, kroate, sllovene dhe të gjithë vendeve të tjera.
Shqipëria ka një politikë inkurajuese për vreshtarinë, verën dhe produkte të tjera të rrushit. Dora-dorës po rikthehen disa nga verërat më të shkëlqyera të traditës së lashtë shqiptare. Qeveria do të bëjë gjithçka që të identifikojë llojet më të pastra, të financojë përhapjen e tyre dhe të bëjë që shqiptarët të konkurrojnë me dinjitet të madh në tregun rajonal të verërave dhe më gjerë. Shqipëria ka një terren të jashtëzakonshëm për të prodhuar verërat e cilësisë më të lartë, nga kodrat e Risilisë, tek zallishtet e Shtoit dhe malësisë së madhe, Kallmeti dhe fshatrat Shesh të Tiranës dhe zona të tjera, janë pa diskutim varietetet më mahnitëse të rrushit, të cilat mund të prodhojnë dhe do të prodhojnë verëra të cilësisë më të lartë.
Edhe një here ju përgëzoj për këtë panair. I garantoj prodhuesit e verës se qeveria do të bëjë gjithçka për të mbështetur fuqishëm rritjen e prodhimit dhe të cilësisë së verërave të tyre, do të bëjë gjithçka për rritjen e hapësirave për tregun e verërave dhe prodhimet e tyre, duke ruajtur natyrisht standardet më liberale dhe duke bërë që shqiptarët të shijojnë verërat më të mira të kësaj toke.