Berisha: Shqipëria ka potenciale për të dhjetëfishuar prodhimin bujqësor
Kryeministri Berisha takohet dhe bashkëbisedon me fermerët e Divjakës për projektin e “Shqipërisë së Zhvilluar”
Në funksion të thithjes të ideve për programin e qeverisjes së katër viteve të ardhshme, kryeministri Sali Berisha u ndal dje në një takim me qytetarë dhe fermerë të zonës së Divjakës.
Në fjalën e tij përpara fermerëve të Divjakës, Berisha u shpreh vizioni i ardhshëm i qeverisë, është për një Shqipëri akoma më të zhvilluar. Kreu i qeverisë theksoi se qeveria ka mbështetur me grante dhe me kredi mbi njëmijë fermerë të Divjakës si dhe ka dyfishuar investimet në infrastrukturë.
Kryeministri premtoi se, qeveria e katër viteve të ardhshme do të bëjë gjithçka për një mbështetje të gjithanshme dhe të fuqishme, për rritjen e prodhimit bujqësor dhe zhvillimin rural të vendit.
“Në vitet që vijnë ne do të bëjmë gjithçka të shumëfishojmë prodhimin tuaj. Kam kënaqësinë tu informoj se në 6 vitet e fundit, eksportet bujqësore, nga 66 milion dollarë që kanë qenë, kanë arritur në 164 milion dollarë. Por unë nuk jam i kënaqur me këtë, sepse kam bindjen se potenciali ynë është mbi 10 herë më shumë. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ekonominë shqiptare, sepse balancon atë që quhet bilanc pagesash, raportet midis eksporteve dhe importeve. Deri sot ky balance është i çrregulluar, është mbuluar në një mënyrë nga paratë që kanë dërguar emigrantët, por është në detyrën tonë të bëjmë gjithçka për të siguruar këtë balancë nëpërmjet prodhimeve tona. Ashtu siç kam deklaruar dhe në të gjitha takimet e tjera që kam zhvilluar, deri në datën 23 Qershor ju qytetarët jeni dhe do të jeni kryeministri im”, deklaroi kryeministri Berisha.
Bashkëbisedimi i kryeministrit me fermerët e Divjakës
Së pari ju falënderojmë për gjithë ato punë reale që keni realizuar në zonën tonë, veçanërisht në infrastrukturë, në rrugë, të cilat shpresojmë të vazhdojnë edhe më tej. Por zona jonë ngre disa problematika që kanë lidhje me sistemin e kullimit, me sistemin e vaditjeve, të cilat mungojnë. Gjithashtu, ka shumë abuzime me çmimet e farërave apo plehrave kimike, në interes të tregtarëve. Çfarë mund të bëhet për të forcuar kontrollin me këto abuzime, por edhe për zgjidhjen e problemeve të mësipërme që unë përmenda? Unë zoti Kryeministër, nuk e vë në dyshim se ju kur jepni fjalën e mbani atë...
Së pari, dua të ndalem në zhvillimin e kësaj zone. Zhvillimi, para së gjithash është vepër e juaja, e mundit, e djersës, e punës, përkushtimit tuaj si njerëz të lirë. Në këtë aspekt, unë kam nderimin tim për të gjithë ju. Në Divjakë ne kemi investuar këto vite, kryesisht në rrugë, 900 milionë lekë në të gjithë sistemin rrugor, nga Divjaka, te Pushimi i Shoferit e në disa rrugë të tjera. Unë ju garantoj se, jo vetëm rrugën e Çermës, por çdo rrugë tjetër, do të rindërtohet dhe asfaltohet. Ky është qëllim kryesor. Unë ju garantoj se më shumë se 2/3-at e fondeve, çdo vit, janë vendosur për rrugët. Por kur e nisëm këtë sistem rrugësh, në gjithë Shqipërinë kishim 2430 km rrugë të asfaltuara. Kjo ishte e vërteta. Kur deklarova se do të asfaltojmë 6 mijë km, kundërshtarët e mi thanë se ato nuk ekzistojnë. Në fakt, Shqipëria ka 18 mijë e 300 km rrugë. Një gjeolog e ka shprehur bukur; “po ta “hekurosësh” Shqipërinë, është sa gjysma e Kanadasë”, në aspektin e relievit. Pra, në këtë kontekst, them se kemi bërë mirë që u morëm me rrugët, sepse rruga është “Alfa” për tregun, zhvillimin, nuk është thjesht nxitje prodhimi, por është shkollim, kujdes shëndetësor, pra rruga është jetike. Një fjalë thotë: ti ndërton rrugën, rruga ndërton ty.
Cili do të jetë projekti tjetër i yni i madh? Do të jetë forcimi i sistemeve të vaditjes, para së gjithash. Do të bëjmë gjithçka që, në këtë vend plot ujëra, të garantojmë vaditjen në të katër anët e tij. Ju në Divjakë keni të gjitha projektet dhe shumë shpejt do të fillojë zbatimi i tyre, ku do të garantohet ujitje për 2500 ha, të cilat sot janë ashtu siç ju thatë, pra presin pikat e shiut për t’u vaditur. Janë përcaktuar të gjitha ndërhyrjet se ku do bëhen shpimet e puset, për të garantuar ujitjen. Një projekt që është bërë së bashku me BB-në, ka nisur zbatimin e tij dhe përfshin plotësisht Divjakën. Gjithnjë, kur them sisteme vaditjeje, gjithnjë ato do të paraprihet nga sistemet e kullimit. Ne kemi investuar jo pak në këtë drejtim, sidomos në rrethin tuaj, por sërish investime të tjera duhen, për të garantuar tërësisht kullimin. Ju e thatë bukur se këtu mbillet 13 herë në vit dhe ata hektarë që mbillen, dënohen për të mos prodhuar në periudhën që janë me ujë.
Krahas këtyre, ne kemi arritur në një përfundim tjetër, do të shumëfishojmë grantet për ju dhe kreditë e buta. Kjo ka nisur që këtë vit. Ne shkuam rreth 1 miliardë pothuajse, nëpërmjet Komisionit Evropian dhe do të shtojmë edhe në vazhdim, por do të bëjmë gjithçka për të nxitur përpunimin, do të bëjmë çdo gjë për të zbutur kreditë për agrobiznesin. Ju e keni dëgjuar, ne do të heqim çdo lloj TVSH-je për çdo lloj malli që importohet për interes të fermerëve, ose që blihet në vend për fermat, me kusht që ai të mos u dëmtojë ju. P.sh. fara e grurit prodhohet gjerësisht në vend dhe nuk ke leverdi ta dëmtosh atë. Do heqim TVSH-në për të gjitha bagëtitë e racës, të gjitha materialet elitare që nevojiten për përmirësimet racore, do heqim TVSH-në për fidanët, për çdo lloj makinerie. Ne e bëjmë këtë në mënyrë që ju të bëheni më konkurrues me fermerët e vendeve të tjera. Unë besoj se kjo është një lehtësi serioze. Unë mund t’u them se vetëm nga TVSH-ja e gjedhëve racorë, e fidanëve, në një vit, buxheti i shtetit do të ketë më pak rreth 23 milionë euro, kurse në tërësi, për heqjen e TVSH-së për importet bujqësore dhe materialet që shiten për bujqësinë, kjo ulje mund të shkojë në rreth 70 milionë euro. Por, jam i bindur se po veprojmë drejtë, sepse jo në Divjakë ndoshta, por në tërësi, në shkallë vendi, kapacitetet prodhuese janë 10 herë më të mëdha sesa këto që kemi sot. Këtu janë shfrytëzuar këto kapacitete, pasi ashtu siç ju thatë, mbillet 13 herë, por nuk është kjo situatë në të gjitha zonat e tjera. Ne jemi një vend me sipërfaqe bujqësore ndër më të voglën në Evropë, 1800 m katror për frymë. Por a kemi potenciale për të shumëfishuar këtë sipërfaqe?. Sigurisht që po, sepse tokën e kemi pjellore kudo.
Ju falënderoj për qëndrimin tuaj, gjë që nuk e kam gjetur as te linja e ministrisë përkatëse, për mos-heqjen e TVSH-së për farën e grurit, për të mbrojtur prodhuesit e kësaj bime. Nëse ruhet në sistem farërash, ky prodhim mbulon mbi 60-70 për qind, deri në një prodhim të dytë. Këtu duhet pasur parasysh se nga jashtë na vjen edhe farë gruri pulash, që shitet për farë. Ky është realitet. Ju i keni vënë themelet bujqësisë moderne shqiptare të nesërme, me heqjen e TVSH-së së inputeve, të makinerive dhe traktorëve, me skemat e subvencioneve. Në vazhdim të kësaj, po ju parashtroj disa sugjerime për dy politik-bërje që nuk kanë faturë si TVSH-së, njëra ka të bëjë me marketingun e produkteve bujqësore shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, si dhe sigurinë ushqimore. Së dyti, shqetësim është handikapi i bujqësisë së copëtuar, ku kemi 350-400 mijë fermerë, por kemi 2 milionë e më shumë parcelëza. A mund të kemi një politikë që kjo të reduktohet nga viti në vit, të shkojmë drejt fermës moderne, 15-20-30 hektarësh?
Jam plotësisht dakord me ju. Duhet të bëjmë shumë më tepër për brend-et tona, për marketingun e prodhimeve tona. Unë kam bindjen se nuk ekzistojnë kund prodhime më të shijshme në Evropë sesa në Shqipërisë. Po të flasim në rrafshin biologjik, kjo nuk është një bindje e pabazuar, sepse Shqipëria ka 30 për qind të të gjithë bimësisë së Evropës, gjë e cila ka ndikim të jashtëzakonshëm në çdo gjë, është vendi me biodiversitetin më të lartë në Evropë, është vendi me klimën e mikroklimën më fantastike në shumë aspekte. Ndaj edhe ne, me prodhimet tona, kam bindjen më të thellë se do të mund të bëhemi të njohur, njësoj si me turizmin, në mbarë Evropën. Duhet të përcaktojmë rrugë, mekanizma, se si të bëhemi më prezentë në të gjitha mundësitë e marketingut të prodhimeve tona. Kemi disa vështirësi. Le të marrim një prodhim të caktuar, p.sh, rakinë, një prodhim shekullor i yni, pija e fortë që prodhohet me më të kushtueshmin dhe më të mirin e alkooleve, rrushin. Problemi ynë është pak te standardi. Ata që bëjnë raki nga dëllinja prodhojnë çdo shishe njëlloj, ndërsa ne që e prodhojmë nga rrushi nuk e bëjmë dot njësoj. Ky është një problem për ne. Pra, duhet të luftojmë shumë më tepër tek standardi, që të bësh marketingun e duhur. Por, kjo do të bëhet dhe duhet të punojmë fuqishëm. Po ecet në këtë drejtim, po nxitemi në mënyrën më të sigurt dhe ky është një sukses i madh. Gradualisht, me rritjen e eksporteve gjithnjë e më shumë, do të preferohemi edhe më shumë. Jam shumë dakord, marketingu duhet të jetë një drejtim kryesor i punës.
Lidhur me problemin e fermave, ju e dini se ne dolëm nga një sistem kooperativist skllavërues, që na la kujtimet më të këqija. Teksa një zotëri më parë këtu më përshkruante Divjakën si ishte dhe si është bërë, fjala e parë që i thashë ishte se e keni bërë ju. Unë jam rritur në një familje e cila nuk ka qenë e varfër, ka pasur rreth 46 ha tokë që e punon intensivisht dhe 74 ha që e punonin pjesërisht. Punonin çdo natë me hënë, edhe në dimër edhe në verë dhe, natyrisht, kishin një jetë normale. Por kjo familje, një moment u katandis keq dhe absolutisht, është një nga momentet më prekëse të jetës sime. Im atë jetonte me mua në Tiranë, sepse ashtu i erdhën problemet, por shkonte periodikisht për të vizituar vëllain e tij. Po në këtë familje, pas një vizite ku im atë ndenji 2-3 ditë atje, kur u kthye unë e pyeta se si ishin atje. Ai mu përgjigj; T’i kisha lënë të vdekur, do kisha qenë shumë më i lumtur. Unë e pyeta se përse shprehej ashtu dhe ai mu përgjigj; sepse në mënyrë absolute, nuk kishin asgjë tjetër përveç bukë e kripë, bukë e sheqer e përshesh me vaj. Ne që ishim në qytet ndoshta nuk e njihnim këtë gjendje, por kjo gjendje ishte masive në fshat. E solla këtë shembull këtu për të theksuar se çfarë mendimi krijoi kooperativa bujqësore te shqiptarët. Por e vërteta është se sot, ato mund të jenë të një tipi tjetër. Ne kemi filluar punën në këtë drejtim, në disa zona dhe po ecim jashtëzakonisht mirë. Me ndihmën e qeverisë spanjolle, ne po krijojmë këto shoqëri që thoni ju. Mund t’u them se njëra prej tyre, në Bushat, ka eksportuar në Kosovë, në vitin 2011, 30 mijë tonë shalqi. Ndaj dhe është shumë e rëndësishme që t’i nxisim, t’i inkurajojmë këto shoqëri, sepse racionohen mjetet, rritet prodhimi, bëhet shumë më i leverdishëm parashikimi dhe rritet fitimi. Do të përpiqemi t’i nxisim gjithnjë, mbi bazën më vullnetar, mbi bazën e interesit më të mirë të çdo fermeri.
Unë kam një vajzë dhe tokën ia kam dhënë asaj. I bëra të gjitha ato që më kërkuan dhe tani më thonë nuk bëhet. Së dyti, kam një fqinj që më ka hyrë në territorin e shtëpisë dhe kërkoj nga ju një ekspert për ta vlerësuar këtë, sepse ai më thotë që është regjistruar kështu tani. Së treti, jam pensionist dhe ai që jep pensionet nuk është nga Divjaka dhe ne rrime e presim në radhë kur të vijë ai...
Zoti Gjini, lidhur me të drejtën tënde për t’ia dhënë tokën vajzës, nuk mund të ketë asnjë pengesë. Kjo në qoftë se toka është prona juaj. Në respekt të Kodit Civil dhe trashëgimisë, ka detyrime në rast se keni fëmijë të tjerë. Duhet që të shprehen ekspertët se cila është e drejta e tyre. Ju mund të më bëni një letër dhe unë të angazhoj specialistët që të të sqarojnë në çdo aspekt të çështjes së parë. Për problemin e dytë, unë do të të dërgoj një specialist. Brenda një jave ai do të të takojë ty bashkë me deputetin dhe do të merren me zgjidhjen e problemit. Për të tretin do të vendosim pensionet në bankomate. Të shkosh dhe ta marrësh pension në bankomat. Posta e Shqiptare po krijon bank-postën. Ky projekt është në përpunim e sipër dhe kërkon të instalohen bankomatët në çdo zyrë postare. Qëllim i parë dhe më kryesor që unë ia kam kërkuar këtë Postës kanë qenë pensionistët.