E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Selanikut vendosi 40 ditë burg për Frrokun dhe Jakun

01-03-2013 / Gazeta 55

INTERPOL zyrtarizon shpalljen në kërkim ndërkombëtar Frrokun dhe Jakun

Arben Frroku, do të bëjë 40 ditë burg në Greqi, para se të ekstradohet në Shqipëri për akuzën e vrasjes se ish shefit të komisariatit nr.6 Dritan Lamaj. Gjykata e Selanikut e shpalli të pafajshëm Arben Frrokun për “mbajtje të lëndëve narkotike”, pasi sasia prej 3.4 gram kokaine që iu gjet, nuk përbën vepër penale sipas ligjit grek. Kjo sasi edhe sipas avokatit Eftimios Kafkopoulos, ishte për përdorim vetjak nga i arrestuari Frroku. Ndërkohë afati 40 ditë burg për Arben Frrokun do të mbetet në fuqi, deri në ekstradimin e tij në Shqipëri. Edhe i arrestuari Arben Frroku, i kërkoi gjyqtarit ta lirojë nga burgu, që të kthehet në Shqipëri e të përballet me akuzat e ngritura për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Gjatë këtyre 40 ditëve, prokuroria greke pret nga drejtësia shqiptare dorëzimin e kërkesës për ekstradimin e Frrokut, bazuar mbi dyshimet e vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj mbrëmjen e 24 shkurtit. Për këtë vrasje, policia dhe prokuroria shqiptare kanë lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, i cili është shpërndarë nga Interpoli.
Urdhrat e Interpolit janë paraqitur ne seance nga prokuroria greke. Avokati Kafkopoulos, njëherazi mbrojtësi ligjor i ish-kryetarit të bashkisë së Selanikut që u dënua me burgim të përjetshëm, tha se klienti i tij është i pafajshëm. “Për momentin, prokuroria greke, nuk ka ndonjë provë apo vendim ku klienti im akuzohet për vrasje në Shqipëri”- tha avokati i Arben Frrokut.

INTERPOL: Në kërkim ndërkombëtar Frroku dhe Jaku

INTERPOL ka hedhur në faqen e personave të kërkuar fotot dhe të dhënat e Arben Frrokut dhe Jak Jakut, duke konfirmuar kështu shpalljen në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të autoriteteve shqiptare, dhe kërkesat për ekstradimin e tyre.
Ndërsa në rastin e Jakut, shënohet edhe akuza për drogë dhe mbajtje apo krime me armë, në rastin e Frrokut në faqen e Interpol ndodhen akuza për krime kundër jetës dhe shëndetit, si dhe kërkesa nga gjykata e krimeve të rënda në Tiranë.
Shpallja në kërkim ndërkombëtar për Frrokun dhe Jakun pason vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, që i vendosi masën e arrestit burg pa afat me akuzën e vrasjes së Kryekomisarit Dritan Lamaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›