Portali i qeverisë e-Albania, Matura Shtetërore me shërbim elektronik
Berisha: Arritje e madhe për Shqipërinë dixhitale
Kryeministri Berisha përuroi shërbimin elektronik të Maturës Shtetërore në portalin qeveritar e-Albania në shkollën e mesme “Petro Nini”.
Sipas Kryeministrit, ky shërbim aplikohet për herë të parë në maturën shtetërore. Në gjykimin e kreut të qeverisë, ky portal është hap i madh në rrugën e Shqipërisë dixhitale.
“Shërbimi elektronik i maturës shtetërore, arritje e madhe për Shqipërinë dixhitale. Mikrosoft ka trajnuar mbi 8 mijë mësues për shërbimin elektronik të Maturës Shtetërore. Projekti ynë të ka në fokus kryerjen e të gjitha transaksioneve nëpërmjet celularit”, vlerësoi Berisha.
Portali unik qeveritar e-Albania është pjesa qendrore e një bashkimi solid të qeverisë në aspektin e shërbimeve elektronike të ofruara ndaj qytetarit dhe biznesit. Portali është projektuar që të ndërveprojë si një qark inteligjent, duke shërbyer si një pikë e vetme aksesi për qytetarët, për të gjitha shërbimet e ofruara nga administrata publike dhe institucionet përfaqësuese të saj.
Ky projekt ka nisur në shkurt të vitit 2012 duke ngritur platformën dhe duke kryer studimin e duhur nga ana e prekshmërisë dhe impaktit sa më të thjeshtë ndaj qytetarit dhe biznesit. Në të njëjtën kohë u është kërkuar institucioneve që të përgatisin informacion mbi shërbimet që ofrojnë në bazë të një forme të gatshme të parapërgatitur nga AKSHI. Faza mbledhjes së informacionit është menaxhuar totalisht nga AKSHI e cila ka bërë edhe rol koordinues dhe saktësues me institucionet në mënyrë që këto shërbime të vinin në një formë sa më të përshtatshme për qytetarin nëpërmjet këtij portali.
Deri në këtë moment janë të listuara rreth 340 shërbime të hedhura në portal të cilat pasurohen dita-ditës. Gjithashtu në këtë portal, në vijueshmëri të sistemit të Interoperabilitetit do publikohet edhe sistemi i “Gjurmueshmërisë” i cili shumë shpejt do të bëjë të mundur gjurmueshmërinë e aplikimeve të qytetarit dhe biznesit, fillimisht për sistemet QKR, QKL, dhe APP duke proceduar me sisteme të tjera në vazhdim.