E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Shqipëria vend tranzit për 2 gazsjellës europianë

TIRANë- Shqipëria do të jetë vend tranzit në rrjetet europiane të gazit, duke nxitur kështu përdorimin e këtij burimi alternativ të energjisë në vendin tonë. Kryeministri Berisha ka deklaruar gjatë mbledhjes së qeverisë, ku është miratuar në vendim që stimulon përdorimin e kësaj lënde djegëse, se vendi ynë do të jetë pjesë e projekteve të 2 gazsjellësave të mëdhenj. Bëhet fjalë për gazsjellësin transadriatik, që sjell gaz nga Kaspiku drejt vendeve të Europës Perëndimore dhe atë të Sauthstrim, që kalon gazin nga Greqia drejt Italisë me tranzit Vlorën.

“Shqipëria është vend kryesor tranzit i njërit prej gazsjellësve më kryesorë të Europës, gazjellësit transadriatik. Ky projekt është më afër se të gjitha projektet e tjera të gazit për tu shëndërruar në realitet. Ka një vullnet të qartë nga vende mike, që edhe ajo që quhet Sauthstrim, kalon nga Greqia, nga Igumenica drejt Italisë, të ketë një degë drejt Vlorës",- u shpreh kryeministri.

Krahas përfitimeve si vend tranzit i gazsjellësave, Shqipëria do të ndërtojë brenda territorit të saj impiante gazifikimi, ku Semani është përcaktuar si zona më e mirë për këtë projekt.

“Zona e Semanit është vlerësuar si zona më e përshtatshme e të gjithë pellgut të rajonit për ndërtimin e një impianti gazifikimi me potenciale shumë të mëdha",- theksoi Berisha.

Gjatë mbledhjes së qeverisë janë miratuar edhe disa vendime të tjera, si ai për dëmshpërblimin financiar të ish të përndjekurve politikë, ngritja e akademisë së antikorrupsionit, përmirësimi i procedurave të ankandit publik nëpërmjet dixhitalizimit si dhe miratimi i pr/ligjit për planifikimin e territorit.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›