Berisha: Shqipërinë e morëm nga thellësitë e territ të historisë dhe e anëtarësuam në NATO

Sali Berisha, nga ‘arresti shtëpiak’ ka vijuar edhe të enjten pasdite komunikimin me mbështetësit e tij. Nga dritarja e banesës, u deklaroi simpatizantëve se shumë shpejt rrugën ku ai banon, do ta shndërrojë në “autostradën e shpresës”.
“Kam bindjen se ju, misionarë të vërtetë të shpëtimit të këtij vendi, shumë shpejt këtë rrugë do ta shndërroni në autostradën e shpresës, do ta emërtoni autostrada e shpresës.”, tha Berisha, duke nënvizuar se “Shqipërinë e morëm nga thellësitë e territ të historisë dhe e anëtarësuam në NATO”.
“Shumë armë në beteja të llojeve nga më të ndryshmet mund të ketë njeriu. Por njëra është arma e të gjitha armëve, është superarma e të gjitha kohërave dhe kjo është e vërteta, të cilën ju po mbroni çdo natë, çdo ditë në këtë rrugë. Nuk ka fat më të madh për njeriun sesa të vendosë të mbrojë të vërtetën. Asgjë nuk transformon atë sesa ky vendim.”, tha Berisha.
/rtsh.al/