Berisha: Shqiptarët e kanë pasion duhanin
Kryeministri Berisha i pranishëm në konferencën kombëtare të shëndetësisë e cilësoi duhanpirjen si një ndër problematikat më shqetësuese të shqiptarëve. Sipas tij duhani është dyfish i dmëshëm: rrezikon shëndetin dhe ka kosto të lartë ekonomike.
Berisha
Shqipëria ka një nivel të shkëlqyer imunizimi në sistemin shëndetësor. Ta ruajmë që sistemi të mbetet më i miri në Europë. Cila është lufta dhe përpjekja jonë për parandalimin e sëmundjeve jo të transmetueshme? Ajo është në distancë me nivelin e përpjekjeve tona për imunizimin. Sëmundjet e patransmetueshme ndikohen dhe mund të ndikohen nga masat parandaluese, dhe ky ndikim ka një anësi përcaktuese në uljen dhe mbrojtjen e shëndetit. Jemi një nga popujt më pasionant nga duhani, deklaroi Berisha. Gjithashtu kryeministri vlerësoi arritjet e vendit në uljen e vdekshmërisë foshnjore në 1 shifrore, ndërkohë që premtoi reforma të thella në mënyrë që sistemi i shëndetësisë të arrijë lartësinë e duhur.
OBSH
Ndërsa drejtoresha e OBSH-së Suzana Jakab gjatë fjalës së saj në Konferencën e Kombëtare të politikave shëndetësore theksoi se shëndeti mendor përbën një kërcënim për rajonin, ndërkohë që vlerësoi politikat e vaksinimit në Shqipëri. Jakab e cilësoi lidershipin dhe pjesëmarrjen e qeverisë në sistemin shëndetësor si objektiv kryesor në shëndetësi dhe ndihmën kryesore, ndërkohë bëri thirrje që të investohet më shumë në marrëdhënien pacient-mjek. Mund të bëjmë më shumë, paraja nuk e blen shëndetin, por politika e mirë po, deklaroi Jakab.
Vasili
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili konstatoi se politika shëndetësore do të jetë e mirë atëherë kur të kontribuojnë të gjithë. Sipas Vasilit një nga elementët më të mirë është rritja e shërbimit teknologjik dhe heqja e tabuve se ajo ofrohet vetëm për zonat urbane. Një nga elementet më të rëndësishëm është rritja e shërbimit teknologjik. Rënia e tabuve, se vetëm qytetarët në zonat urbane do kenë tekonologjinë e lartë ka rënë, ka qenë provë e realizueshme. Disa arritje të tjera si vendosja e një sistemi kombëtar dhe ruajtja e një sistemi profesional kanë krijuar një qetësi se çdo reformë mund të realizohet, deklaroi Vasili.
Elbasan, protestojnë të verbrit
Shoqata e të Verbërve në Elbasan ka zhvilluar dje një protestë përpara Prefekturës. Sipas tyre qeveria aktuale ka ndryshuar ligjet për personat me aftësi të kufizuar duke u mohuar atyre shumë të drejta. Ndryshimet ligjore bënë që likuidimi i faturave të energjisë elektrike, komunikimit telefonik dhe transportit të eliminohen për këtë kategori duke rritur pabarazinë dhe thelluar përjashtimin shoqëror të personave me aftësi të kufizuara. Të verbrit kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Punës Spiro Ksera. Ata shprehen të vendosur se do të kërkojnë me çdo kusht ndryshimin vendimeve që cënojnë të drejtat e tyre.
Brain Gain, Gjermania, bursa për të rinjtë shqiptarë
Ambasada Gjermane nëpërmjet program arsimor bursa e Bundestagut do të ofrojë çdo vit rreth 120 bursa studimi, për vendet e Ballkanit përfshirë edhe Shqipërinë. Këtë vit janë diplomuar 33 shqiptarë të cilët janë kthyer për të punuara në vendlindje. Pikërisht ky ishte edhe apeli i bërë dje nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila iu kërkoi të diplomuarve jashtë shtetit që të kthehen për të punuar në Shqipëri, pasi qysh pas përmbysjes së komunizmit vendi ynë e ka ndjerë mungesën e profesionistëve. Paralelisht me Topallin, edhe ambasadorja gjermane, e vuri theksin tek domosdoshmëria e kontributit të personave të kualifikuar në shkollat perëndimore për të ndihmuar në ecjen përpara të vendit. Duke vënë në dukje se një numër i konsiderueshëm prej këtyre të rinjve që kanë studiuar jashtë vendit janë bërë tashmë pjesë e administratës shqiptare, zonja Topalli i dha përgjigje edhe pyetjes që bëri vetë për këta të arsimuar jashtë vendit: A ia vlen të kthehesh në Shqipëri?. Po, ia vlen, sepse vendit i duhet kontributi i të gjithëve dhe se destinacioni final dhe i pashmangshëm është anëtarësimi në Bashkimin Europian, u përgjigj Topalli.