Paralajmërojnë protesta në veri të Mitrovicës
Këshilli komunal i Partisë Përparimtare serbe (SNS) në veri të Mitrovicës, ka paralajmëruar të shtunën se që nga dita e nesërme do të organizojë protesta duke vozitur automjete të ndryshme nga ura kryesore e Ibrit deri në Zveçan.
Sipas kësaj partie, protestat do të organizohen çdo ditë duke filluar nga ora 12:00, ndërsa shkas për këto protesta janë, siç thuhet në komunikatë, vjedhja që s’mbahet në mend e votave në zgjedhjet lokale, republikane dhe parlamentare të mbajtura më 6 maj nga ana e Partisë Demokratike (DS) dhe partnerëve të koalicionit të tyre, transmeton Kosovapress.
“Këshilli komunal i SNS-së fton të gjithë qytetarët të cilët ndjehen të mashtruar të marrin pjesë në protesta për të rrëzuar regjimin aktual dhe të detyrojë të pranojë rezultatet e vërteta. Këto rezultate duhet të anulohen dhe të mbahen zgjedhje të reja të cilat do t’i mbikëqyrnin organizatat e ndryshme ndërkombëtare”, thuhet në këtë komunikatë.