Venizelos dështon në përpjekjet për formimin e qeverisë
Edhe Evangelos Venizelos, i mandatuari i tretë nga presidenti grek, ka dështuar në përpjekjet për formimin e qeverisë së këtij vendi. Pasdite Lideri i partisë socialiste të PASOK, është takuar me liderin e SYRIZA, Aleksis Tsipras, në përpjekje për të arritur një marrëveshje koalicioni. Një nga deputetët e SYRIZA është shprehur se pjesëmarrja në qeveri për ata është si ëndrra e një nate vere. Dhe menjëherë pas takimit ka qenë lideri i Syrizas që ka bërë të qartë se nuk do të marrë pjesë në një qeveri koalicioni me Venizelos. Arsyen e këtij refuzimi ai e ka shpjeguar me faktin se nuk është dakord me një qeveri që është e gatshme të zbatojë masa të ashpra në qershor sipas paketës së miratuar nga Trojka.
Deklarata
Po kështu edhe lideri i PASOK Venizelos tha pas takimit se: Tsipra refuzoi ofertën tonë, e cila u mbështet nga Samaras dhe Kuvelis, ndërsa shtoi se pjesëmarrja e SYRIZA-s, ishte kusht për qeverinë. Populli kërkoi qeveri bashkëpunimi, SYRIZA refuzoi, tha Venizelos pas takimit. Lideri i Pasok-ut, Venizelos është takuar paradite me kryetarin e Demokracisë së re, Samaras me të cilin gjithashtu nuk ka arritur një akord për koalicion qeverisës. Të shtunën lideri i socialistëve, partisë që u rendit e treta në zgjedhjet e së dielës së kaluar do të dorëzojë mandatin tek Presidenti i Republikës.
Sot takimi
Lëvizja e radhës në arenën politike greke është tryeza e partive që pritet të mblidhet sot nga kreu i shtetit Papulias një tjetër përpjekje për një qeveri të re, para se vendi të shkojë sërish në zgjedhje parlamentare.
Homoseksualët, Romney një hap pas
Debati nëse duhen lejuar apo jo martesat mes homoseksualëve po zë gjithnjë e më shumë hapësirë në mediat amerikane këto ditë, pak muaj nga zgjedhjet presidenciale. Gjithçka nisi nga deklarata e presidentit Obama, kandidat për një tjetër mandate për demokratët, i cili tha për televizionin amerikan, ABC se kishte ardhur koha që martesat mes personave të të njëjtit seks duhej të ligjëroheshin në shkallë federale. Por propozimi i presidentit Obama dhe demokratëve, gjithnjë më liberalë sa u takon temave të tilla, ka hasur në rezistencën e fortë të republikanëve konservatorë. Megjithatë, në përpjekje për të përthithur vota edhe nga ky komunitet, kandidati republikan për president, Mitt Romney bën një hap pas nga qëndrimi i tij kategorik kundër homoseksualëve duke mbështetur idenë e birësimeve prej këtyre çifteve, por mohoi që kjo lidhje të marrë statusin ligjor martesë. Nëse dy persona të të njëjtit seks duan të jetojnë bashkë, të kenë një lidhje sentimentale dhe të adoptojnë një fëmijë, sipas mendimit tim kanë të drejtë ta bëjnë. Por të quash një lidhje të tillë martesë është një deformim nga ajo që në të vërtetë përfaqëson instituti i martesës, deklaroi Romney në një intervistë për Fox News.
Indi, varrosin të gjallë vajzën sepse donin djalë
Babai dhe xhaxhai i një vajze 2-muajshe janë arrestuar në Pilkhuwa sepse tentuan të varrosnin të gjallë vogëlushen sipas një rituali të vjetër që thotë se kryerja e këtij veprimi të hap rrugën për një fëmijë mashkull në familje. Historia është bërë e ditur nga një zëdhënës i policisë lokale, i cili saktësoi se alarmi është dhënë nga roja e varrezave që kishte parë burrat të hapnin një gropë. Sipas tgcom24.it, kur policia ka mbërritur në vendngjarje ka konstatuar se gjithçka ishte gati për ritin që do të sillte një djalë dhe prosperitet në familje. Vogëlushja është shtruar në spital dhe është në gjendje të rëndë nga kequshqyerja, ndërsa babai dhe xhaxhai i saj janë arrestuar. Champi, guruja i këtij riti makabër është i lirë dhe kërkohet nga policia. Në shtresën e varfër të familjeve indiane është ende i ngulitur thellë mentaliteti se lindja e një vajze është fatkeqësi për ekonominë e familjes. Qeveria po mundohet ti japë fund abortit të vajzave duke ndaluar rreptësisht mjekët që të zbulojnë gjninë e fëmijës gjatë ekografisë.