“Carla del Ponte të pranojë hetimin”
Kryeministri Berisha flet për hetimin e prokurores së Hagës
Ndërkohë, kryeministri Berisha kërkoi nga ish-prokurorja e Gjykatës së Hagës Carla Del Ponte të pranojë hetimin ndërkombëtar. Kreu i qeverisë shqiptare tha se vendimi për të kërkuar një hetim të pavarur për prokuroren e Hagës Carla Del Ponte është marrë pasi personalitete kryesore të prokurorisë dhe gjykatës ndërkombëtare në Hagë - siç është ish prokurori i dosjes së Millosheviçit apo ish prokurori i dosjes së Srebenicës dhe prokurorë të tjerë, të cilët edhe sot janë me një staturë shumë të lartë në drejtësinë ndërkombëtare - kanë bërë deklarata të qarta, në të cilat pohojnë se akuzat ndaj ish kryeministrit Haradinaj kanë qenë më së shumti pazare midis prokurores Del Ponte dhe Beogradit.
“Unë i bëj thirrje zonjës Del Ponte, në interesin më të mirë të reputacionit të institucionit të akuzës, Gjykatës Ndërkombëtare, gjykatë që ka bërë punë të shkëlqyer, sikundër edhe në interesin më të mirë të saj, të pranojë edhe vete hetimin e pavarur, sepse këto deklarata të kolegëve të saj më të afërt përbëjnë një akuzë shumë të rëndë, jo vetëm në rrafshin personal të zonjës Del Ponte, por për mënyrën sesi ajo drejtori dhe menaxhoi një proces shumë të rëndësishëm për pajtimin, paqen, të rëndësishëm në rrafshin moral. Duket se ajo ka vepruar mbi konceptin se në Ballkan nuk ka agresorë dhe viktima, por të gjithë janë edhe agresorë edhe viktima, një koncept absolutisht fals. Para një jave u liria Gotovina, hero legjendar i kombit kroat dhe bashkëpunëtorët e tij. Fill më pas u shpall i pafajshëm heroi tjetër legjendar i shqiptarëve në Kosovë, i cili po jepte një kontribut historik në konsolidimin dhe lirive të të drejtave të minoriteteve në Kosovë, por, për arsye që i di ajo vetë, duhet të shpjegohet. Uroj që të mos i njohë vetes asnjë imunitet, siç bëri bashkëqytetari i saj senatori Dick Martin, të cilit iu kërkua kjo gjë dhe tha: ‘kam imunitet’”.