E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shtetësi shqiptarëve, nuk ndryshojnë kufijtë

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha hapi në mbledhjen e qeverisë diskutimin e idesë për ligjin e dhënies së shtetësisë shqiptarëve jashtë kufijve. 

Berisha ka theksuar se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale dhe vërejti se për shtetësinë, duhet bashkërenduar puna me Kosovën që përbën interes madhor kombëtar.

Berisha fillimisht foli për praktikën ligjore në fuqi për dhënien e shtetësisë që përfshin përfitimin nëpërmjet investimeve. Por, kryeministri shtoi se nuk mund t’u shitet shtetësia shqiptarëve dhe se ka mundësi për ujdi meqenëse nuk është çështje politike. Sipas kryeministrit, duhet bashkërenduar puna me Kosovën që përbën interes madhor kombëtar, transmeton RTK.

“Republika e Kosovës... Kemi të bëjmë me një shtet, konsolidimi i pavarësisë të të cilit është interes jetik i shqiptarëve. Ata janë në një proces të “Pyetësorit” për marrjen e vizave. Kjo kërkon një ulje së bashku për të përcaktuar modalitetet dhe rrugët më të përshtatshme të zgjidhjes së këtij problemi”.

Berisha foli në mbledhjen e qeverisë, ku garantoi se Shqipëria nuk ka synime territoriale ndaj fqinjëve.

“Shqipëria nuk ka as edhe një ambicie territoriale! Kjo është e qartë, e prerë! Vizatimi i kufijve në këtë kohë nuk është në interesin e shqiptarëve. Askush nuk mund të mohojë se kombi shqiptar është i copëtuar në 5 shtete dhe ai që e injoron, nuk i kontribuon stabilitetit. Të mirëkuptojmë kapërcimin e dasive njëshekullore të vendosura në mënyrën më të padrejtë ndaj shqiptarëve”.

Sipas kryeministrit, shtetësia për shqiptarët jashtë Shqipërisë nuk ka synime të përftimeve në zgjedhjet e ardhshme, por është praktikë e ndjekur nga shumë vende.

“Në fuqi në çdo rast do të hyjë pas zgjedhjeve. Nuk mund të ketë asnjë interferencë dhe nuk ka në mënyrën më absolute as edhe një përpjekje më të vogël elektorale! Nëqoftëse pret kush që shqiptarët do ta trajtojnë njeri-tjetrin në mënyrë identike me të njejtat qëndrime si me një komb tjetër joshqiptar, kjo është e pamundur”!

Në çështjet e tjera, zoti Berisha kritikoi Partinë Socialiste opozitare që nuk dha votën për miratimin e tri ligjeve të mbetura që Shqipëria të merrte statusin “kandidat” për anëtarësim në Bashkimin Europian./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›