E Diel, 1 Nëntor 2026

Zharkut i dorëzohet aktvendimi për shkuarje në burg

Në shtëpinë e ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku, i dënuar me 3 vjet burgim për veprën penale të detyrimit dhe armëmbajtje pa leje, sot është dorëzuar aktvendimi i formës së prerë i Gjykatës Komunale të Kaçanikut për shkuarjen e tij në vuajtje të dënimit.

"Aktvendimi i është dorëzuar djalit të Xhabir Zharkut pasi ai nuk ndodhej në shtëpi", ka thënë Ramadan Gudaçi, kryetar i gjykatës së sipërpërmendur, raporton koha.

Ai ka sqaruar se Zharku ka të drejtë ankese në shkallën e dytë, mirëpo ajo nuk e ndalon ekzekutimin e aktvendimit të formës së prerë.

I pyetur se si do të veprojë ai nëse Zharku nuk paraqitet të enjten në gjykatë, Gudaçi ka thënë se do të marrë veprime ligjore.

Ai nuk e ka pohuar e as mohuar se veprimi ligjor i radhës do të jetë firmosja e urdhërarrestit drejtuar policisë për dërguarjen e Zharkut me forcë në burg./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›