Berisha: Shteti do t’u garantojë çifteve të reja grant 30 mijë euro për shtëpi

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot takimin përmbyllës të fushatës elektorale të PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore në qytetin e Fierit.
Berisha prezantoi programin e PD-së duke theksuar se ai është një “program bashkues i shqiptarëve”.
Kryetari i PD-së theksoi se 600 mijë të rinj janë larguar nga vendi këto 10 vite. Berisha nënvizoi se “duhet të bëjmë çdo gjë për t’i rikthyer të ardhmen këtij vendi, për të rikthyer rininë”.
“Me këtë program, ne do kthejmë qindra e mijëra shqiptarë që morën rrugët e dheut këto 10 vite. 5 vite pa asnjë qindarkë taksa. Kredi të buta për strehimin e tyre, për biznesin e tyre. Shqipëria ka nevojë për ëndrrën e tyre. Ëndrra e tyre është e ardhmja e Shqipërisë.
“Këta të rinj, i garantoj se, shkollat e tyre do modernizohen; se buxheti për arsimin do të dyfishohet; se nuk do të ketë pengesë për universitet për mesatare dhe për asgjë tjetër. Dhe se pas përfundimit, do paguhen sigurimet shoqërore tek çdo punëmarrës që punëson të rinjtë”, tha Berisha.
Berisha premtoi se “të rinjtë do të financohen me grante dhe kredi startup-et e tyre”, si “dhe një çati, shteti do t’ua garantojë çifteve të reja, me një grant 30 mijë euro. Po, po”.
“Të mos harrojmë se, kombit i kemi borxh rininë. Ndaj dhe, asgjë në botë nuk do mund të na pengojë pa kthyer kombin shqiptar në moshën e rinisë së tij”, tha Berisha.
Berisha po ashtu premtoi se “bizneset e vogla, 100 ditët e para do të paguajnë energjinë, vetëm 6 lekë kilovati”.
“Hapësira publike 5 herë më lirë. Tarifa e ujit do të përgjysmohet. Bashkitë nuk do mund të vendosin kurrë, kurrë, taksa dhe tarifa më shumë se 1% të xhiros. Do ketë kredi të buta për startup-e dhe biznese të vogla. Bizneset e mëdha, do kenë një aleat të vërtetë tek qeveria e ardhshme. Tatimfitimi më i ulëti në Europë. TVSH-ja: 15%”, tha Berisha.
/r.e/