Basha: Kredi të subvencionuara nga shteti për 30 mijë çifte të reja

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha zhvilloi një takimi me qytetarët në zonën e Laprakës nga ku u bëri thirrje votuesve të reflektojnë mbi rëndësinë e votës së tyre më 11 maj.
Në fjalën e tij, Basha theksoi se ky proces zgjedhor nuk është thjesht një moment formal demokratik, por një akt me pasoja afatgjata që do të përcaktojë drejtimin e vendit për katër vitet e ardhshme.
“Vota nuk është një copë letër,” u shpreh Basha. “Është një çelës që hap një portë. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është: cilën portë do hapim? Do hapim portën e burgut 313, që të dalin të korruptuarit dhe të vazhdojnë të zhvasin shqiptarët? Apo do hapim portën e shpresës, të mirëqenies dhe të sigurisë për familjet shqiptare?”
Në mesazhin e tij, Basha kritikoi kundërshtarët politikë, duke i akuzuar për përpjekje për të bllokuar drejtësinë dhe për të mbrojtur korrupsionin.
Ai theksoi se Koalicioni Euroatlantik mbështet fuqimisht punën e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe do të punojë për të ndëshkuar zyrtarët e korruptuar.
“Ne nuk do t’i mbrojmë të korruptuarit. Ne do t’i ndëshkojmë. Paratë që iu janë vjedhur shqiptarëve do të kthehen në politika që ndihmojnë të rinjtë, pensionistët dhe familjet e ndershme”, tha ai.
Basha prezantoi disa prej pikave kyçe të programit të Koalicionit Euroatlantik për “familjet shqiptare si Kredi të subvencionuara nga shteti për 30 mijë çifte të reja për të ndihmuar në themelimin e familjes. Bonusi i bebes: ndihmë financiare për lindjen e fëmijës së parë. 20 mijë euro për fëmijën e tretë, si mbështetje për rritjen e natalitetit”.
Ai ironizoi qëndrimet e kundërshtarëve ndaj këtyre propozimeve, duke thënë se ata talleshin me idenë e bonusit për bebet, sepse për ta është më normale të vjedhin 20 mijë euro në ditë sesa t’ia japin ato një familjeje që sjell jetë të re në vend.
“Me programin tonë familjet dhe çiftet e reja do të përfitojnë – 30 mijë prej tyre – kredi me interesa të marra dhe të paguara nga qeveria për të themeluar një familje, bonuesin e bebes, që këta talleshin, është e mundur për qeverinë e ardhshme shqiptare që të paguajë për fëmijën e parë dhe 20 mijë euro për fëmijën e tretë. Ju kujtohet si qeshnin. Pse? Sepse për ta është normale të vjedhësh 20 mijë euro në ditë dhe nuk është normale të japësh bonus 20 mijë euro për fëmijën e tretë”, tha Basha.