E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Sistemi i ri rrit sigurinë e portit dhe është një hap i rëndësishëm për kontrollin e kufijve

Gjatë vizitës në Durrës, Kryeministri Berisha mori pjesë edhe në inaugurimin e përfundimit të sistemit të kamerave në Portin e Durrësit. Sistemi i ri i kontrollit, një investim prej 170 milion lekë, vendos nën vëzhgim të plotë dixhital të gjithë territorin e portit.

Kryeministri Berisha e konsideroi sistemin e ri të kontrollit një investim shumë të rëndësishëm që rrit sigurinë në portin e Durrësit dhe për kontrollin e kufijve.

“Ky është një investim i shkëlqyer prej 170 milion lekë, që realizon një vëzhgim dixhital të plotë e total në çdo m2 të territorit të portit, rrit shumë sigurinë e portit dhe e bën atë ndër portet më mirë të vëzhguara për të gjithë faktorët e rrezikshëm, e bën ndër portet më mirë të kontrolluara. Ky është gjithashtu një hap shumë i rëndësishëm për kontrollin e shkëlqyer të kufijve, është një kontribut thelbësor për ecjen drejt liberalizimit të vizave, që është një qëllim madhor i vitit të parë të mandatit tonë të dytë,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha tha se në portin e Durrësit janë duke u realizuar projekte të mëdha e tepër të rëndësishme për modernizim e tij, duke veçuar ndërtimin e terminalit të ri të pasagjerëve.  

“Në portin e Durrësit, - u shpreh Kryeministri Berisha - ka zhvillime të mëdha. Po ndërtohet terminali, i cili, ndonëse është bërë punë dhe kjo nuk mund të injorohet, duhet të ecë me ritme më të shpejta, pasi terminali i ri modern për pasagjerët është i domosdoshëm për t’i shërbyer më mirë, në mënyrë më të qytetëruar të gjithë pasagjerëve dhe për t’i dhënë portit të Durrësit pamjen e re që meriton.”

Kryeministri Berisha shoqërohej në ceremoninë e inaugurimit nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›