Berisha: TAP, projekti më i avancuar, të gjitha shanset për të qenë fitues
Gazsjellësi TAP - pas lobingut të kryeministrit Berisha, Shqipëria firmos Memorandumin e Bashkëpunimit me Malin e Zi, Bosnje-Herzegovinën dhe Kroacinë
“TAP ka të gjitha shanset për të qenë projekti fitimtar. Krahasuar të dyja projektet çdo njeri e gjen TAP me një projekt fizibël dhe më të avancuar. Projekti tjetër është produkt i mossuksesit dhe në vetvete nuk ka sigurinë që ka ky projekti Trans-Adriatik”
Shqipëria firmos Memorandumin e Bashkëpunimit në realizimin e gazsjellësit TAP me Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kroacinë. Memorandumi u nënshkrua në ambientet e Kryeministrisë nga katër ministrat e Jashtëm, Aldo Bumçi, Igor Lukshiç, Zlatko Lagumdzija dhe Joshko Klisoviç, në prani edhe të Kryeministrit Berisha. Në fjalën e tij shefi i qeverisë, vlerësoi edhe një herë rëndësinë e projektit TAP, duke e vlerësuar jo vetëm një vlerë të shtuar ekonomike për të ardhmen por dhe një urë e shkëlqyer bashkëpunimi mes vendeve të rajonit. “Një vendim i madh merret gjatë javëve që vijnë nga konsorciumi Shah Deniz, lidhur me trajektoren e gazsjellësit. Prej vitesh konsorciumi i gazsjellësit TAP ka bërë një punë të shkëlqyer dhe faktikisht çdo njeri që hedh një vështrim në trajektoren e këtij gazsjellësi gjen pothuajse rrugën natyrale mbitokësore të gazit. Rajoni ynë është një rajon me dinamizëm dhe potencial real në vitet që vijnë. Memorandumi që firmosëm sot në mirëkuptim të plotë me qeverinë italiane dhe qeverinë greke mendoj se është dëshmi edhe e një urie edhe më të madhe për gaz në rajon. Besimi dhe shpresa ime është që TAP ka të gjitha shanset për të qenë projekti fitimtar. Krahasuar të dy projektet, çdo njeri gjen TAP-in një projekt qartësisht më fizibël dhe më të avancuar. Projekti tjetër është produkt i mossuksesit dhe në vetvete nuk ka sigurinë që ka projekti Trans-Adriatik. Dua të theksoj dhe një faktor tjetër, fuqinë bashkëpunuese që mban në vetvete ky projekt mes vendeve. Pak kohë më parë qeveritë e Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë firmosën një marrëveshje, e para e këtij lloji që i angazhon ato t’u përmbahen rregullave të rëndësishme. Besoj se vendimmarrësit do ta kenë parasysh edhe këtë faktor” - u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se drejtim kryesor i gazsjellësit është tregu i madh italian dhe grek, por rajoni me dinamizmin e tij sjell një treg të shtuar në hapësirën e furnizimit me gaz. “Drejtimi kryesor i TAP është tregu italian dhe tregje të tjera, por rajoni sjell një treg të shtuar në këtë gazsjellës. Rajoni ynë është një rajon me dinamizëm dhe potencial real në vitet që vinë. Ne memorandumin që firmosëm sot për mirëkuptim me qeverinë italiane dhe greke është dëshmi edhe e një urie për nevoja për gaz të rajonit” - u shpreh Berisha.
Ndërkaq Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje Hercegovinës Zlatko Lagumdzija e vlerësoi si një perspektivë të ndritur për të ardhmen e përbashkët ekonomike dhe energjetike të rajonit. “Do ta falënderoja kryeministrin Berisha për udhëheqjen e tij. Ne ndajmë të njëjtat bindje, mirëkuptimin e përbashkët. Jemi këtu se besojmë në të ardhmen tonë, të rajonit, të BE dhe të projektit TAP. Besojmë që edhe vendimet që do merren do të jenë në bazë të ekonomisë dhe teknologjisë. Po e mbyll me një thënie që përdoret në Bosnje, “Na ndihmoftë Zoti, por në fillim duhet të ndihmojmë veten” - tha ai. “Ndërtimi i gazsjellësit ka rëndësi strategjike për vendin tonë. Ndërlidhja që do kemi me sisteme të tjera energjetike do na sjellë një sistem më të qëndrueshëm dhe më të mirë. Ndërtimi i projektit do ndihmojë edhe në përmirësimin e infrastrukturës energjetike, është një projekt evropian rreth sigurisë energjetike që ata promovojnë. Kjo është mundësi edhe për vendin tonë” - vlerësoi Ministri i Punëve të Jashtme e Integrimit Europian i Malit të Zi Igor Lukshiç. Nga ana tjetër edhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kroacisë, Joshko Klisoviç, shprehu mbështetjen e vendit të tij ndaj TAP. Vendimi përfundimtar për projektin fitues pritet të merret në javët në vazhdim nga Konsorciumi Shah Deniz 2 në Azerbajxhan. Zgjedhja do te behet mes dy projekteve TAP, i cili kalon nëpërmjet Shqipërisë, dhe Nabucco West.