Kukësi pret Sali Berishën me një bereqet elektoral që premton rezultatin 4 me 0
Deklarata e shefit të mazhorancës: “Kur në Kosovë kishte lumenj gjaku, kur nënat kosovare kishin të varura në shtëpitë e tyre rrobat e gjakut të fëmijëve të tyre, Edvini dekoronte në Tiranë dhe i dorëzonte çelësin e artë në gjoks këngëtarit Goran Bregoviç, për himne e marshe mbi shqiptarët”
Berisha: Të hënën seancë parlamentare për tre ligjet, më 23 qershor të ndëshkojmë pazarxhiun e 1 prillit
Kryeministri Sali Berisha gjatë një mitingu në qytetin e Kukësit, prezantoi kandidatët për deputetë, për zgjedhjet e 23 qershorit për këtë qark. Shefi i mazhorancës i bëri thirrje qytetarëve të votojnë numrin 44 të fletës së votimit, ku renditet Partia Demokratike, për të vijuar, siç tha ai, reformat dhe ndryshimin e Shqipërisë. “Po shkojmë drejt 23 qershorit, ecim drejt ditës së zgjedhjeve, pasi sot me punën, mundin, veprën tuaj ne kemi ndryshuar Kukësin, kemi ndryshuar Shqipërinë. Sot Kukësi, Shqipëria janë anëtare të NATO-s. Sot Kukësi me Tiranën lidhet me një nga autostradat më të bukura të Rajonit dhe më gjerë. Sot Kukësi në të katër anët e tij ka të ndërtuara dhe të rindërtuara qindra e qindra kilometra rrugë, dhjetëra e dhjetëra shkolla, qendra shëndetësore, ujësjellësa kanalizime. Ne shkojmë drejt 23 qershorit për të votuar 44-trën numrin e artë, Partinë Demokratike. Pasi në Kukës dhe në mbarë Shqipërinë kemi dyfishuar bizneset, në këtë qark kemi krijuar me qindra e qindra ferma të reja, kemi subvencionuar mbjelljen e mbi 600 hektarëve dru frutore. Kukësi ka sot universitetin e tij. Këto zgjedhje, 23 qershori fton të gjithë qytetarët e Kukësit, Hasit dhe të Tropojës të votojnë për të vazhduar ndryshimin. Të votojnë katër vitet që vijnë ta shndërrojnë Shqipërinë, Kukësin në vendet më tërheqëse për investitorët e huaj. Kemi marrë 4 miliard dollarë, do të marrim 6 miliardë dollarë. Do ta bëjmë Shqipërinë dhe Kukësin vendin më të vizituar nga turistët e huaj. Kemi marrë 4.7 milion turistë, le të bëjmë gjithçka për të patur 7 milion turistë katër vitet që vijnë. Në Kukës janë në ndërtim dhe po ndërtohen 15 hidrocentrale. 50 të tjerë nga Skavica në lumin e Currajve do të ndërtohen në katër vitet që vijnë. Ne po ndërtojmë Kukësin e zhvilluar, po ndërtojmë Shqipërinë e zhvilluar. Në rrugën tonë ka vështirësi, në rrugën tonë ka probleme, por kjo është rruga më e ndershme, më e suksesshme. Rrugë, në të cilën ne kemi bërë gjithçka për të mbajtur premtimet tona” - u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë sulmoi edhe Edi Ramën si dhe alternativën e tij politike, duke theksuar se ajo është alternativa e poshtërimit të shqiptarëve. “Cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është alternativa e akuzave, akuzave, akuzave, e poshtërimit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Për vizat bëre gjithçka që shqiptarët të mos lëvizin të lirë në Europë. Dështove. Dje deklarove se Berisha kërkon heqjen e vizave me Amerikën, që të mos mbetet shqiptarë në Shqipëri. Me metrin tënd, me moralin tënd ashtu del, por për shqiptarët, për këta që janë këtu, për ata që janë në Amerikë, Shqipëria është Amerika e Amerikave. Shqipëria nuk është për pasurinë si Amerika, nuk ka fuqinë e saj, por ka baltën më të ëmbël se mjalta, ka dashurinë më të pakufishme se malet, ka besimin tek vetja tek e ardhmja e saj. Pazarxhiu i 1 prillit, deklaroi mbrëmë se unë pranoj paketën e Ilirit. Miqtë e mi. Sot janë 244 ditë që ai ka bllokuar për secilin prej jush pasaportën e dytë më prestigjioze pas NATO-s, pasaportën e statusit të vendit kandidat. U bënë 244 ditë, që ai bllokoi qindra milion euro për fermerët shqiptarë, për shqiptarët, për infrastrukturën e tyre. U bënë 244 ditë që ai në autobus shkelmoi interesin e çdo qytetari. Ndaj dhe jam sot këtu nga qyteti i Kukësit, informoj shqiptarë se ditën e hënë do të mblidhet parlamenti shqiptarë për të votuar ligjet. Por, aty ne shkojmë ballë hapur, sepse ne bëmë gjithçka për të merituar statusin e vendit kandidat, sepse ne çdo ditë kërkuam votimin e ligjeve, ndërsa ti mjeran, vjen në parlament me çelësin e Goranit në qafë, që s’të hiqet kurrë. Shfrytëzoj rastin ti bëj thirrje të votojnë amnistinë fiskale nga viti 2011 deri më sot për të gjithë shqiptarët. Se ti zotëri kishe amnistuar Koçon, ti që Koços i jepje 80 përqind të tenderave të bashkisë, të gjitha reklamat e kryeqytetit. Ti, që i llogarisje bulevardet për sheshe ndërtimi. Ti refuzove amnistinë fiskale të qeverisë. Ndaj dhe sëbashku me tre ligjet të votojmë amnistinë, që nuk votove dhe të regjistrosh me 23 qershor fundin që ti meriton”- theksoi kryeministri.
Berisha u ndal edhe tek deklaratat e kryesocialistit Rama në Kosovë ku ka thënë se kosovarët e marrin Berishën për Skënderbeun. Berisha iu kujtoi dekorimin e Goran Bregoviçit nga Edi Rama kur ishte kryetar i bashkisë. “Edvin Kristaq Rama, shkoi në Kosovë dhe ju tha kosovarëve se ju Sali Berishën e merrni për Skënderbeun. Tani, nga Kukësi, do t’i them dy fjalë shokut Edvin. Kosovarët më shumë se të gjithë të tjerët, më shumë se kushdo në Europë, kanë paguar me gjak lirinë e tyre. Kanë paguar me një rezistencë të pashembullt në Europë. Nga i madhi tek i vogli, nga 7-vjeçari tek 70 –vjeçari e dinë se Skënderbeu, pas Zotit, është Krishti dhe Muhamedi i të gjithë Shqiptarëve. Ata Skënderbeun nuk e ngatërrojnë as me Ibrahim Rugovën, as me Adem Jasharin dhe me asnjë tjetër. Problemi yt zoti Edvin Kristaq Rama është ky. Në një kohë kur në Kosovë vërshonin enden lumenj të pa tharë gjaku, në një kohë kur nënat dhe motrat kosovare kishin të hapura në shtëpitë të tyre rrobat e gjakut të fëmijëve të tyre, ti Edvin dekoroje në Tiranë, i dorëzojë çelësin e artë në gjoks Goranit për himnet, për marshet mbi shqiptarët. Ndaj dhe ty, jo Kosova, por çdo shqiptarë që i thotë vetes shqiptarë. Çdo shqiptarë që kujton gjakun e derdhur për këtë vend, nuk mund të pranojë kurrë. Kosova e njeh njëmijë herë më mirë se ti Skënderbeun dhe heronjtë e tjerë të kombit, por Kosova s’të fal ty Edvin Kristaq Rama, sepse kur ne po çanim malin për të ndërtuar autostradën e kombit, t’i dërgojë deputetët e tu për të ngritur çadrat në grevë urie, në tunelin e Kalimashit” - theksoi kryeministri.
Gjithashtu, nga qyteti i Kukësit ku prezantoi kandidatët e PD-së për këtë qark, kryeministri Berisha theksoi se të hënën do të mblidhet Parlamenti për të votuar 3 ligjet e statusit por ka kërkuar që bashkë me to të miratohet edhe ligji për amnistinë. “Ditën e hënë do mblidhet Parlamenti shqiptar për të votuar ligjet. Por aty ne shkojmë ballë hapur sepse bëmë gjithçka për të merituar statusin e vendit kandidat, sepse në çdo ditë kërkuam votimin e ligjeve, ndërsa ti mjeran vjen në Parlament me çelësin në qafë. I bëj thirrje të votojë amnistinë fiskale nga viti 2011 gjer më sot për të gjithë shqiptarët. Se ti zotëri kishe amnistuar Koçon. Ti që i jepje Koços 80 % të tenderave të Bashkisë, të gjithë reklamat e kryeqytetit, ti që i llogarisje bulevardin për sheshe ndërtimi refuzove e amnistinë fiskale, ndaj të votojmë sëbashku me ligjet amnistinë fiskale që nuk e votove dhe të marrësh në 23 qershor fundin që meriton”, është shprehur Berisha