E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, Tadiçi dhe Haxhiçi

Serbia, njoftoi kapjen e Goran Haxhiç. Pas kësaj, presidenti serb Tadiç, deklaroi se “kapitulli i kriminelëve të luftës, është i mbyllur” Ballkani, mbylli kështu një listë të kriminelëve të luftërave të 1992-1993 në ish-Jugosllavinë, që ende qarkullonin të lirë. Por çështja e kriminelëve të luftës, ishte edhe një lojë spektakolare e diplomacisë serbe, e cila duhet thënë, se u tregua brilante për të shitur atë që nuk e kishte. Pavarësisht se na vjen keq ta themi, duhet një analizë, për të parë se pse kundërshtari ynë është kaq i zoti.
Nëse një alien, do vinte nga një planet tjetër dhe do dëgjonte deklaratën e presidentit Tadiç, do çmonte elokuencën dhe fjalorin e tij, i cili nuk ka të sharë dhe është në përputhje me vlerat humane. Por, do habitej kur të mësonte se personi në fjalë, nuk është përfaqësues i ndonjë organizate humanitare apo agjencie të OKB-së për të drejtat e njeriut, por është pikërisht presidenti i Sebisë, i vendit që përgjaku dhe masakroi gjithë popujt, pjesë e hapësirës së ish-Jugosllavisë. Në një rend dhe logjikë normale të gjërave, arrestimi i Haxhiç, nuk do ishte asgjë më pak se mbyllja e llogarive të Serbisë me luftën që inicioi dhe ushqeu 19 vjet më parë. Pranimit të fajit, do ishte jo vetëm institucional, por edhe moral, atëherë kur presidenti Tadiç të vizitonte Kosovën dhe të kërkonte falje për krimet që kishte bërë populli i tij atje. Dhe nuk është se viktimat e Serbisë do kërkonin ndonjë gjë të madhe dhe që nuk ka ndodhur kund më përpara, pasi duke konsultuar historinë, Serbia në planin moral me viktimat e saj, nuk është ende as sa pozicioni i Gjermanisë, mbas gjyqit të Nurembergut, ku u dënuan gjithë kriminelët nazistë të luftës. Pra, ende ky vend, nuk e ka bërë “mea culpa”-n e tij të plotë. Sinqeriteti i Tadiçit, nuk mund të vlerësohet as nga vizita e tij në Kroaci, dhe as nga raportet normale me Slloveninë e Maqedoninë, por mbi të gjitha nga qëndrimi që do mbante me Kosovën, viktima e parë dhe e fundit e Serbisë në Ballkan. Po ashtu, një kërkesë falje ndaj Shqipërisë, nuk do ishte në dëm të Serbisë, pasi pavarësisht qetësisë olimpike të qeverisë shqiptare, ushtria serbe ka minuar gjatë luftës edhe kufirin shqiptar dhe nga kjo kanë ardhur edhe viktima. Këtë e di shumë mirë kryeministri Berisha, i cili është nga ajo zonë, ndërsa për viktimat e minave, mund e duhet të flasë edhe sekretari i përgjithshëm i MPJ, Gazmend Turdiu, i cili është kryetar i Komitetit Antiminë, në meritë të së cilit ka udhëtuar deri në Laos, ka marrë fonde nga donatorët, por nuk ka asnjë transparencë në administrimin dhe destinacionin e tyre, dhe nuk ka folur asnjëherë për viktimat shqiptare të këtyre minave.
Shqipëria në kohën e Berishës së parë, ka furnizuar Serbinë me naftë. Berisha në kohën që ishte në opozitë kundërshtoi firmosjen e marrëveshjes së Rambujesë, dhe votoi në parlament kundër dislokimit të helikopterëve amerikanë “Apache” në territorin tonë, gjatë luftës në Kosovë. Ky njeri, ka bërë më shumë se çdokush për të lënë Kosovën siç ishte, e megjithatë ka njerëz që e cilësojnë si patriot. Ky është problemi i mendësive të këtyre të vonuarve dhe thënë troç, i lumtë që kur gjen shesh, Berisha bën përshesh e ju hedh trutë e gomarit ca bashkëpatriotëve të tij. Është i njëjti që ka shitur interesa strategjike të Shqipërisë, sa edhe Esat Toptani, do ndihej diletant para tij. Por kjo nuk e shmang dot Tadiçin, që nëse beson vërtetë në vlerat humane dhe europiane, pavarësisht se në Tiranë qeveris një zar i Serbisë, t’ju kërkojë falje shqiptarëve për krimet që ka bërë kundër tyre. Një europianist i vërtetë, do ta ndërmerrte aktin e faljes, jo duke u nisur nga pozitat e forcës dhe realpolitikës, por në emër të miqësisë së viteve të ardhshme midis dy fqinjëve, pavarësisht se Serbia, diti t’i arrinte shqiptarët, dhe t’i kalonte në rrugën drejt BE-së. Serbia e dorëzoi Haxhiçin e saj, por nuk duhet të përfitojë nga rasti, që Shqipëria është bllokuar nga një njeri që po i shkakton asaj, më shumë dëme se Haxhiçi Serbisë.
Në rrugën e saj drejt Europës, klasa politike serbe arriti të mësonte nga gabimet, dhe krijoi një administratë, e cila në kombinimin e saj midis më të mirës nga tradita dhe e gërshetuar me modernen, është ndër më kompetitivet në Ballkan. Në reformat ekonomike, pa zhurmë e bujë, ka bërë efektive ndihmat e dhëna dhe ka implementuar modernizimin e strukturave të saj, në mënyrë që të jetë ndër të rrallat vende të rajonit që ka një rritje reale në vitet e fundit dhe ku ekonomia dhe resurset njerëzore janë europianë ose seriozisht do jenë kompetitive së shpejti në këtë treg. Inteligjenca e saj, është e një formimi të tillë, që rri natyrshëm në skenën europiane, jo vetëm për shkak të trashëgimisë nga periudha titiste, jo sepse di ta maskojë vrerin e saj nacionalist, por edhe sepse realisht, segmente të rëndësishëm të saj, përpiqen dhe munden të jenë pjesë organike e Europës. Për sa i përket politikës, rreshtimi nacionalist i saj, për hir të vendit, e ka lëshuar skenën dhe bën rolin në plate, më shumë për të mbajtur nën fre nacionalizmin serb, se të jenë një problem real për qeverisjen e vendit.
Në gjithë këtë panoramë, kuptohet se Serbia, është e mirëpritur nga europianët, jo vetëm për shkak të afeksioneve të së shkuarës ndaj këtij vendi, por edhe sepse Serbia krahasuar me fqinjët si Shqipëria, Rumania, Bullgaria, Maqedonia e Kosova, bën kontrast dhe parë në një fotografim jo politik, ka bërë hapa realë për përafrimin me BE-në. Krahasuar me Bullgarinë, e cila ka probleme me zgjedhjet dhe praninë e mundësve në politikë, krahasuar me Maqedoninë, ku një ish boksier luan populistin e sojit që vetëm vende të vegjël, pa traditë dhe prapambetur mund të pjellin, dhe me Shqipërinë, ku një udhëheqës i nxjerrë nga arshivat sovjetike, ka 45 vjet që shan apo mbron me të njëjtin pathos, fenë, atdheun, BE-në, kapitalizmin apo modernizmin, sipas interesit të karriges së tij, duke treguar mungesë integriteti moral, kuptohet që Serbia dhe ato që e përbëjnë këtë komb, dallojnë për diferencën e tyre.
Por, nëse morali, është ajo vlerë që bazohet në cilësimin e marrjes së një jete njerëzore si krim, në klasifikimin e zhdukjes së një kombi si gjenocid, në turpin që duhet të mbulohet ai që vjedh plaçkën apo tokën e tjetrit, atëherë Serbia ka ende një rrugë të gjatë për të bërë dhe merituar kurorën e dëlirësisë. Në këtë këndvështrim, kapja e Haxhiç, nuk është veçse mbarimi i pastrimit të gjakut nga duart e saj. Kërkesa për falje nga viktimat, duke ju vajtur në shtëpi me kokën e ulur dhe peshën e fajit në gjoks, do jetë edhe fillimi i rrugës së vërtetë europiane të vendit drejt integrimit. Nënshtruar arsyes normale, kriminelët e luftës që Serbia i ka dorëzuar Hagës, janë serbë dhe jo të importuar; vrasjet që kanë bërë janë në emër të saj; grabitjet që kanë ushtruar, kanë mbushur arkat e saj; e ca më tepër, kriminaliteti i kohës së luftës, ka krijuar një mafie, e cila është përhapur në gjithë Ballkanin, e do t’i krijojë probleme edhe për dekadat që vijnë fqinjëve të Serbisë. Ndaj, pavarësisht benefiteve që mund të marrë për shkak të konjukturave gjeopolitike apo rajonale, apo zotësisë së aparatit të saj diplomatik, ky është vetëm fillimi i rrugës së saj drejt Europës. Ndërsa BE-ja nuk mund ta vlerësojë bukurinë e vendit që po pret, duke e parë në pasqyrën e Shqipërisë së Berishës dhe të ngjashmeve të tij. Ky është rasti, kur si princesha, ashtu edhe pasqyra, kanë nevojë të ndreqen.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›